Elbasani afron Alikajn, Agastrën e Shehajn. Peqini: Ky, sezoni për ngjitjen
Fati, mundësitë dhe dëshira e desh që Roland Peqini të rikthehet në qytetin e tij të lindjes, në Elbasan. Edhe pse doli nga akademia e këtij klubi, “shtegtoi” që në moshë të vogël dhe asnjëherë gjatë këtyre viteve nuk mbrojti ngjyrat e klubit elbasanas. Më në fund, mbrojtësi 25-vjeçar do të ketë mundësinë të luajë për verdheblutë, me shpresën që të japë kontributin e tij për ngjitjen e skuadrës në Superiore.
Në një prononcim për “Panorama Sport”, ish-futbollisti i Dinamos shprehet i lumtur për arritjen e marrëveshjes me Elbasanin. “Vetëm para dy ditësh kam firmosur edhe zyrtarisht me drejtuesit e klubit dhe mund të them se kam bërë edhe një zgjedhje zemre, pasi kam dalë si futbollist nga ky qytet, por asnjëherë nuk ka qenë mundësia për të mbrojtur këto ngjyra.
Dua të jap kontributin tim në realizimin e objektivave për ngjitjen e ekipit në Superiore. Duke parë afrimet që janë bërë, jam i bindur se ky do të jetë sezoni i duhur për ne dhe kam besim se edhe në shkallët e stadiumit nuk do të na mungojë përkrahja e tifozëve”, u shpreh mbrojtësi.
Alikaj
Ditën e sotme pritet të hedhë firmën në kontratë edhe mesfushori Enkel Alikaj, i cili u bashkua para dy ditësh me verdheblutë. Mësohet se palët kanë rënë dakord për gjithçka dhe ka mbetur vetëm zyrtarizimi, duke u konsideruar edhe “si qershia mbi tortë” për verdheblutë. Alikaj është afrimi i fundit nga vala e lojtarëve me eksperiencë që kanë ardhur këtë merkato vere, por sigurisht që nuk mund të konsiderohet si goditja e fundit e merkatos për verdheblutë.
Me klubin kanë filluar stërvitjen edhe Mustafa Agastra dhe Emiljano Shehaj, dy afrime të rëndësishme për të plotësuar kontingjentin e kësaj skuadre, që kthehet në pretendente për ngjitjen në Superiore.
VLADIMIR MEMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"