Elbasani merr Mirel Çotën. Largohet Fidan Hasani, s’gjeti akordin financiar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2014 | 15:46

Elbasani merr Mirel Çotën. Largohet Fidan Hasani, s’gjeti akordin financiar

CotaMirel Çota i bash kohet Elbasanit në Strugë. Atë që “Panorama Sport” e paralajmëroi që në datën 11 korrik, ku midis sulmuesit të Tiranës dhe verdhebluve ka një marrëveshje për të veshur bluzën e Elbasanit, më në fund merr edhe konfirmimin zyrtar nga ana e klubit. 26-vjeçari ka udhëtuar drejt Strugës për t’u stërvitur me pjesën tjetër të lojtarëve, të cilët prej më se një jave ndodhen në Maqedoni për të kryer fazën përgatitore. Midis librazhdasit dhe ekipit të Elbasanit ende nuk është nënshkruar kontrata që do t’i mbajë të lidhur për të paktën një vit, por e gjitha kjo duket një formalitet, sepse palët kanë disa ditë që bisedojnë për kalimin e ish-sulmuesit të Teutës në radhët e verdhebluve dhe e kanë gjetur gjuhën e përbashkët ende pa udhëtuar Çota në Strugë. Me afrimin e tij, mund të thuhet se Elbasani kompletohet edhe në sulm, sepse Çota plotëson edhe kërkesat e stafit teknik, një lojtar shtatlartë që të mbajë mbi supe peshën e një reparti kaq të rëndësishëm. Më në fund do të ketë konkurrencë edhe në sulm, ku Malindi me Çotën do të “luftojnë” për një vend titullari, gjithnjë nëse File luan vetëm me një sulmues të deklaruar, siç ka bërë deri më tani. Në këtë repart luajnë edhe Lamçja, Tafani që për momentin është i dëmtuar, si edhe sulmuesi i ardhur nga moshat këtë sezon, Luta.
Fidan Hasani
Kosovari i ardhur me aq shumë bujë në këtë merkato vere, Fidan Hasani, nuk do të jetë një lojtar i Elbasanit. Burime pranë klubit, por edhe vetë lojtarit konfirmojnë për gazetën se nuk është gjetur gjuha e përbashkët për të firmosur kontratën që do ta bënte përfundimisht Hasanin një lojtar të verdhebluve. Dyndja e madhe që kanë verdheblutë në mbrojtje, veçanërisht në qendër të saj, aty ku luan edhe 25-vjeçari, e bënte të panevojshëm afrimin e Hasanit në radhët e Elbasanit, duke qenë se do të përfundonte në stol dhe nuk ia vlente që për diçka të tillë të shpenzoheshin shumë para. Nëpër deklaratat e dhëna për mediat, Hasani e konsideronte veten një futbollist të Elbasanit, aq sa dëshironte të ecte në gjurmët e Dallkut, por, me sa duket, aventura e tij do të mbyllet shumë shpejt, madje pa nisur ende. Nuk përjashtohet mundësia që përveç tij, të ketë të tjera largime, ndonëse me disa është firmosur një kontratë dhe të tjerët kanë rënë parimisht dakord për të bashkëpunuar për këtë sezon. Kryesisht dyndjet që janë në repartin e prapavijës dhe atë të mesit të fushës, kanë vënë në dilema stafin teknik, ku disa ndoshta do të dalin të tepërt dhe do të lihen të lirë. Megjithatë, e gjitha kjo lidhet nëse do të bëhet ndonjë afrim tjetër në vazhdim, apo do t’u besohet atyre që janë aktualisht në skuadër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"