Elbasani “all-in” në merkato, përforcime nga porta në sulm se nuk synohet vetëm mbijetesa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2024 | 19:14

Elbasani “all-in” në merkato, përforcime nga porta në sulm se nuk synohet vetëm mbijetesa

Ngjitja një kategori më lart kërkon investime për të qenë konkurrues. Në Elbasan e kanë të qartë diçka të tillë, për më tepër që edhe pretendimet nuk i kanë të vogla që lidhen thjesht me qëndrimin.

elbasani 1

Për këtë arsye, fill pas mbylljes së kampionatit dhe ngjitjes në elitë si kampionë të së Parës, drejtuesit verdheblu kanë nisur edhe bisedat me takimet e para që lidhen me përforcimet e merkatos. Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar dhe gjasat janë që kështu të jetë për pak kohë, por emrat e parë kanë nisur të lakohen, ku sigurisht spikasin ato të ish lojtarëve kampionë si Dita, Trashi, Lulaj dhe Najdovski.

SYNIMET – Burime pranë kampit verdheblu pohojnë se në skuadër do të ketë ndërhyrje në të gjitha repartet, duke nisur nga porta dhe deri në sulm. Vërtet sezoni i kaluar në të Parën ishte me pak të meta në organikë, por në elitë është tjetër situatë dhe me kontigjentin e sezonit që lamë pas, verdheblutë do të ishin në nivelin e një skuadre që do të tentonte vetëm për të mbijetuar. Për këtë arsye, drejtuesit janë “all-in” në merkato, ku mësohet se kanë pasur takime me lojtarë të të gjitha roleve.

Duke nisur me portier, mbrojtës, mesfushorë dhe sulmues. Kjo gjë tregon se përforcimet e skuadrës pritet të ndodhin në të gjitha rolet, edhe pse për momentin nuk janë lakuar shumë emra. Burimet pohojnë se në vazhdim do të ketë emra surprizë të atyre që do të afrohen, në mënyrë që verdheblutë këtë sezon të kenë mundësinë të hyjnë të paktën si të barabartë me ekipet pretendente në Superiore.

VËZHGIM FINALES – Në finalen e titullit midis Egnatias dhe Partizanit, në stadium kanë qenë edhe drejtuesit më të lartë të klubit, presidenti, administratori, drejtori dhe trajneri, praktikisht e gjithë kupola që ka në dorë merkaton. Edhe pse në pamje të parë duket thjesht si një interesim për të ndjekur si spektator finalen, siç kanë bërë shumë kolegë të tyre të Superiores, në Elbasan aludohet se ka pasur diçka më shumë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"