Eksod tek Apolonia në prag të sezonit të ri, mesfushori nigerian “var këpucët në gozhdë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2024 | 14:54

Eksod tek Apolonia në prag të sezonit të ri, mesfushori nigerian “var këpucët në gozhdë”

Eksod tek Apolonia. Shumë lojtarë nuk kanë rinovuar sërish kontratën. I pari që zyrtarizoi largimin pas përfundimit të kontratës 5-vjeçare, ishte mesfushori me tipare sulmuese Stefano Omeri. I dyti ishte portieri Romeo Harizaj, për të vijuar me mbrojtësin e djathtë Kevin Odongo dhe qendërsulmuesin Levis Shivaçin, të cilët u afruan në janar.

Orelesi-1edited

Nga ana tjetër, mesfushori nigerian, Nuredin Orelesi pritet të marrë një vendim befasues gjatë këtyre muajve të verës, teksa nuk do të jetë më pjesë e futbollit të luajtur. Ai do të “varë këpucët në gozhdë” pas 10 viteve kontribut të çmuar në futbollin shqiptar. Gazeta ka mësuar ekskluzivisht, se ish-mesfushori ka mbyllur aventurën me Apoloninë me dakordësinë e të dy palëve, ndërkohë që dhe kontrata i ka përfunduar, për të nisur një sfidë të re po me të njëjtin klub. Ka qenë vetë presidenti i Apolonisë, Koço Kokëdhima, i cili ka dashur të mbajë ende Orelesin në Fier, veçse këtë herë me një rol të ri dhe drejtues. Numri një i klubit fierak i ka sugjeruar fillimisht rolin e zëvendëstrajnerit, në rast qëndrimi përfundimtar të trajnerit Artan Mërgjyshi.

Megjithatë, ky nuk do të jetë opsioni i parë dhe i fundit për Orelesin, që ndoshta do të ketë mundësinë të drejtojë edhe një nga ekipet e moshave. 35-vjeçari ka pasur karrierë të pasur gjatë këtyre 10 viteve në futbollin shqiptar. Gjithçka nisi me kontributin për ekipin e Dinamos në sezonin 2010-2011, për të vijuar më pas me Skënderbeun në sezonet 2011-2012, 2012-2013 dhe 2013-2014, por edhe në sezonet 2015-2016 dhe 2016-2017, Vllazninë në sezonin 2017-2018, Kamzën në sezonin 2018-2019 dhe së fundmi me Apoloninë në sezonet 2022-2023 dhe 2023-2024. CV-ja e gjatë e mesfushorit Orelesi është edhe më e pasur se kaq, pasi nigerianit nuk i ka munguar edhe një aventurë 2-vjeçare në Ukrainë, ku ka luajtur për FC Metalurh Zaporizhya.

Ajo që i “ngroh” më shumë fierakët për momentin, dhe që nuk kanë ngut sa i përket merkatos në hyrje, lidhet me faktin se grupi bazë i lojtarëve që do të përballojë sezonin e ri 2024-2025 është i gatshëm nga edicioni i kaluar. Jo më kot, pjesa dërrmuese e lojtarëve titullarë të sezonit të kaluar kanë kontrata afatgjata dhe si rrjedhojë nuk mund të lëvizin lehtë. Ata i kanë shërbyer me përkushtim ekipit për vite me radhë, ndonëse nuk është arritur objektivi madhor. Por, sezonin e ri ata janë gati dhe shumë të harmonizuar për t’u ngjitur direkt në Superiore. Siç është bërë e ditur edhe më herët nga drejtuesit, më shumë sesa 70% e lojtarëve aktualë do të qëndrojnë, edhe për faktin se janë nën kontratë me klubin. Ndërkohë, në ditët në vijim do të ketë edhe ndonjë largim tjetër, sepse duhet t’ua lënë vendin afrimeve në merkaton e verës. Sakaq, do të afrohen edhe lojtarë nga moshat, të cilët do të shihen me prioritet nga drejtuesit.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"