Elbasani në “ajër” për trajnerin e ri, ja çfarë ndodhi me Diego Longon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 6, 2024 | 11:38

Elbasani në “ajër” për trajnerin e ri, ja çfarë ndodhi me Diego Longon

Kur dukej se verdheblutë e kishin siguruar “timonierin” e ri me italianin Diego Longo, kjo pistë ka rënë poshtë së fundi. Trajneri që njihet në Shqipëri, pasi ka drejtuar tri skuadra në futbollin tonë, sipas informacioneve të fundit nga klubi verdheblu, nuk do të ulet në stolin Elbasanit.

diego-longo

Ish–tekniku i Kukësit, Flamurtarit dhe Teutës bënte pjesë në listën e emrave që ishin në tryezën e drejtuesve elbasanas dhe që u shqyrtuan gjatë këtyre ditëve, fill pas largimit të Nevil Dedes, por edhe kjo pistë ka rënë. U përfol madje edhe për një ofertë gjatë dy ditëve të fundit, por përfundimisht Longo nuk është më në plane, ashtu sikurse italianët e tjerë, Kosmi dhe Kolela, të “skualifikuar” pak më herët.

Të paktën kështu konfirmojnë burime të “Panorama Sport” pranë klubit verdheblu. Sipas të njëjtave burime, trajneri do të jetë i huaj dhe nuk ka kontakte me asnjë shqiptar. Bashkë me rënien e tre pistave të para duket se ka rënë përfundimisht edhe ideja për të pasur në krye të stolit një italian, kështu që sytë janë hedhur diku gjetkë. Ajo që për momentin dihet me siguri është fakti se po shqyrtohen emrat e trajnerëve të huaj, të cilët kanë trajnuar më herët në vendin tonë, sepse duhet të jetë dikush që e njeh futbollin dhe ambientin në Shqipëri.

MERKATO – Për momentin edhe merkatoja e Elbasanit ka “ngecur”. Përtej lakimit të shumë emrave ditët e fundit, verdheblutë kanë zyrtarizuar vetëm tre prej tyre: Bruno Lulajn, Emiljano Mustën dhe Kristian Dros. Sakaq, nga skuadra mund të cilësohen si të larguarit e radhës edhe portieri Klajdi Kuka dhe mbrojtësi Klajdi Broshka, sepse të dy futbollistët nuk kanë qenë pjesë e grupit gjatë seancave stërvitore.

Me mbylljen e sezonit atyre u përfundoi kontrata, ndaj dhe tani kanë dalë futbollistë të lirë në treg. Për këtë arsye, në klub po kërkojnë patjetër një zëvendësues për Kukën, ndonëse edicionin e kaluar portier i parë ishte Klevi Totoshi. Me zyrtarizimin e trajnerit të ri pritet të vijnë edhe afrimet e radhës. Fakti që merkato ka stopuar lidhet me çështjen e trajnerit të ri, i cili rrjedhimisht do të duhet të japë mendim për lojtarët që do të vijnë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"