Elbasani synon mbrojtësin e Vllaznisë, verdheblutë duan të përforcohen në çdo repart

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2024 | 13:15

Elbasani synon mbrojtësin e Vllaznisë, verdheblutë duan të përforcohen në çdo repart

Edhe pse Elbasani e dominoi sezonin e kaluar në Kategorinë e Parë, ku u shpall edhe kampion, sërish pati reparte ose më saktë role të caktuara që nxorën në pah defekte.hakajNjë ndër to ishte pikërisht “pyka” ose lojtari nga i cili pritet të marrë për dore skuadrën dhe të shënojë golat vendimtarë. Tek Elbasani nuk ndodhi kështu, pasi këtë detyrë e bëri Bedri Greca, një sulmues krahu, i cili e mbylli sezonin me 18 rrjeta të realizuara, duke mos u shpallur dot as golashënues.

Për pozicionin e qendërsulmuesit u afrua në merkato nigeriani Bobi Klement, por dëmtimet e shpeshta dhe mungesa e saktësisë në finalizim, bënë që ai ta mbyllte sezonin me vetëm tre realizime. Për këtë arsye, në fund të sezonit u largua nga skuadra dhe ky pozicion ka mbetur vakant, edhe pse vitin e kaluar e mbuloi më së miri Arsen Lleshi, i cili arriti ta mbyllte me 12 rrjeta.

SULMUESI Për një skuadër që pretendon ta mbyllë me trofe këtë sezon, siç është edhe Elbasani, kërkohet patjetër që të ketë në skuadër një sulmues “race” dhe me eksperiencë. Nëse për repartet e tjera të fushës nuk është shumë problem afrimi i lojtarëve, sepse ka shumë në qarkullim, në Elbasan kanë “ngecur” pikërisht te sulmuesi. Burimet në klub pohojnë për gazetën se për momentin kanë hasur vështirësi që të gjejnë lojtarin e duhur për të bërë “pykën”, pasi ka një mungesë alternativash në futbollin shqiptar. Për këtë arsye, duket se vëmendja është përqendruar sërish jashtë vendit, me shpresën se do të gjejnë lojtarin që të mbulojë këtë rol delikat dhe vendimtar në një skuadër. Kujtojmë që në mbyllje të këtij edicioni verdheblutë u bënë “dalje” të huajve, duke mbajtur vetëm brazilianin Leo Melo për këtë sezon. Tani janë të detyruar sërish të shohin përtej kufijve për të gjetur lojtarin që do të mbajë peshën e sulmit.

KRAHËT – Siç është bërë e ditur më herët Elbasani është i gjithi “all-in” në merkato dhe ndërhyrjet do të bëhen thuajse në të gjitha rolet e fushës. Por, ashtu si gjendja e një “pyke” është imediate, e tillë është edhe situata me dy mbrojtësit e krahut. Aktualisht elbasanasit janë pa “krahë”, pasi largimi i brazilianëve Salomao dhe Fernandesh ka lënë zbuluar këto dy pozicione, të cilat drejtuesit pritet t’i rikuperojnë me afrimet gjatë këtij sesioni veror. Lojtarë në këto pozicione ka në qarkullim, ndaj në klub janë në fazën e diskutimeve, për të afruar më pas ata që shihen si më të dobishmit për klubin.

Duke njohur cilësitë e tij dhe eksperiencën që zotëron, shkodrani Esin Hakaj mbetet një lojtar i lakmueshëm në treg për Elbasanin. E sidomos në këto momente ku është lojtar i lirë. Mësohet se për mbrojtësin e majtë ka interesim konkret nga Elbasani. Verdheblutë të ngjitur pas shumë vitesh në elitë duan të ndërtojnë një ekip me cilësi dhe pretendent. Drejtuesit elbasanas shohin tek Hakaj një përforcim cilësor, por ende nuk mund të flitet për diçka zyrtare.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"