EKSKLUZIVE/ “Të kuqtë e kalojnë turin”, ish-kapiteni Trashi: Prisja një thirrje nga Partizani, ja pse po vuan ekipi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2024 | 23:03

EKSKLUZIVE/ “Të kuqtë e kalojnë turin”, ish-kapiteni Trashi: Prisja një thirrje nga Partizani, ja pse po vuan ekipi (E PLOTË)

Lorenc Trashi duket pranë rikthimit në futbollin shqiptar. Ish-kapiteni i Partizanit, në një intervistë për “Panorama Sport”, flet për të ardhmen e tij dhe ecurinë e “demave” në Europë.

trashi

Mbrojtësi shprehet se e priste një telefonatë për rikthimin te Partizani, teksa në krahun e majtë në këtë verë klubi vendosi të afrojë Vangjel Zguron. Mbrojtësi tregon defektet e të kuqve në duelet me Marsaslok, teksa duket i bindur se Partizani do të kalojë në raundin e dytë.

Para disa javësh e mbyllët me Ballkanin. Si ju është dukur ajo eksperiencë?

Ka qenë një eksperiencë tejet pozitive. Çdo gjë ka shkuar perfekt, ashtu siç do të donte çdo lojtar tjetër, duke fituar gjithçka dhe duke arritur të luajmë të grupet e një kompeticioni si Liga e Konferencës.

Flitet shumë për të ardhmen tuaj, teksa një mundësi është largimi jashtë vendit. Çfarë do të ndodhë?

Të të them të drejtën për momentin nuk kam asnjë marrëveshje të mbyllur si për jashtë vendit, ashtu edhe në Shqipëri. Jam ende në pritje të ofertës më të mirë për të bashkëpunuar. Më ngelet vetëm të pres, futbolli i tillë është.

Mendoni se një ditë do ta vishni sërish fanellën e Partizanit?

Për të qenë i sinqertë e kam dashur shumë rikthimin atje dhe e prita një kontakt nga drejtuesit e Partizanit. Dëshira është të kthehem në Shqipëri për arsye familjare dhe për të qenë sa më pranë prindërve. Ama ndonjëherë nuk mjafton vetëm dëshira që ne kemi…

Mendoni se një ditë do ta vishni sërish fanellën e Partizanit?

Për të qenë i sinqertë e kam dashur shumë rikthimin atje dhe e prita një kontakt nga drejtuesit e Partizanit. Dëshira është të kthehem në Shqipëri për arsye familjare dhe për të qenë sa më pranë prindërve. Ama ndonjëherë nuk mjafton vetëm dëshira që ne kemi…

Partizani barazoi me Marsaslok në Elbasan. Çfarë i mungoi ekipit të kuq në atë ndeshje?

Unë isha prezent në stadium dhe e pashë ndeshjen me mjaft vëmendje. Ekipi mu duk pak i ngarkuar fizikisht dhe e kuptoj, sepse temperaturat e larta bëjnë të vetën. Por kam besim se Partizani do të arrijë të kualifikohet, duke parë nivelin e kundërshtarit, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së parë. Skuadra e kuqe ka shumë kualitet për ta fituar ndeshjen e dytë.

Nesër luajnë ndeshjen e kthimit. Mendoni se do të bëjnë një paraqitje krejt ndryshe?

Atje normalisht që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, por mendoj se në fund Partizani do të marrë fitoren e kualifikimit. Problemin e shoh te një ulje e ritmit kur janë me topin në kontroll. Janë pak më të ngadaltë në zbritjet e tyre, por këtë siç e thashë mund t;ia faturoj temperaturave shumë të larta në të cilat luhet ndeshja.

Sa larg e shihni Partizanin në këto ndeshje të Ligës së Konferencës?

Nëse kalon këtë duel me Marsaslok do të përballen me një ekip më të fortë si Saburtalo. Por asnjëherë futbollit nuk i dihet dhe duhet edhe fati. Unë uroj të shkojnë sa më larg!

Si një talent i dalë nga akademia, njëjtë si ju, a mund të bëhet Buxhelaj pasardhësi juaj te Partizani?

Mendoj se Buxhelaj e ka merituar të luajë. Më pëlqen shumë mënyra sesi del në krah. Duhet të punojë më shumë në fazën mbrojtëse. Në radhë të parë duhet të mbrosh mirë dhe më pas të mendosh për sulmin. Por me bindje të plotë them se mund të bëjë një karrierë si timen te Partizani. Është lojtar me perspektive dhe po ecën në rrugën e duhur.

Ai e di edhe vetë, sepse e kam takuar dhe kemi folur edhe personalisht. Ai e di mirë se ku duhet të përmirësohet. Pastaj në krahun e djathtë Partizani ka një lojtar si Hadroj, aftësitë e të cilit dihen dhe për mua është mbrojtësi më i mirë në Shqipëri në rolin e tij.

Si ju është dukur niveli i Marsaslok në krahasim me Partizanin?

Futbolli shqiptar është rritur shumë dhe nuk mund të krahasohemi me një atë të Maltës. Ne jemi më lart ën çdo aspekt. Gjithsesi, nuk duhet nënvlerësuar asnjë kundërshtar, pavarësisht se nga cili kampionat vjen.

A e shihni Ballkanin sërish në grupe? Po nga ekipet e tjera të Superiores çfarë prisni të arrijnë në Europë?

Ballkani falë edhe koeficientit të arritur përmes kualifikimeve të mëparshme, është sërish favorit për të mbërritur grupet e Ligës së Konferencës. Por duhet thënë se humbja e djeshme e ka vështirësuar rrugën. Skuadrat e tjera si Vllaznia dhe Tirana nuk kam arritur t’i ndjek për shkak të impenjimeve të mia, por i uroj shumë suksese në këtë rrugëtim, ku përfaqësojnë gjithë Shqipërinë. Kampionati shqiptar merr më shumë vlera me paraqitjet pozitive të tyre.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"