Erjon Bogdani e fillon me fitore karrierën si trajner te U-19
Erjon Bogdani ka regjistruar një fitore në ndeshjen e tij të parë si trajner i përfaqësueses U-19. Ish-sulmuesi i përfaqësueses shqiptare, i emëruar në këtë post vetëm dy muaj më parë, po merr pjesë me një seleksion futbollistësh në turneun “Roma Caput Mundi”.
Çuditërisht, FSHF ka dhënë pak informacione rreth kësaj kombëtareje dhe grumbullimit të saj, edhe pse merr pjesë në një turne mjaft prestigjioz dhe ku kuqezinjtë kanë luajtur në 5 edicionet e fundit radhazi duke arritur edhe deri ne finale. Në këtë edicion, Shqipëria është shortuar në një grup me Maltën, përfaqësuesen e kolegjeve të Anglisë dhe një përfaqësuese të kampionatit amator të Italisë.
Ekipi i Bogdanit, në ndeshjen e parë të luajtur sot ndaj Maltës ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1, duke i bërë një fillim të mirë turneut. Skuadra e përbërë nga lojtarë të cilët kanë eksperiencë në kombëtaret U-17 dhe U-19, si dhe të rinj që po testohen me përfaqësuesen, ka arritur të përmbysë në pjesën e dytë avantazhin e maltezëve duke realizuar dy gola me goditje dënimi. Sadik Çela dhe Mikelanxhelo Metolli janë autorët e golave për kuqezinjtë e vegjël.
Shqipëria: Alia, Arapi, Çela (87’ Bushaj), Abara, Rada, Hysaj (60’ Maloku), Gashi (35’ Metolli), Myrtes, Sinani (60’ Rama), Pjetri, Koçi. (Në dispozicion: Jusufi, Sufaj, Deda). Trajner: E. Bodgani
Shqipëria do të luajë takimin e radhës të martën ndaj seleksionit të kolegjeve të Anglisë, ndërsa ndeshjen e fundit e ka përballë vendasve të Italisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"