Elbasani projekton ekip pretendent, Hakaj favorit për krahun e majtë të verdhebluve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2024 | 20:21

Elbasani projekton ekip pretendent, Hakaj favorit për krahun e majtë të verdhebluve

Elbasani po tregon kujdes në afrimin e lojtarëve dhe kjo gjë shihet qartë në faktin që deri më tani kanë kontaktuar me dhjetëra futbollistë, por me asnjë prej tyre nuk kanë hedhur firmën nën kontratë. Mund të konsiderohet ndryshe si një proces studimi, ku të gjithë emrat që janë hedhur në tavolinë, është duke iu bërë skaneri i nevojshëm dhe llogaritë sesa mund t’i shërbejnë skuadrës.

hakaj

Duke nisur nga paratë që ata kërkojnë për t’iu bashkuar skuadrës dhe deri tek performanca që kanë pasur sezonin që lamë pas, duke përllogaritur edhe ambientimin me verdheblutë këtë sezon.

MBROJTËSI I MAJTË – Rasti tipik që lidhet pikërisht me pritjen që po bëjnë verdheblutë, për shkak të mundësive që kanë përballë, është ai i mbrojtësit të majtë. Deri më tani, elbasanasit kanë kontaktuar pikërisht me tri futbollistë për këtë rol: Lorenc Trashi, Emiljano Musta dhe Esin Hakaj. Të tre janë lojtarë të lirë në merkato dhe kanë mundësinë reale t’i bashkohen verdhebluve, mirëpo me asnjërin prej tyre bisedimet nuk kanë shkuar përtej kësaj faze, për të hedhur firmën në kontratë.

Mësohet se drejtuesit janë duke i peshuar mirë gjërat, për të bërë në fund edhe goditjen finale dhe afruar lojtarin që do të marrë parapëlqimin e të gjithë aktorëve që merren me merkaton në Elbasan. Për shkak të moshës më të re dhe performancës këtë sezon, duket se shkodrani është më i parapëlqyeri për momentin dhe ai që ka shanset më të mëdha të veshë fanellën verdheblu këtë edicion futbollistik. Megjithatë, nuk është çudi që në ditët në vijim të dalë në skenë edhe ndonjë emër i ri për këtë pozicion në skuadër. Me largimin e brazilianit Salomao ky pozicion ka mbetur bosh, edhe pse gjatë sezonit të kaluar në këtë rol u adaptua Klevis Kasa, një i ri me potencial që vjen nga radhët e akademisë.

EUROPA – Mësohet se një problem për merkaton është edhe pjesëmarrja e klubeve shqiptare në Kupat e Europës. Disa lojtarë do të vijojnë të qëndrojnë me skuadrat e tyre edhe për këto ndeshje dhe në Elbasan janë të detyruar të presin për të bërë afrimet e tyre. Bëhet fjalë për futbollistë që militojnë me Egnatian, Partizanin apo edhe Vllazninë, për të cilët verdheblutë kanë shfaqur interes më herët. Gjithsesi, mbetet e gjitha për t’u parë nëse verdheblutë do të dinë t’i joshin për t’i afruar në skuadrën e tyre, në një kohë që pretendimet i kanë të mëdha, të jenë pjesë e “Final 4”.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"