EKSKLUZIVE/ “Tifozët shqiptarë kanë treguar nivel të lartë për kulturën tonë”, Qazim Laçi: Kroacia peng, Europiani si çelës për ne (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2024 | 21:52

EKSKLUZIVE/ “Tifozët shqiptarë kanë treguar nivel të lartë për kulturën tonë”, Qazim Laçi: Kroacia peng, Europiani si çelës për ne (E PLOTË)

Lojtar stoli në eliminatore, ndërsa në Europianin e Gjermanisë Qazim Laçi luajti në të tria ndeshjet, me Kroacinë dhe Spanjën si titullar.teruMesfushori që karakterizohet nga grinta, shpirti luftarak dhe kilometrat që bën, la gjurmë ndaj kroatëve, duke shënuar edhe golin e parë. Pas ndeshjes me Spanjën, ku Shqipëria humbi 1-0 dhe u eliminua Laçi ka folur për “Panorama Sport” në lidhje me këtë eksperiencë kaq të veçantë në karrierën e tij. Ndër të tjera, dibrani që u shpall kampion në Çeki me Spartën thotë se pengu mbetet ndeshja me Kroacinë, që sipas tij duhej fituar.

Kombëtarja përfundoi rrugëtimin në Europian, çfarë note i vendos Qazim Laçi paraqitjes së Shqipërisë në këtë kompeticion?

Nuk mund t’i vendos një notë, sepse që kur u hodh shorti, të gjithë e dinim forcën e kundërshtarëve në grup, që ishin shumë të vështirë për ne. Ndeshjen e parë nuk e filluam mirë, por prapë kemi luftuar në të gjitha ndeshjet ashtu siç dihet. Kokën lart, pavarësisht se rezultatet me atë që kemi bërë në lojë nuk janë njësoj. Kështu është futbolli dhe këto ekipe që kemi luajtur deri tani të mos harrojmë se janë në nivel të lartë. Çunat kanë dhënë maksimumin. Kemi luftuar për njëri- tjetrin. Kemi bërë futboll të mirë, pavarësisht rezultateve.

Në emër janë ekipe të mëdha, ndërsa në fushë ne i pamë diferencat. Mos ndoshta ka ardhur koha që të mos kënaqemi me pak?

Besoj së po. Sepse ne e kemi treguar brenda në fushë. Tashmë ekipi është mirë dhe do të mësojmë nga këto humbje. Këto kompeticione janë për ne, për një Kombëtare që e ka herën e dytë që merr pjesë. Nga këto humbje do të nisim të përgatitemi për Ligën e Kombeve dhe eliminatoret e Botërorit. Europiani është ai çelësi që do të na hapë një mundësi më shume për të ngritur Kombëtaren dhe nivelin e saj.

Nga të tria ndeshjet, çfarë ju ka mbetur peng ju apo dhe ekipit, çfarë mund të kishim menaxhuar më mirë?

Patjetër që është ndeshja me Kroacinë, sidomos në pjesën e parë. Na ka mbetur pak në mendje, sepse kishim shumë raste për të shënuar. Nuk e arritëm dot, por u kënaqëm edhe për pikën e marrë në fund të ndeshjes, pasi siç shkoi loja, ajo pikë ishte shumë e rëndësishme. Tifozët shqiptarë kanë treguar këtë Europian një nivel të lartë për kulturën tonë, ku shumë njerëz nga shtete të ndryshme kanë thënë se kultura e shqiptarëve ka qenë speciale.

Festimi juaj pas golit me Kroacinë është gjithandej, madje i publikuar edhe nga UEFA, por edhe faqe të famshme futbolli. Si është puna me këtë festim?

E veçanta është momenti që shijon. Kujtoj tani kur isha fëmijë dhe e shikoja nga televizori ekipin kombëtar në 2016-ën në Francë. Tashmë jam pjesë e tij dhe pata shansin që të lë gjurmë duke shënuar. Ato emocione që kanë dalë në atë moment janë të papërshkrueshme, të paharrueshme. Ishte një mrekulli.

Tifozët e kanë ndjekur Kombëtaren bindshëm në të tria ndeshjet, çfarë do t’ju thoshit tani pas Europianit?

Janë shumë pak fjalët. Na vjen keq që nuk kemi arritur atë që kishim dëshirë. Nuk duhet të dorëzohemi, si ne edhe ata, të na mbështesin edhe më shumë. Tifozët shqiptarë kanë treguar këtë Europian një nivel të lartë për kulturën tonë, ku shumë njerëz nga shtete të ndryshme kanë thënë se kultura e shqiptarëve ka qenë speciale.

Si me italianët, kroatët apo spanjollët kanë shkuar shumë mirë. I falënderoj shumë nga zemra për gjithë ato kilometra që kanë bërë dhe i presim në ndeshjet e radhës dhe shpresojmë të kemi sukses në Ligën e Kombeve dhe eliminatoret e Botërorit.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"