EKSKLUZIVE/ “Vuajtëm prej diarresë”, trajneri i Kombëtares së Basketbollit tregon pse Shqipëria e mbylli e fundit në grup (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 16:15

EKSKLUZIVE/ “Vuajtëm prej diarresë”, trajneri i Kombëtares së Basketbollit tregon pse Shqipëria e mbylli e fundit në grup (E PLOTË)

Shqipëria U-20 e vajzave mbylli disa ditë më parë konkurrimin e saj në Divizionin B të Kampionatit Europian të basketbollit, event i FIBA-s që u mbajt në Sofje.

Trajneri Klarent Dedaj gjatë një diskutimi me arbitrin në Europianin U-20 të vajzave

Trajneri Klarent Dedaj gjatë një diskutimi me arbitrin në Europianin U-20 të vajzave

Kombëtarja kuqezi nuk arriti të linte gjurmë, duke i humbur të gjitha takimet, për t’u klasifikuar e fundit në këtë kategori, e cila duhet theksuar se është shumë e vështirë për nivelin e Shqipërisë. Por Kombëtarja jonë ka patur edhe telashe ekstra gjatë qëndrimit në Sofje, të cilat i zbulon trajneri Klarent Dedaj në një intervistë për “Panorama Sport”.

Teksa bën analizën e aktivitetit, Dedaj thekson se shumica e vajzave të Kombëtares kanë pasur probleme shëndetësore, të cilat kanë ndikuar edhe në rendimentin në paket. Divizioni B në Sofje u godit nga një intoksikim në masë. Simptoma të forta, të vjella dhe diarre masive për 79 persona mes lojtareve dhe stafeve, ndërsa probleme ka pasur edhe vetë trajneri Dedaj, i cili në kushte të tilla duhej ta drejtonte ekipin “mes pankinës dhe tualetit”. Megjithatë, ndonëse në një situatë aspak të lehtë, Kombëtarja shqiptare e vazhdoi deri në fund garën, madje shumë prej vajzave kuqezi spikatën me statistikat individuale.

Dedaj, si do ta komentoni paraqitjen në Europian? Një kompeticion ku nuk arritët të merrnit asnjë fitore…
Mund të them se sivjet ishte pothuajse e pamundur në çdo drejtim për të pasur mundësi për fitore. Kompeticioni i vendeve të vogla në Kosovë bëri që disa ekipe të nivelit tonë të mos ishin pjesëmarrës me U-20 këtë vit, duke na vënë përballë Europës së ekipeve shumë më të forta e më të mira sesa ne që në shtatlartësi dhe në nivel. Gjithsesi ne dhamë maksimumin dhe kemi bërë paraqitje mjaft të mira, duke nxjerrë lojtaret tona më të mira në statistikat e FIBA-s. Anisa Bokrina me 74 pikë në total apo e 12-ta në renditjen e pikëshënueseve si edhe e 17-ta për mastarë pikësh 12.3 pike për ndeshje. Apo Brikena Muçenji me 58 pikë, me mesatare 9.2 për ndeshje, plus edhe për numrin e 3-pikëshave në një ndeshje Anisa Bokrina ka dalë e para. Po kështu mund të themi në përqindjen e realizimit te gjuajtjeve nga distanca me në krye të listës Anisa Musajën, apo për asistime me Dea Salin, si dhe për përqindjen e realizimit te gjuajtjeve të lira me Sajda Danajn, apo në eficencën e ndeshjeve me kapitenen Livia Gjata. Pra, nuk fituam por kemi bërë paraqitje mjaft dinjizoze, duke dhënë maksimumin e mundësive të vajzave tona dhe më të mirën e mundshme nga kampionati ynë.

