Esi Lufo: Si e theva rekordin e Vllaznisë
“Muri” kuqeblu do të thyhej nga Kinostudio pas 12 javëve. Ajo që prishi rekordin e Vllaznisë ishte qendërsulmuesja 15-vjeçare, Esi Lufo. Në një intervistë për “Panorama Sport”, e reja e talentuar rrëfen emocionet e asaj sfide.
Si ndiheni pasi prishët serinë e 12 Vllaznisë që nuk pësonte prej 12 ndeshjesh?
Është një ndjesi e papërshkrueshme të thyesh këtë tabu që vazhdonte prej 12 ndeshjesh. Do të ishte akoma më e bukur nëse do të fitonim.
Si shkoi aksioni që çoi në finalizimin tuaj me gol?
Ishte një top i ardhur nga lart dhe u kthye në zonë nga sulmuesja tjetër Klarita. Aty u ndodha në kontakt me topin, driblova një nga mbrojtëset e Vllaznisë dhe më pas e gjuajta në portë. Falë një pakujdesie të portieres kundërshtare arrita të shënoj.
Cili ishte reagimi i parë i portieres shkodrane pasi i shënuat?
Reagimin e saj nuk e pashë pasi festova golin, por me siguri ka ndier keqardhje dhe besoj se do të jetë mërzitur që i shënoi një 15-vjeçare.
Po nga shoqet e skuadrës?
Të gjitha vajzat ishin tejet të lumtura.
Prej sa vitesh luani futboll dhe përse zgjodhët këtë sport?
Futbollin e kam filluar që e vogël, por Kinostudio është ekipi i parë dhe besoj i vetmi në Shqipëri. Kam zgjedhur këtë sport, pasi është diçka që me të vërtetë e bëj me pasionin më të madh. Është një sport që të fal emocione shumë të veçanta.
Ju jeni edhe pjesë e Kombëtares së U-19?
Po, e vërtetë. Grumbullimi im i parë me kombëtaren ka qenë në ndeshjen miqësore që u zhvillua me Malin e Zi.
Cili është idhulli juaj në futboll?
Idhulli im është Ronaldinjo, ndërsa te femrat preferoj Aleks Morgan.
Me cilën skuadër jeni tifoze në Shqipëri, po në kampionatet e huaja?
Jam tifoze e Partizanit, Barcelonës e Milanit
Keni ndonjë parashikim se kush e fiton titullin kampion në Shqipëri?
Besoj se Partizani do të dalë kampion. Ndërsa nga femrat, tashmë dihet.
A keni një dedikim për golin e shënuar ndaj shkodraneve?
Dedikimi i golit normalisht shkon për trajnerin për punën që bën. U duk qartë që e festova golin me trajnerin në pankinë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"