EKSKLUZIVE/ “Tre presidentë po i bëjnë gjërat mirë në Superiore”, analiza e Jani Kaçit: Ja çfarë e dëmtoi Kombëtaren shqiptare (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2024 | 22:06

EKSKLUZIVE/ “Tre presidentë po i bëjnë gjërat mirë në Superiore”, analiza e Jani Kaçit: Ja çfarë e dëmtoi Kombëtaren shqiptare (E PLOTË)

Jani Kaçi ka për të gjithë. Specialisti i njohur korçar i futbollit ka bërë së fundi një analizë për “Panorama Sport”, ku prek me radhë të gjitha temat që kanë të bëjnë me futbollin shqiptar, duke nisur nga Kombëtarja, përfaqësimi i skuadrave tona në Europë, niveli i kampionatit të ardhshëm dhe sigurisht Skënderbeu. Kaçi thekson se kampionati i ardhshëm nuk do të ketë nivel për disa arsye.

jani kaci

EUROPIANI DHE KOMBËTARJA – “Finalet e Europianit na treguan se futbolli është zhvilluar gjeografikisht me të gjithë përbërësit teknikë, taktikë dhe fizikë. Lojtarë me përvojë, por edhe shumë lojtarë të rinj bënë diferencë në të gjitha ekipet gjatë Europianit. Ndeshjet i kam ndjekur në stacione të huaja, me komente të specialistëve të vërtetë të futbollit, të cilët analizonin profesionalisht skuadrat dhe individët për sot dhe të ardhmen.

Fatkeqësi që në ekranet shqiptare shumë pak specialistë futbolli ishin të angazhuar dhe shumë shakaxhinj dhe paradë veshjesh shihje! Mirë vajzat, por edhe meshkujt me veshje pink më kujtuan stilin e viteve ’70, me pantallona të ngushta. Publiku, por edhe ata që merren me futbollin, përfitojnë nga mendimi i specialistit”, e nis analizën e tij ikona e futbollit korçar, Jani Kaçi.

Më pas ai komenton Kombëtaren: “Euforitë e shprehura dëmtuan në një farë mase Kombëtaren shqiptare dhe individë të veçantë, duke kaluar nga ekstremi në ekstrem”.

KUPAT E EUROPËS – “Me ndjenja euforie hynë edhe klubet shqiptare në takimet europiane dhe nuk treguan asgjë me kundërshtarë të dobët, duke përjashtuar Partizanin”, shton ish-portieri.

KAMPIONATI YNË – Si ndikon ky fenomen në futbollin shqiptar? Sipas Kaçit, gjithçka ka një lidhje logjike: “Trashëgohet ky fenomen nga kampionati shqiptar, ku të gjithë ekipet duan titullin kampion pa u bazuar në elementët bazë të ndërtuar dhe studiuar nga stafe profesioniste. Një përvojë të mirë e ka krijuar FSHF-ja dhe sot nuk ka rezultate spontane. Puna me strategji ka jetë të gjatë në karrierë. Nuk duhet të kesh, por të dish. Këtë më së miri po e bëjnë Takaj te Skënderbeu, Demi te Partizani dhe Hasanbelliu te Teuta. Kanë fituar eksperiencë, flasin pak dhe bëjnë shumë”.

SEZONI I RI – “Pritshmëritë për sezonin e ri? Kampionati i radhës nuk më rezulton të ketë nivel për disa arsye: lëvizje të lojtarëve nga një klub te tjetri dhe mungesa e stërvitshmërisë individuale dhe kolektive me ngarkesa të larta fizike. Kampionati është i gjatë dhe nuk ka shans që futbollistët ta përballojnë, nëse vijojnë me këtë metodë pune. Më së miri e vërteton kampionati pa shikues dhe askush nuk bëhet pjesë e përfaqësueses. Shembujt pozitivë duhen promovuar nga specialistë vërtet të spikatur në të gjitha drejtimet, jo nga aktorë të shouve televizivë, ku suksesi vjen nga qeni dhe macja” shprehet legjenda e Kombëtares.

SKËNDERBEU – “Për paraqitjen e Skënderbeut mund të them me bindje se kontingjenti është i plotë, me ndonjë lëvizje të mundshme që pritet në vijim. Bëhet përgatitje serioze nga stafi i drejtuar nga Gvozdenoviç, por duhet të punojnë më fort dhe të ruhen nga euforia. Të mos jetojnë me atë që bënë sezonin e kaluar.

Kundërshtarët duhet t’i marrin më seriozisht dhe duhet më tepër impenjim. Është një skuadër me lojtarë të mirë. Janë ata që kanë vazhdimësi në rritje dhe pritet më shumë nga ta. Në fillim të ndeshjes me Vorën tregoi shenja nënvlerësimi, por shpejt ndryshoi situata. Lojtarët treguan që kanë bërë përgatitje serioze dhe atë kanë për ta demonstruar edhe në kampionat. Baza e ekipit është solide, por edhe afrimet janë të goditura”, përfundoi analizën e tij ish-portieri i shquar, Jani Kaçi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"