Elbasani nis punën për sezonin e ri, sytë janë nga… afrimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2024 | 22:21

Elbasani nis punën për sezonin e ri, sytë janë nga… afrimet

Elbasani i Superiores nisi të marrë formë ditën e djeshme. Klubi ka startuar nga puna për përgatitjen e skuadrës këtë edicion, ku synojnë të lënë menjëherë gjurmë. Puna ka nisur nga Aja. Thuhet kështu, pasi e hëna ishte një ditë ku lojtarët iu nënshtruan testeve mjekësore dhe shpresohet që asnjë prej futbollistëve të mos ketë probleme të kësaj natyre.

hoxhaj duke festuar me elbasanin

Sakaq, sot pritet që të bëhen edhe testet fizike për të parë gjendjen e lojtarëve, meqenëse vijnë nga një periudhë pushimesh dhe dikush prej tyre mund të mos jetë në situatën optimale. Pasi të mbarojë këto teknikalitete të natyrës sportive, skuadra do të zbresë më pas me kohë të plotë në stërvitje. Është programuar që e hëna e ardhshme e 1 korrikut t’i gjejë të gjithë lojtarët nën urdhrat e trajnerit Nevil Dede me kohë të plotë për të nisur në njëfarë mënyre edhe përgatitjet zyrtare.

AFRIMET – Sa i përket merkatos, brenda kësaj jave që përkon me ditët e fundit para nisjes së përgatitjeve, në skuadër pritet të afrohen disa lojtarë që do t’i bashkohen klubit këtë edicion. Deri më tani verdheblutë kanë zyrtarizuar Bruno Lulajn, ndërsa është thuajse histori e mbyllur edhe afrimi i Emiljano Mustës dhe moldavit Kristian Dros.

Të tre janë lojtarë me tipare mbrojtëse, pasi edhe mesfushori i kombëtares së Moldavisë është një futbollist që ka detyra mbrojtëse. Këto javë kanë qenë shumë intensive me takimet që kanë bërë drejtuesit elbasanas dhe këto janë ditët kur do të shihen frytet e tratativave që kanë bërë, për të parë se me cilët do të arrijnë një marrëveshje.

Me synimet që klubi i ka vënë vetes, është nevoja që të bëhen ndërhyrje cilësore në të gjitha repartet, për t’iu bashkuar grupit tjetër të lojtarëve, që “mbijetuan” nga edicioni i kaluar.

LARGIMET – Edhe pse lista e largimeve nuk është e paktë deri më tani, pasi shtatë lojtarë kanë zyrtarizuar ndarjen, lista nuk është mbyllur ende. Gazeta mëson se ka ende dy-tri emra, të cilët janë në mëdyshje dhe mbetet për t’u parë nëse do të qëndrojnë ose jo.

Gjithsesi, edhe largimet e tjera do të qartësohen më saktë kur të nisin përgatitjet të hënën. Ai që nuk përgjigjet në apel, mund të quhet i larguari i radhës.

V. MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"