Elvis Prençi, i lumtur: Ja pse zgjodha klubin e Teutës
Elvis Prençi është goditja e parë e Teutës në merkato. Ishte vetë presidenti Edmond Hasanbelliu që konfirmoi afrimin e ishmbrojtësit të Partizanit. 20- vjeçari, i cili është pjesë edhe e ekipit kombëtar Shpresa, në sezonin që lamë pas nuk gjeti shumë hapësirë te kryeqytetasit. Prençi tashmë është pjesë e Teutës, me të cilën ka nënshkruar kontratë 2- vjeçare dhe me mundësinë e rinovimit për një vit tjetër. Qendërmbrojtësi, i rritur në akademinë e Tiranës, u shpreh ndër të tjera për “Panorama Sport” se projekti i klubit durrsak e bindi të bashkohej me Teutën.
Elvis, pse u larguat nga Partizani?
U largova, sepse nuk kam pasur shumë hapësirë për të luajtur. Unë jam i ri në moshë dhe dëshiroj të kem sa më shumë minuta në këmbë.
Çfarë ju bindi që zgjodhët Teutën?
Teuta është ekip protagonist çdo sezon dhe çdo lojtar do të dëshironte të luante aty. Për më tepër projekti që më prezantuan drejtuesit e klubit më tërhoqi shumë. Ndërthurja e lojtarëve të rinj me lojtarët me eksperiencë, besoj se është rezultative. Te Teuta ka lojtarë me të cilët njihem që në Kombëtaret e moshave dhe kjo do të më ndihmojë të ambientohem sa më shpejt.
Çfarë synoni të arrini në planin personal, duke qenë pjesë e skuadrës durrsake?
Synimi i çdo lojtari, ashtu si edhe unë, është të arrijë sa më lart. Një ndër arsyet që zgjodha Teutën është që, përmes hapësirës që do të më jepet, të tregoj edhe më tej aftësitë e mia. Duke qenë se kapërcej moshën e lejueshme, unë nuk mund të jem më pjesë e Kombëtares U-21 në vijim. Por, ambicia ime nuk përfundon me Shpresat dhe mendoj që Teuta do të shërbejë si trampolinë në karrierën time për të kapur edhe Kombëtaren A.
Në krye të pankinës së Teutës është emëruar ishtrajneri juaj te Partizani, Hasan Lika. Cili është raporti juaj me të?
Kemi pasur një raport të mirë që te Partizani dhe besoj që do të mbetet i tillë edhe te Teuta. Profesor Hasani eksperimentonte shpeshherë me mua, madje mund të them që me të në pankinë kam luajtur edhe si mesfushor qendre. Ai e njeh mirë kampionatin shqiptar dhe mendoj se drejtuesit kanë bërë zgjedhjen e duhur.
Roland Gjini