EKSKLUZIVE/ Vjen pas disa vitesh në ligat franceze, Elbasani firmos me një senegalez për mbrojtjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2024 | 9:13

EKSKLUZIVE/ Vjen pas disa vitesh në ligat franceze, Elbasani firmos me një senegalez për mbrojtjen

Elbasani bën goditjen e radhës në merkato. Verdheblutë afrojnë një qendërmbrojtës nga kampionati francez.

bc m

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se elbasanasit kanë arritur marrëveshjen me Klidis da Silvën, 25-vjeçarin nga Senegali me pasaportë franceze, i cili militon prej disa vitesh në kampionatin transalpin dhe kjo do të jetë aventura e tij e parë jashtë Francës. Bëhet fjalë për një futbollist që luan në qendër të mbrojtjes, por që në varësi të nevojave të skuadrës mund të bëjë edhe mesfushorin difensiv.

Ai vjen nga skuadra e Vilefrançe, ku ka qenë pjesë e saj për dy sezonet e fundit, ndërsa më herët ka luajtur me skuadra të tjera në ligat më inferiore. Karakteristikat e para të këtij futbollisti duken të mira, 183 cm i gjatë dhe me një përdorim të mirë të topit, çka ka bërë që drejtuesit verdheblu të mos ngurojnë dhe ta afrojnë në skuadër. Mësohet se senegalezi nuk ka mbërritur ende në Shqipëri, por sipas të gjitha gjasave brenda javës do të jetë në Elbasan dhe në seancën e parë stërvitore do të vihet nën urdhrat e Nevil Dedes. Aktualisht vlera e tij në treg është 300 mijë euro dhe mbetet për t’u parë aventura e tij me Elbasanin në nivelin më të lartë të futbollt shqiptar.

“BLINDOHET” PRAPAVIJA Afrimet e para të verdhebluve kanë qenë pikërisht në repartin që sezonin e kaluar ishte “thembra e Akilit”, ai i mbrojtjes. Me Bruno Lulajn dhe Da Silvën në qendër të prapavijës, mund të thuhet se sigurohet përfundimisht edhe ky sektor, pasi shihen si dy lojtarët që do të jenë edhe titullarët e këtij reparti. Nga ana tjetër, pritet që shumë shpejt të mbyllet marrëveshja edhe me Emiljano Mustën, duke kompletuar kështu edhe tre afrimet e para. Më herët, verdheblutë kanë arritur marrëveshjen edhe me një mesfushor difensiv, si lojtari i kombëtares Moldave, Kristian Dros. Sakaq, për aq kohë sa merkatoja është e hapur, mund të ketë të tjera afrime në mbrojtje, edhe pse për momentin duket sikur skuadra është kompletuar në këtë repart.

SULMI Ajo që i mungon për momentin skuadrës është gjetja e një sulmuesi race, që të garantojë golat në sezon. Nuk është asnjëherë e lehtë të gjesh një goleador, pasi disa mund të jenë me kontrata, ndërsa mungesa e tyre në treg është thuajse në çdo sesion merkatoje. Edhe në këtë aspekt, janë duke u parë pistat e huaja si mundësia më e mirë për të afruar sulmues, edhe pse nuk përjashtohet mundësia për lojtarë nga kampionati shqiptar.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"