Elbasani në Superiore, prezantohet stafi i ri dhe projekti për elitën. Nga trajneri te drejtuesit: Të luajmë bukur për… “Final Four”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2024 | 17:32

Elbasani në Superiore, prezantohet stafi i ri dhe projekti për elitën. Nga trajneri te drejtuesit: Të luajmë bukur për… “Final Four”

Elbasani i Superiores ka nisur rrugëtimin sot me prezantimin e stafit të ri me të cilin do të punojë trajneri Nevil Dede, teksa do të nisë puna konkrete për ndërtimin e skuadrës që ka objektiv jo thjesht qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.

nevil dede

Asistentë të Dedes në këtë sezon do të jenë dy emra të njohur të futbollit shqiptar, ish-portieri Isli Hidi dhe ish-mbrojtësi Hektor Idrizaj, të cilët do të punojnë bashkë me teknikun kryeqytetas për të kthyer Elbasanin në një ekip pretendent në elitën e futbollit të vendit tonë.

Elvis Kotorri do të vazhdojë të jetë trajneri i portierëve, ndërsa në staf është edhe videoanalisti Denis Asllani dhe përgatitësi atletik Elton Kodra.

“Nëse ne ndërtojmë baza të forta dhe një skuadër të denjë për Superiore, atëherë unë them që çdo gjë është në rrugën e duhur. Dy gjëra janë, të luajmë futboll bukur dhe të kënaqim njerëzit. Nëse e bëjmë këtë, atëherë besoj që do vijnë dhe rezultatet, sepse njerëzit kënaqen kur luan bukur dhe merr rezultatet”, u shpreh ndër të tjera trajneri Dede duke folur para mediave.

Ndërsa presidenti i klubit, Kujtim Llupa, bëri të qartë se objektivi ishte të ndërtohej një skuadër pretendente. “Objektivi ynë dhe dëshira është që të jemi në “Final 4””, theksoi ai para gazetarëve.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"