EKSKLUZIVE/ Tetova flet për situatën para Champions-it: Afrimet më kanë bindur, merkatos nuk i dihet asnjëherë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2024 | 8:45

EKSKLUZIVE/ Tetova flet për situatën para Champions-it: Afrimet më kanë bindur, merkatos nuk i dihet asnjëherë

Rrogozhinasit mbyllin sot fazën përgatitore sllovene. Kampionët e Shqipërisë janë të përqendruar te puna për sfidat e Champions-it me boshnjakët e Borac, ndërkohë që ka pasur lëvizje në hyrje dhe në dalje. Fernando është larguar, ndërsa Montenegro mbetet një çështje tek Egnatia.
TETOVA

TETOVA – Në një komunikim për “Panorama Sport”, trajneri Edlir Tetova është shprehur se është i kënaqur me 4 afrimet e bëra në këtë merkato verore dhe se Egnatia është gati për të zhvilluar një sezon tjetër pozitiv.

“Jam i lumtur me ecurinë e skuadrës në fazën përgatitore këtu në Slloveni. Falë kushteve të favorshme klimaterike dhe dëshirës së presidentit për të na ofruar çdo që na duhet, mendoj se i kemi marrë maksimumin vetes. Futbollistët fatmirësisht gëzojnë një formë të mirë fizike dhe më pëlqen fakti se mundohen të marrin maksimumin në këto përgatitje. Kemi zhvilluar tri ndeshje miqësore, ku përtej rezultateve më ka pëlqyer fakti që lojtarët e mi kanë kryer me përpikëri detyrat në fushën e lojës. Për mua faza përgatitore është shumë e rëndësishme, pasi kjo është “mushkëria” që do të mbajë të gjithë sezonin. Kemi një ndeshje të rëndësishme përpara në Ligën e Kampionëve kundër Borac dhe do të mundohemi të kualifikohemi. Jemi të vetëdijshëm që na pret një sfidë e vështirë, pasi me sa kam parë kampionët boshnjakë janë një ekip me kualitet.

Nuk i druhemi kurrsesi kundërshtarit dhe do të futemi në fushë për të marrë një rezultat pozitiv në transfertë. Merkato? Jam i kënaqur me lojtarët e ofruar, si dhe me paraqitjet e tyre këto ditë këtu në slloveni. Ne kishin kohë që i ndiqnim ndaj pritshmëritë i kemi të mëdha për secilin prej tyre. Lushkja, Bakajoko dhe Kasa kanë gjetur golin dhe luajtur mjaft mirë, ndërkohë që i kënaqur jam edhe me rendimentin e mbrojtësit Alijev. Duke iu referuar kontigjentit që Egnatia ka aktualisht besoj se jemi të plotë për të përballuar sezonin e ri, ku do kemi detyrën e vështirë për të mbrojtur titullin e fituar këtë vit. Merkatoja është e gjatë dhe nuk mund të themi që është e mbyllur, pasi nuk e dimë se çfarë mund të na rezervojë në vazhdim”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"