 Sa e vështirë është për kombëtaret tona që të jenë konkurruese në këto nivele? Çfarë na mungon?
Kampionati i vajzave te ne ka ardhur në një pikë fundore. E para ne nuk kemi sezon U-20 në Shqipëri, plus që edhe ekipet e të rriturave janë në një limit të ulët, vetëm 8 gjithsej sezonin e kaluar. Duke futur këtu edhe ndjenjën e fortë të kampionatizmit, që ka bërë që loja të bazohet fuqishëm te lojtaret e huaja, duke lënë paksa në hije talentet tona. Kjo ka bërë që vajzat të kenë shumë pak minuta dhe vështirësi të mëdha në rritjen e tyre, ose ka patur edhe largime jo të pakta nga sporti. Siç thashë, i mëshohet më shumë garës për titull sesa rritjes së nivelit të vajzave vendore. Duke mos pasur një garë apo një sezon U-20 e kanë shumë të vështirë në çdo drejtim. Një arsye tjetër këtë vit ishte edhe shtatlartësia, që për ne ishte problem. Nuk kishim një pozicion 5 të mirëfilltë, aq më tepër ishim ekipi më i “vogël” në gjatësi krahasuar me të gjithë. Edhe në kërkimet tona për lojtare jashtë vendit nuk patëm rezultat në këtë drejtim. Pra sivjet ishim një skuadër gati 100% nga kampionati ynë.

Ndërkohë, për të festuar duhet të luajmë në nivelin e fundit, në Divizionin C…
Nuk do e shihja në këtë formë. Ne ndodhemi me shumicën e moshave pra me U-16 vajza djem dhe U-18 vajza djem në C për shumë arsye. Kemi vite që tentojmë dhe për gjëra fare të vogla apo për mungesë fati siç ishte rasti i U-18 vajza vjet, që për një pasazh 3 minuta nuk ia dolën të ngjiteshin në B. Po kështu pas fitimit të Divizionit C në vitin 2022 me U-18 djem, por që sërish për gjëra të vogla nuk ia dolëm të mbijetonim në B. Për vajzat mund të them se U-20 sivjet ka bërë vetëm 26 pikë më pak sesa në 2022-shin. Mos harrojmë në “Shkup 2022′ kemi marre 2 fitore me Armeninë dhe Gjeorgjinë, ekipe që këtë vit mungonin.

Gjithashtu, patët edhe një problem serioz me intoksikimin në Sofje. Mund të na tregoni diçka më tepër dhe sa ndikoi kjo gjë në parket?
Sigurisht, një tjetër aspekt që nuk na mundësoi që të përpiqeshim për të marrë të paktën një fitore, ishte edhe situata e intoksikimit që ndodhi ne Sofje. Ekipi ynë u prek me 5 lojtare të deklaruara të sëmura dhe te prekura nga helmimi prej ushqimi atje, por në idenë time 5 patën simptoma të forta e të dukshme diarreje dhe të vjella, por kam idenë të gjitha u preken, pasi pati një rënie të theksuar fizike pas kësaj situate, që u demonstrua edhe në ndeshjet e fundit mjaft dukshëm.

Menduat që në të tilla kushte të tërhiqeshit nga Europiani?
Ne vendosëm të mos e braktisnim kompeticionin dhe i luajtëm të gjitha ndeshjet, duke pranuar kërkesën e FIBA-s për të bërë maksimumin për përfundimin normal të eventit. Dua të përfitoj për të shprehur një falënderim për doktoreshën e skuadrës, Emi Skuqi, por edhe koleget e saj, mjeket e Greqisë, Sllovakisë, si dhe doktorin e Kroacisë, që na u gjenden pranë në ato 72 orë jo të lehta. Gjithashtu, dua të falënderoj edhe drejtoreshën e garave në FSHB, Fabiola Përmetin, e cila na dha forcë të madhe e na u gjend gjatë gjithë kohës në atë periudhë. Si përfundim mund të them se kemi fituar më shumë sesa një apo dy ndeshje, pasi kemi një kontingjent vajzash që janë një shpresë e madhe për të ardhmen. Por gjithashtu uroj që shoqatat ta kuptojnë rëndësinë e vazhdimësisë së skuadrave të tyre, sidomos të vajzave përtej moshës 18 vjeç, pasi është shumë e domosdoshme në kushtet që jemi. Pa masivizim dhe punë të vazhdueshme gjithmonë do ta kemi të vështirë përballjen në nivele të larta dhe ndoshta do mbetemi me vajzat akoma e për shumë kohë “peng” në Divizionin C, ndërsa me U-20 në B do të gëzohemi në masë të limituar.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"