EKSKLUZIVE/ Tedi Carën e duan në Austri, Partizani pret ofertën zyrtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 6, 2024 | 22:23

EKSKLUZIVE/ Tedi Carën e duan në Austri, Partizani pret ofertën zyrtare

Partizani s’doli dot kampion, por kjo duket se nuk i ka frenuar aspak klubet më të pasura nëpër Europë që të interesohen për disa nga lojtarët e spikatur të të kuqve. “Panorama Sport” mëson se së fundmi interes ka edhe për Tedi Carën.

CARA

Sulmuesi i majtë pëlqehet nga gjigantët e Austrisë së Vjenës. Klubi i Bundesligës ka nisur kontaktet e para dhe ka kërkuar informacion mbi situatën e Carës te Partizani. Këta të fundit janë të hapur për një shitje të mundshme. Tedi Cara ka kontratë edhe për sezonin e ardhshëm me Partizanin dhe rinovimi deri më tani nuk është diskutuar. Në këto kushte, klubi është i hapur për të dëgjuar ofertën e Austria Vjenës, që së shpejti pritet të trokasë me një propozim zyrtar. Kavajasi luan prej disa sezonesh në nivele të larta, teksa këtë edicion e mbylli me 12 gola të shënuar dhe 5 asiste në 44 ndeshje në Ligën e Kampioneve, Ligën e Konferencës dhe kompeticionet e organizuara nga FSHFja.

Cara është shënuesi më i mirë i dekadës për Partizanin, me 38 gola në 177 ndeshje të luajtura. 24- vjeçari është gjithashtu shënuesi më i mirë i historisë së klubit të kuq në kompeticionet europiane me 8 gola. Kavajasi është pjesë e Partizanit prej vitit 2020 dhe që nga atëherë ka arritur të ruajë një nivel konstant, duke qenë element kryesor i ekipit në këto vite, por me bindjen se mund të bëjë akoma më shumë për cilësitë dhe potencialin që mbart brenda tij. Vitin e shkuar Cara kishte oferta nga Turqia, teksa mbetet të shihet nëse ky transferim tek Austria Vjenë do të kryhet për t’u bërë aventura e parë jashtë Shqipërisë për të riun. Bëhet fjalë për një klub historik në Austri, që numëron 24 tituj kampion dhe 27 Kupa. Megjithatë, në dekadën e fundit Austria Vjenës i kanë munguar trofetë, teksa Partizani është i hapur për oferta mbi 350 mijë euro për Carën.

MERKATO NË HYRJE – Në ditët e fundit te Partizani po flitet më së shumti për largime sesa për afrime. Por kjo nuk do të thotë se nuk po punohet për merkaton në hyrje, pasi deri më tani kanë qarkulluar disa emra si Salami, Rivas, Marku, Salai dhe të tjerë. Duhet thënë se skuadra aktuale e Partizanit është mjaft e zgjeruar, por në pozicione të caktuara mungojnë alternativat, ndikuar edhe nga largimet e kryera deri më tani. Aktualisht, Skuka, Atanaskoski dhe Zekolli kanë lënë “demat”, teksa priten edhe dy apo tri shitje të lojtarëve kryesorë. Kështu, do të duhet të ndërhyhet në merkato në të tria repartet. Po kërkohet për një zëvendësues të Atanaskoskit, por edhe për një qendërmbrojtës, pas zërave për largimin e Sotës dhe dështimit me Mikuliç. Në mesfushë emrat janë të shumtë, por shanset e mëdha të shitjes së Rrapajt dhe Magetit i kanë vënë në lëvizje drejtuesit. Në sulm vëmendja është te krahët e sulmit, ku Shehi nuk ka alternativa dhe ndërhyrjet janë të detyrueshme. Në ditët në vijim nga skuadra pritet të ketë të tjera ndarje për të liruar financa të rëndësishme, që do të vihen në dispozicion të lojtarëve, që do të afrohen.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"