EKSKLUZIVE/ Trajneri Shehi shkund Partizanin: Gabuam te goli, por ia dalim në Maltë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2024 | 16:44

EKSKLUZIVE/ Trajneri Shehi shkund Partizanin: Gabuam te goli, por ia dalim në Maltë (E PLOTË)

Orges Shehi pranon vështirësitë, që skuadra e tij hasi me një kundërshtar që u tërhoq mbrapa dhe me të kuqtë, që provuan deri në fund të dilnim me një fitore, por nuk shkuan më shumë se një barazim.

shehi

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, tekniku i Partizanit është i bindur se marrin kualifikimin në Maltë, ndërsa është herët për të menduar ndryshimet që mund të bëjë për sfidën e kthimit. Shehi pranon problemet me disa prej lojtarëve, për shkak se janë bashkuar vonë me ekipin, por nuk kërkon aspak alibi, në një kohë kur jep vlerësimet e tij edhe për kundërshtarin.

Shehi, morët një barazim në ndeshjen e parë, ku çaloi skuadra?

Është ndeshja e parë e sezonit dhe skuadra me djemtë bënë maksimumin. E nisëm mirë me një gol të shënuar shumë shpejt. Mund të ishim vendosur ose të pozicionoheshim më mirë, pasi kishim njerëz tek linja e dytë që nuk duhet të lejonim topat e kthyer dhe të godiste lojtari kundërshtar. Patjetër më pas, kur skuadra pëson, kërkon me ngulm golin e fitores. Kishim rastet tona, nuk arritëm t’i shfrytëzojmë, sidomos pjesën e parë.

Pse ra ritmi dhe rreziku nga ana juaj në të dytën?

Në të dytën kundërshtari u mbyll në zonë dhe kur ndodh kjo, atëherë do të kërkosh presingun nga linja e dytë, duke gjetur lojtarët tanë shtatlartë. Futëm edhe Mehmetin, që shkonte si sulmues i dytë dhe Bintsukën, duke mbajtur gjerësinë me Zguron dhe Zekën, dy lojtarë që krosojnë mirë. E filluam mirë me krosimet, por mund ta kishim gjetur edhe më mirë dhe të mos kishim gabuar. Kur kundërshtari është i vendosur shumë thellë në mbrojtje, nuk duhet të vepronim mes linjave, por me goditje nga distanca, presingu nga linja e dytë ose lëvizje prerëse për të hapur zonën në thellësi.

Si ishte niveli i kundërshtarit, ndoshta më i mirë seç e prisnit?

Unë asnjëherë nuk kam qenë dakord me këtë etiketimin e skuadrave kundërshtare. Çdo skuadër luan futboll, edhe pse për kundërshtarin shumë mund të thonë se është modest, ka në gjirin e vet lojtarë që luajnë futboll. E dija që do të ishte e vështirë dhe jo siç pretendohet që në letër çdo gjë është e lehtë.

Sa ju kanë penalizuar vonesat e disa lojtarëve, edhe të atyre që janë afruar së fundmi?

Ne jemi të vetëdijshëm që Bintsuka nuk ka gjendjen e vet maksimale, pasi është afruar në fund të fazës, më 4 korrik ka ardhur në gjirin e skuadrës. Zguro ka ardhur tani, Zeka nga fundi i qershorit dhe e dimë që nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë.

Po largimet e Atanaskoskit dhe Sotës, sa ju kanë ndikuar dhe a janë zëvendësuar si duhet?

Tashmë u kthye Bytyçi nga dëmtimi, kemi marrë edhe Zguron. Çdo lojtar ka peshën e vet në skuadër, ndaj nuk do gjejmë alibi dhe të ‘qajmë’ për largimet. Edhe ato që janë në këto pozicione besoj se bënë më të mirën, si Buxhelaj dhe Bytyçi.

Çfarë do të ndryshoni për ndeshjen tjetër në Maltë, apo është herët për të menduar?

Është shumë shpejt. Do të shohim gjatë javës se ku bëmë mirë apo keq. Isha që në fillim i mendimit që ky duel nuk do të mbaronte këtu, edhe pse shumë vetë mund të mendojnë për goleadë. Është një kualifikim që ka dy ndeshje dhe ne do të kërkojmë atje maksimumin për të kaluar turin.

Sa besim keni te kualifikimi?

Patjetër që jam i bindur. Kemi dalë në barazim në shtëpi dhe dihet që nuk ka gol fushe, ndeshja do të jetë e hapur, e njëjtë si të kishim dalë 0-0 apo fituar 2-1. Unë kam besim se skuadra do të bëjë mirë dhe kalojë këtë tur.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"