Elbasani për “kurim”, katër lojtarë kanë shqetësime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 26, 2024 | 13:15

Elbasani për “kurim”, katër lojtarë kanë shqetësime

Pas kthimit nga Struga, Elbasani është duke e vijuar fazën përgatitore në shtëpi, aty ku do të qëndrojnë disa ditë.elbasani

Më pas, javën e ardhshme kanë programuar që të udhëtojnë drejt Greqisë, për të vazhduar kështu me pjesën e mbetur të përgatitjeve, përpara startit të kampionatit. Me pak fjalë, një fazë përgatitore e ndarë në tri faza, për të mos e kthyer në rutinë një nga momentet më të rëndësishme për një skuadër që do të përballojë një sezon të gjatë dhe të vështirë. Një mënyrë kjo edhe për të mos mbajtur shumë gjatë lojtarët larg familjes, çka mund të ndikojë edhe në aspektin psikologjik.

PËRGATITJET – Gjatë këtyre ditëve, verdheblutë janë duke kryer nga dy seanca në ditë, me teknikun Roberto Bordin që po i “shtrydh”, në mënyrë që skuadra të jetë gati për sfidën e parë me Skënderbeun. Madje, shpesh herë edhe në orarin e drekës kur skuadra grumbullohet për të konsumuar diçka, skuadra qëndron po bashkë duke analizuar edhe nga ana teorike, çka kanë bërë deri më tani dhe çfarë presin në të ardhmen. Tekniku është duke u përpjekur nga ana tjetër që të kristalizojë edhe formacionin me të cilin do të përballojë sezonin, ku dihet që në shumë role ka ende mëdyshje se cilët do të luajnë nga minuta e parë.

PROBLEMET – Edhe pse në tërësi situata me dëmtimet nuk është problematike, trajnerin e shqetësojnë disa lojtarë, të cilët kanë shfaqur probleme dhe nuk janë bashkuar me grupin. Më saktësisht bëhet fjalë për katër prej tyre. Mbrojtësi Esin Hakaj dhe mesfushori Kristi Qose, në seancën e djeshme stërvitore nuk janë zhveshur me pjesën tjetër të skuadrës, por kanë bërë vetëm masazh. Nuk bëhet fjalë për dëmtime të mëdha, por klubi po tregohet i kujdesshëm për të mos i rënduar dhe do të tentojë për t’i pasur gati në startin e kampionatit. Gjasat janë që sa më shpejt t’i bashkohen sa më shpejt grupit, për më tepër që shihen si futbollistë me peshë në ekip. Stërvitje të diferencuar ka kryer edhe mesfushori Arsen Kasa, pasi edhe ai ka bërë vetëm vrapime, për shkak të një problemi muskulor që ka nisur ta shqetësojë ditët e fundit. Shqetësime shfaqi edhe Xhonatan Lajthia, i cili kreu pak stërvitje me ekipin dhe më pas vazhdoi terapinë me mjekun e skuadrës. Gjithsesi, në tërësi nuk bëhet fjalë për shqetësime që mund t’i lënë larg fushës dhe gjasat janë që të jenë gati për startin e kampionatit, pasi ka ende kohë deri atëherë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"