Elbasani mposht Vorën, Bordin: Grup me dëshirë e karakter

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2024 | 13:40

Elbasani mposht Vorën, Bordin: Grup me dëshirë e karakter

Elbasani fiton edhe testin e dytë miqësor, kësaj herë ndaj Vorës së Kategorisë së Parë, me rezultatin 2-0.bordinVerdheblutë shënuan nga një gol për secilën pjesë, fillimisht me Lilën dhe më pas me Leo Melon, duke i dhuruar fitoren e dytë në po kaq ndeshje trajnerit italian Roberto Bordin. Në tërësi ishte një ndeshje që foli më mirë për elbasanasit, të cilët lanë shumë pak hapësira prapa dhe u treguan cinikë në rastet që patën në sulm. Ky ishte testi i parë në Elbasan, çka bëri që rreth 1 mijë tifozë të ishin të pranishëm në tribunën qendrore, duke ndjekur me kureshtje ekipin e Superiores.

NDESHJA – Trajneri Bordin hodhi në fushë një formacion ndryshe nga ai i një jave më parë me Voskën, duke ndryshuar edhe skemën në 3-5-2. Ai kërkoi që skuadra të luante më shumë nga krahët me Mustën dhe Lilën. Ngarkesa e madhe fizike e marrë gjatë ditëve të fundit ndihej në këmbët e lojtarëve, të cilët hasën vështirësi për të krijuar aksione të rrezikshme përpara. Nga ana tjetër, trajneri Bellai e kishte vendosur mirë Vorën në fushë, duke mos lënë hapësira dhe duke tentuar me ndonjë “ngacmim” në sulmues.

Goli i pari do të vinte vetëm në minutën e 45-të, kur pas një skeme nga goditja e dënimit, Lila e dërgoi topin në rrjetë, duke i dërguar elbasanasit në dhomat e zhveshjes me avantazhin e një goli. Fraksioni i dytë nisi pa ndryshime, por me kalimin e minutave Bordin dhe Bellai provuan thuajse të gjithë lojtarët që kishin në dispozicion. Verdheblutë ishin më të qetë dhe më kërkues, por mungoi forca goditëse në sulm dhe rastet e pastra ishin me pikatore. Duhej të vinte minuta e 78-të, që vendasit të dyfishonin shifrat. Pas një topi të marrë nga Greca, Melo dribloi bukur dy lojtarë në zonë dhe më pas tundi rrjetën, duke hipotekuar kështu edhe fitoren për të tijtë në këtë test.

BORDIN – Roberto Bordin u shpreh i kënaqur me përparimin që ka bërë skuadra gjatë këtyre ditëve. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, trajneri italian ka pohuar se nevojitet ende punë deri në startin e kampionatit.

“Është bërë një hap përpara sa i përket ndeshjes së kaluar, edhe pse gjendja nuk është ende në maksimum. Por jam i kënaqur, sepse është një grup i rëndësishëm që ka dëshirë për të bërë gjëra të mira dhe për momentin po ecim mirë. Këto ditë që po stërvit këta djem kam përshtypjet më të mira, sepse djemtë kanë dëshirë të luajnë në Superiore me karakter. Edhe pse disa prej tyre janë të rinj, duan të bëjnë mirë. Kuptohet që nevojitet ende punë, por për këtë gjë jemi këtu. Ka edhe një muaj kohë për të përgatitur sa më mirë ndeshjen e parë të kampionatit”, theksoi për gazetën trajneri italian i Elbasanit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"