Erdhi me bujë te Dinamo, mesfushori në pikëpyetje
Dinamo e ka pushim edhe këtë fundjavë. Kalendari i rezervonte ndeshjen me Tërbunin, por kundërshtari është përjashtuar dhe do ta marrë fitoren në tavolinë. Duke qenë se elita është siguruar dhe ka mbetur vetëm 90-minutëshi me Luzin për t’u luajtur, te kryeqytetasit vëmendjen e kanë hedhur te sezoni i ardhshëm. Lëvizje do të ketë, por jo si herën e fundit që ranë nga elita. Në fakt, këtë kampionat e nisën me objektivin për të pasur 60-70% të skuadrës gati edhe për ngjitjen, por situata doli disi jashtë kontrollit.
DYSHIMET – David Ivan, mesfushori sllovak që erdhi te Dinamo në fundin e merkatos së dimrit, ishte mes atyre që shiheshin si pjesë e rëndësishme e skuadrës së Superiores. Tashmë në kampin dinamovit kanë dyshime për këtë futbollist, duke parë dëmtimet e shpeshta të tij. Ivan bëri bujë kur u bashkua me blutë, për faktin se është rritur futbollistikisht në Serinë A dhe numëronte 23 ndeshje në Serinë A. Me atë që manifestoi në fushë fillimisht u duk një element i vlefshëm, por pastaj optimizmi ra gradualisht, aq sa ka ngritur dyshime për qëndrimin.
Mesfushori është aktivizuar në 6 ndeshje me Dinamon në kampionat, por në dy prej tyre është zëvendësuar që në pjesën e parë, në Vlorë dhe në Lushnjë, për shkak dëmtimi. Vetëm 265 minuta në këto ndeshje janë shumë pak për sllovakun, autor i një goli në fitoren me Besëlidhjen në transfertë. Në Lezhë ai bëri ndeshjen më të mirë, por koeficienti i vështirësisë ishte i ulët në raport me ndeshjet e tjera. Nuk mund të thuhet ende se ai do të largohet nga Dinamo, por burime të gazetës pranë klubit blu thanë se dëmtimet e lojtarit janë një problem i madh. Nëse ai do të luajë me ritmin aktual, nuk do t’i shërbente Dinamos në elitë, ndërkohë që kostot mund të jenë të larta.
TË HUAJT – Dinamo ka në organikën e saj edhe disa lojtarë të tjerë të huaj, si Krosta, Dikson, Denison, Karamba dhe Ali Samake. Për momentin, më të sigurt për qëndrimin janë Denison dhe Karamba dhe nëse në fund mbeten vetëm këta të dy, blutë do të kenë mundësinë të operojnë edhe në tregun e huaj, pasi do të kenë vende bosh. Fokusi për lojtarë të huaj do të jetë më shumë për forcimin e sulmit.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"