EKSKLUZIVE/ Sulmuesi drejt ndarjes me Elbasanin, tri klube polake i vihen pas

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2024 | 18:40

EKSKLUZIVE/ Sulmuesi drejt ndarjes me Elbasanin, tri klube polake i vihen pas

Arsen Lleshi mund të largohet nga Elbasani. Është ky lajmi më i fundit që ka qarkulluar këto ditë, me verdheblutë, që i kanë ofruar rinovimin për ta pasur sigurisht edhe pjesë të elitës.lleshi 3 golaMirëpo, në lojë kanë hyrë disa skuadra të huaja, kryesisht nga Polonia, që kanë kërkuar shërbimet e 24- vjeçarit, i cili ka spikatur sezonin e kaluar me verdheblutë, ku shënoi plot 12 gola. Në një situatë të tillë, sulmuesi është i dyzuar për të ardhmen e tij, në një kohë që ofertat e huaja janë joshëse edhe në aspektin financiar, çka kanë bërë që Lleshi të tundohet dhe të mendojë seriozisht edhe largimin. Dilema e vetme lidhet me faktin se bëhet fjalë për skuadra të Ligës së Parë, ndërsa me verdheblutë do të militonte në elitë dhe do të ishte ndoshta një vitrinë më e madhe për të bërë më pas kalimin në një kampionat më elitar.

Burime të “Panorama Sport” pohojnë se bëhet fjalë për skuadrat e Polonia Varshava, Znik Pruskou dhe Krobry Glogou, që kanë synime për t’u ngjitur mes më të mirave te futbollit polak. Gjithsesi, mbetet për t’u parë sesi do të vijojnë ngjarjet në lidhje me Lleshin, pasi nëse ai largohet, verdheblutë duhet të hedhin sytë për ta zëvendësuar, në një kohë kur gjetja e një sulmuesi në futbollin shqiptar sa vjen e bëhet më e vështirë. E vetmja keqardhje për momentin është se një ndër sulmuesit dhe lojtarët më të spikatur të futbollit shqiptar dhe në një moshë të re, mund të largohet falas dhe verdheblutë nuk arkëtojnë dot asgjë.

SITUATA – Elbasani mund të konsiderohet si një ndër skuadrat që ka pasur bisedime me lojtarë të shumta gjatë kësaj periudhe, por nga ana tjetër, është po një nga ato ekipe që nuk ka zyrtarizuar asnjë lojtar. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për afrime në merkato, por edhe rikonfirmime të lojtarëve nga sezoni i kaluar. Ndonëse një pjesë e tyre janë me kontrata dy vjeçare dhe janë zyrtarisht pjesë e ekipit, të cilët praktikisht nuk ka nevojë për konfirmim.

Ajo që po shqetëson më shumë janë pikërisht mungesa e afrimeve në merkato, pasi verdheblutë kanë shprehur ambicien për të qenë pjesë e skuadrave te “Final 4” këtë sezon. Gjithsesi, ka ende shumë kohë përpara edhe sa i përket goditjeve në merkato, por zakonisht skuadrat pretendente e kanë gati të formatuar shumë para nisjes së kampionatit skuadrën me të cilën do të marrin pjesë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"