EKSKLUZIVE/ Skënderbeu nis merkaton, korçarët vendosin në shënjestër sulmuesin e Vorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2024 | 9:41

EKSKLUZIVE/ Skënderbeu nis merkaton, korçarët vendosin në shënjestër sulmuesin e Vorës

Skënderbeu është në kërkim të sulmuesve për të mbushur repartin e avancuar prandaj po sheh me ngut afrimin e elementëve cilësorë të ndërthurur edhe me lojtarë të rinj por që konsiderohen si me të ardhme nga ana e klubit bardhekuq.

Eridon Qardaku, sulmuesi 23-vjeçar

Eridon Qardaku, sulmuesi 23-vjeçar

I tillë është rasti i ish-sulmuesit të Vorës, Eridon Qardaku, i cili së fundi ka hyrë në “lupën” e merkatos korçare si një përforcim që mund të vlejë për sezonin e ri. Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë klubit korçar bënë me dije për gazetën se prej ditësh kanë nisur kontaktet me 23-vjeçarin shkodran, i cili vetëm pak ditë më parë ka dalë si futbollist i lirë në merkato, duke mbyllur aventurën e tij te Vora. Pas një sezoni të mirë me Vorën ku në 27 ndeshje shënoi 9 gola Qardaku po mendon rritjen e cilësisë së vet përmes kalimit në Superiore dhe duket se këtë shans mund t’ia japë klubi korçar. Pas largimit të Likës dhe dy sulmuesve kryesorë si Frenkli dhe Xhantu, por edhe me Muharem e Uçe gjithnjë e më larg korçarëve, duket se hapësirat për Qardakun janë të konsiderueshme.

Duke parë edhe faktin se në Korçë është një ambient i qetë, ku mund të shprehesh lirshëm sa i takon aftësive Qardaku do ta kishte lëvizjen e duhur. Në momentet që flasim burimet tregojnë se kontaktet janë konkrete dhe bisedimet mes palëve kanë nisur prej kohësh. Pritet që shumë shpejt të ketë një akord mes palëve pasi plani i korçarëve duket se ka bindur në një farë mënyrë sulmuesin shkodran. Qardaku është një pikë e rëndësishme për Skënderbeun pasi mund të mbulojë dy krahët e sulmit, por edhe të luajë si mesfushor i avancuar, për t’i dhënë frymëmarrje kapitenit Liço në sezonin e gjatë.

Me Vorën Qardaku ka luajtur 27 ndeshje të nisura si titullar në Kategorinë e Parë dhe ka arritur të shënojë 9 gola në 1900 minuta në total. Po ashtu në dy ndeshje të vlefshme për Kupën e Shqipërisë arriti të shënojë dy herë. Të dhëna këto që janë marrë në konsideratë nga Skënderbeu para se të nisnin bisedimet.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"