EKSKLUZIVE/ Te Elbasani mendojnë edhe për skarcimet, ja dy të huajt që pritet të largohen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2024 | 9:10

EKSKLUZIVE/ Te Elbasani mendojnë edhe për skarcimet, ja dy të huajt që pritet të largohen

Elbasani aktualisht ndodhet në periudhë pushimesh, me lojtarët që janë lënë të lirë fill pas mbylljes së kampionatit.

elbasani

Gjasat janë që përgatitjet të nisin në mesin e qershorit, por ende pa një datë të saktë. Mirëpo, e njëjta gjë s’mund të thuhet për klubin dhe drejtuesit, të cilët janë në një fazë intensive. Thuhet kështu, pasi ata janë duke piketuar lojtarët që do të afrojnë në merkato, teksa të gjitha “kartat” janë hapur në tryezë dhe një mori emrash po kalohen në “sitë”.

Burime të “Panorama Sport” pranë klubit blu pohojnë se nuk kanë ndërmend të nxitohen në këtë situatë për të firmosur me lojtarët që kanë kontaktuar, pasi s’janë më në kushtet e sezoneve të kaluara, ku ishte e vështirë të bindje futbollistët e elitës të bashkoheshin në Kategorinë e Parë. Fakti që tani janë pjesë e elitës dhe me buxhet të shëndoshë, i ka vënë ata në pozita komode për merkaton.

TREGU I HUAJ Ndonëse emrat e parë që kanë dalë në qarkullim janë lojtarë shqiptarë, në klub theksojnë se një opsion për përforcime është edhe tregu i huaj, kryesisht ai rajonal, pasi nuk e kanë të vështirë përshtatjen me futbollin shqiptar. Gjatë vitit që lamë pas, verdheblutë kanë pasur në skuadër plot pesë të huaj, tre brazilianë (Melo, Salomao, Fernandesh), një sllovak (Ivan) dhe një nigerian (Bobi). Thuajse të gjithë kanë pasur mundësitë e tyre për të dhënë kontributin në fushën e lojës, por jo të gjithë kanë bindur. Ivan dhe Bobi, u afruan me pritshmëri të mëdha në skuadër, por nuk dhanë atë që kërkohej, pasi për fat të keq vuajtën edhe nga dëmtimet që i privuan sezonin.

Sipas të gjitha gjasave, kjo dyshe mund të mos jetë më pjesë e verdhebluve për sezonin e ardhshëm, pasi afrimi i të huajve të tjerë, do të sjellë edhe largimin e atyre aktualëve. Në këtë listë, është pikërisht kjo dyshe që mund të dalë jashtë planeve, duke parë edhe sezonin jo të mirë që kanë zhvilluar në Kategorinë e Parë. Megjithatë, ashtu siç aktualisht ndodhen në tryezë emrat e atyre që mund të afrohen, në kahun tjetër janë hapur “kartat” edhe për ata që do të largohen. Mund të thuhet se sezoni i kaluar ka shërbyer edhe si një test për disa lojtarë që kanë qenë në mëdyshje për vazhdimin me skuadrën edhe më Superiore.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"