Erdhi në Vlorë 4 muaj pas shkarkimit, ish-trajner Troisi: Solla Di Estefanon, Idrizin po e… pengojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 17, 2023 | 21:03

Erdhi në Vlorë 4 muaj pas shkarkimit, ish-trajner Troisi: Solla Di Estefanon, Idrizin po e… pengojnë

Marcelo Troisi u rikthye në Vlorë 4 muaj pas largimit. Ish-trajneri këtë herë erdhi si menaxher në fakt, pasi solli Aleksandre di Estefanon. Ai pranon që ka bërë ndërmjetësimin për transferimin e sulmuesit në fjalë, por thekson se ishte një kërkesë e Sinan Idrizit. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport” thekson se është i gatshëm në çdo kohë për presidentin, ndonëse evidenton se rrethohet nga njerëz që e pengojnë. Braziliani prek edhe një herë temën e shkarkimit pa u mbyllur mirë kampionati, duke e cilësua të padrejtë.

TROISI

Ishit në Vlorë javën e shkuar, pse kjo vizitë?

Po është shumë e vërtetë. Isha në Vlorë enkas për të biseduar me presidentin Sinan Idrizi.

U takuat në stadium me Sinan Idrizin, por njëherësh ndoqët edhe stërvitjen e parë të skuadrës për sezonin e ri…

Po, po. Kam qenë në stadium për të zhvilluar bisedën me presidentin e klubit.

Sa e vërtetë është që Aleksandre di Estefano erdhi te Flamurtari me ndërmjetësinë tuaj?

Është e vërtetë. E bëra me kërkesë të presidentit. Ishte dëshira e Idrizit.

Kjo do të thotë se ju jeni afruar për të qenë menaxher i klubit?

Në fakt, po flasim për një punë tjetër. Por unë jam gjithmonë i disponueshëm për Sinan Idrizin. Ai ka qenë një person shumë korrekt me mua. Edhe pse jam larguar para kohe dhe në fakt do të doja të vijoja ende punën, kam shumë respekt për presidentin. Jam ndier shumë mirë në Vlorë. Idrizit i them gjithmonë “po”.

Po thoni që mund ta keni një bashkëpunim të tillë?

Patjetër që po! Por aty në Vlorë ka shumë njerëz që flasin rreth tij, ndaj çdo gjë ndryshon dita-ditës. Unë e respektoj shumë presidentin. Sot për sot e konsideroj presidentin më të mirë me të cilin kam punuar. Por fatkeqësisht ka shumë njerëz që e pengojnë.

Skuadra nuk u ngjit në Superiore. Keni një koment për këtë?

Unë u largova me ekipin në vendin e tretë. Kishte edhe 6 ndeshje të tjera dhe…

Doni të thoni se me ju në pankinë ngjitja ishte e sigurt?

Nuk mund të them se Flamurtari do të ngjitej, por sigurisht që do të luaja ndryshe.

Por çfarë mendoni se nuk shkoi?

Ky është futbolli. Kjo kategori është shumë e fortë, nuk ka asnjë fitues para ndeshjes. Por mund të them se largimi im nuk ishte i drejtë. E thënë kjo edhe nga vetë presidenti.

A keni edhe ju përgjegjësi për këtë dështim?

Të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi. Sot është e lehtë të fajësosh Troisin apo dikë tjetër. Nuk mendoj se kemi faj. Ka shumë njerëz në këtë proces. Mund të them vetëm se mendoj që largimi im ishte i padrejtë. “A”-ja është opozita ime.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"