Elbasani nis sot stërvitjen, verdheblutë zbulojnë këtë javë goditjet në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2024 | 11:13

Elbasani nis sot stërvitjen, verdheblutë zbulojnë këtë javë goditjet në merkato

Java e parë e nisjes së përgatitjeve pritet të jetë shumë e rëndësishme për Elbasanin, për vetë faktin se pritet të ndodhin edhe goditjet më të rëndësishme në merkato.elbasaniVerdheblutë zbresin sot në fushë për të nisur nga puna, ku e gjithë vëmendja lidhet me ata që do të përgjigjen në apel ditën e parë. Deri më tani janë konfirmuar Bruno Lulaj dhe Klidis da Silva në mbrojtje, si edhe Kristian Dros në mesin e fushës. Nëse i pari është zyrtarizuar, dy të tjerët priten të prezantohen nga klubi shumë shpejt, pasi bëhet fjalë për lojtarë që e kanë arritur një marrëveshje me klubin elbasanas.

Shtatë largimet e deritanishme, me të cilat pritet që të shtohen edhe së paku tre të tjerë, lirojnë jo pak vende në skuadër për të bërë afrime të tjera. Me pak fjalë, largimet e shumta detyrojnë skuadrën të mendojë seriozisht për merkaton në vijim, pasi skuadra nuk është ende e kompletuar. Vërtet mund të jetë sajuar disi prapavija, por repartet e tjera kanë shumë nevojë për ndërhyrje. Për këtë arsye, tani pritet të nisin edhe afrimet në masë në merkato, ku pas numrit të madh të lojtarëve të kontaktuar, ka ardhur koha që të bëhet përzgjedhja nga ana e klubit dhe t’u ofrohet kontrata atyre që i shohim si të vlefshëm.

Klubi i ka shprehur hapur ambiciet për të qenë konkurrues, ndonëse vijnë nga Kategoria e Parë. Gjithsesi, e gjitha mbetet për t’u parë sesi do të rrjedhin ngjarjet sa i përket merkatos, sepse në kohën kur kanë nisur përgatitjet, idealja do të ishte që i gjithë grupi që do të përballojë sezonin të ishte i plotë që nga fillimi. Për këtë arsye, brenda kësaj jave mund të ndodhin edhe goditjet më të bujshme, të cilat do t’i japin skuadrës edhe petkun e një klubi që po hyn me pretendime dhe pse jo, për të dalë me një trofe këtë sezon në elitë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"