EKSKLUZIVE/ Takim me kryebashkiaken, Agim Canaj pranë rikthimit te skuadra e…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 5, 2022 | 15:27

EKSKLUZIVE/ Takim me kryebashkiaken, Agim Canaj pranë rikthimit te skuadra e…

Viti 2022 e gjeti Lushnjën në “ajër”. Kanë kaluar dy javë që nga dita kur u shkarkua Ilir Gjyla, por pankina vazhdon të jetë e boshatisur. Skuadra është stërvitur prej kapitenit Mikel Spaho në ditët e fundit të 2021-shit dhe kështu do të ndodhë edhe sot, kur është caktuar që të nisë zyrtarisht puna për pjesën e dytë të sezonit.

Agim Canaj

“Ekipi është lajmëruar që sot në orën 14:30 fillon stërvitja”, qartësoi portieri 39-vjeçar për gazetën. Në “pole” ishte Judmir Gaxheli (trajner i akademisë), megjithatë pista sikur është sfumuar.

Edhe pse ishte zhvilluar një bisedë, ka mbetur në mes. E megjithatë, ditët e fundit ka dalë në skenë një emër i madh i trajningut.

Bëhet fjalë për Agim Canajn, i cili pëlqehet prej drejtuesve. Duhet thënë që po qarkullon prej ditësh si kandidaturë, por negociatat do të nisin vetëm sot.

“Panorama Sport” mëson se kryebashkiakja do të flasë me teknikun e njohur, për t’i ofruar Lushnjën. Nëse do të shkojnë drejt një akordi, atëherë do të flisnim për një rikthim.

Kujtojmë se ai i ka drejtuar verdhejeshilët në sezonin 2003- 2004 (konkretisht nga java e 9-të e deri në të 29-ën), kohë kur militonin në Kategorisë Superiore.

Kontaktuam edhe me presidenten e klubit, e cila sqaroi se ka disa alternativa për stolin. Eriselda Sefa shkurtimisht tha:

“Jam në tratativa me disa trajnerë dhe kur të vendos do t’ju njoftoj”. Pa emëruar trajnerin e ri, nuk mund të nisë edhe merkatoja dhe duhet thënë që skuadra ka mungesa të mëdha në organikë.

Jo në numër, por cilësi. Edhe pse janë disa lojtarë lushnjarë që janë “liruar” nga klube të tjera dhe mbeten në pritje të ekipit mëmë, nga drejtuesit nuk janë kontaktuar ende.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"