Elbasani i rikthyer në Superiore rinovon me trajnerin, Nevil Dede: Ja çfarë pres

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2024 | 20:00

Elbasani i rikthyer në Superiore rinovon me trajnerin, Nevil Dede: Ja çfarë pres

Nevil Dede bën pre zantimin zyrtar si trajner i Elbasanit edhe në Superiore, duke vijuar kështu me projektin e nisur sezonin e kaluar. Në daljen e tij para mediave, tekniku kryeqytetas pohon se në elitë duan të luajnë futboll të bukur dhe marrin rezultatet për të kënaqur njerëzit dhe i afruar në stadium. Dede u tregua i kujdesshëm duke mos vendosur objektiva, por la të kuptohet qartë se me investimet që do të bëjë klubi në merkato synimet do të jenë madhore. Në fund, ai u shpreh i bindur se një ditë ky klub do ta fitojë sërish titullin kampion.

Dede

U ngjitët si kampion me Elbasanin, sa e vështirë apo e lehtë ishte të vazhdoje bashkëpunimin edhe në Superiore?

Mirënjohje dhe falënderim për presidentin, administratorin, drejtorin dhe mbi të gjitha për dy ndihmësit e mi, si Eriol Merxhën dhe Artan Skënderin. Besoj se të gjithë e keni parë, klubi bashkë me mua si trajner ka qenë gjithmonë konkret dhe dinamikën e ka pasur të madhe. Ka dashur gjithnjë të jetë fitues dhe u munduam të jemi të tillë në çdo ndeshje. Me pak ndeshje jo në performancën tonë më të madhe mendoj që u treguam të suksesshëm, ku besoj se gjithçka vjen nga drejtimi dhe më pas nga puna që ne bëjmë. E rëndësishme për ne është që të flasim pak edhe të punojmë shumë.

Si e pret apo përfytyron Elbasanin e Superiores këtë sezon?

Besoj se mbi të gjitha ne duhet të jemi konkretë. Në çfarë kuptimi, që të kënaqim njerëzit që të pretendojmë të mbushim shkallët. Nëse ne ndërtojmë baza të forta dhe një skuadër të denjë për Superiore, atëherë unë them që çdo gjë është në rrugën e duhur. Dy gjëra janë, të luajmë futboll bukur dhe të kënaqim njerëzit. Nëse e bëjmë këtë, atëherë besoj që do vijnë dhe rezultatet, sepse njerëzit kënaqen kur luan bukur dhe merr rezultatet. Po nuk luajte bukur është e vështirë që të kesh gjithnjë rezultate.

I keni evidentuar ku i keni problemet dhe ku do ndërhyni në merkato?

Përmirësimet gjithnjë janë evidente edhe në klube të mëdha dhe me histori shumë të madhe në futboll, jo vetëm shqiptar, por edhe botëror. Është një klub i ri që ecën shumë shpejt, ka zhvillime, por në fund fare këta njerëz janë korrektë dhe seriozë. Ne jemi pjesë e një qyteti që përcjell kulturë edhe dashamirësi dhe besoj se duke u përmirësuar nga viti në vit ne do arrijmë atje ku kemi qëllimin. Nuk mund të themi tani çfarë do të arrijmë pas 10 vitesh, por të paktën minimalisht të arrijmë ato që thashë pak më përpara.

Ku mendoni se duhet të ndërhyjë skuadra në merkato?

E mira nuk ka fund. Edhe unë si individ apo trajner dua të përmirësohem çdo ditë, me njerëzit e duhur, në ambientin e duhur dhe me dashurinë dhe harmoninë që përcillet. Kështu zhvillohemi të gjithë bashkë.

Ndonjë emër konkret në merkato?

Jemi në periudhë merkatoje dhe e dini që nëse do të piketojmë dikë ose do e bëjmë publike, atëherë edhe konkurrentët tanë në Superiore do të mendojnë pse të mos e marrim ne dhe të forcohet Elbasani. E tha edhe administratori me presidentin, ne duam të marrim më të mirët. Me emrat i bëjmë dëm vetes dhe bezdisim edhe lojtarët që ne duam të marrim.

Ndërhyrjet në merkato i sheh kapilare apo në funksion të grupit aktual që keni?

Qëllimi justifikon mjetin dhe ndërsa thuhet nga drejtuesit e mi që ne do të marrim më të mirët në Superiore, siç morëm vjet në Kategorinë e Parë, do të thotë që investimet dhe qëllimet janë shumë serioze dhe shumë konkrete.

Cili mendoni se do të jetë rivali më i fortë në Superiore?

Unë dua të kënaq tifozët e mi, drejtuesit e mi dhe të kënaqemi ne si skuadër. Më pas të shohim se kush do të jetë më i forti, por jemi shumë larg deri në fillimin e kampionatit.

Po lista e atyre do të largohen është bërë gati?

Në përfundim të çdo sezoni gjithmonë ka hyrje dhe dalje në çdo klub. 60%-70 % e ekipit që u ndërtua vjet ishin me kontrata afatgjate, shumë pak ishin me kontrata një vjeçare. Në bazë të rendimentit dhe performancës që ata kanë dhënë ne kemi marrë vendimet tona. Unë si trajner në pjesën sportive dhe më pas politikat financiare dhe të mëdha, i bën klubi. Unë miratoj dhe jap mendimin tim.

Dikur fituat titullin si kapiten, sa e dëshiron një titull edhe si trajner?

Mendoj që në Elbasan do të vijë dita sërish për trofeun e kampionatit. Unë nuk jam Zoti apo Orakull të garantoj që do të bëhet këtë sezon apo sezonin tjetër, por jam i bindur që në Elbasan kampionati do të vijë.

Sheh paralelizma midis skuadrës aktuale që po ndërtohet dhe asaj të para 20 viteve kur dolën nënkampion dhe kampion?

Edhe ne si njerëz gjenetikisht, nga brezi në brez zhvillohemi dhe kemi më shumë informacion. Kemi fat se jetojmë në kohëra ku mund të plotësohet çdo kusht, si sportiv, financiar apo infrastrukturor dhe çdo gjë. Besoj se duhet të jemi më mirë sesa ai i 20 viteve më parë. Duhet të kemi liderët dhe figurat e duhura në skuadër që të ndërtojmë një klub të shëndetshëm. Ne për këtë punojmë dhe vrasim mendjen çdo ditë.

Ka ndonjë objektiv të vendosur në kontratë për t’u arritur?

Nëse merr përsipër një punë, e para duhet të jesh guximtar dhe të pranosh sfida. Në këtë botë di që kush guxon fiton. E dyta, pa qëllime dhe objektiva… sezonin që shkoi, pavarësisht se u ngjitëm në Superiore dhe fituam titullin, ne sërish kishim qëllime. Ishte që ta mbyllnim me sukses si çdo ndeshje që në fushën tonë të mos na mundte asnjëri, përpos të gjithë ecurisë së gjatë pa humbje të skuadrës. Qëllimet na zhvillojmë dhe pa qëllime nuk bëhemi dot më të mirë.

A do të ishte i lumtur Dede ta mbyllte karrierën e tij në Elbasan?

Të jemi i sinqertë unë dua të jem sa më afatgjatë këtu. Nuk është në dorën time, varet nga puna, performanca, lojtarët dhe skuadra. Nëse bën rezultate, njerëzit të duan dhe je në qendër të vëmendjes. Kur nuk ke rezultate më pas është çështje diskutimi sesa është durimi dhe sa mund të zgjasë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"