Eugert Zhupa, kampion edhe në rezistencë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2012 | 12:51

Eugert Zhupa, kampion edhe në rezistencë

Marildo Hoxha i Apolonisë, Iltian Nika i Botegones dhe Eugert Zhupa i Besës janë kampionët e Shqipërisë në garën e rezistencës/linjë. Sipas sekretarit të garave, Genti Perzhita, pas kronometrit kombëtari individual uli siparin pasditen e djeshme me atë të rrugës në tri kategoritë, kadetë, të rinj dhe elitë/U-23. Ndërsa dy të parat ndoqën si itinerar Tiranë- Lezhë-Ishëm 105 km, elitarët përshkuan itinerarin Tiranë- Reps-Ishëm, 160 km e gjatë. Te kadetët podiumi ishte i gjithë i Apolonisë me Hoxhën kampion, i cili realizoi kohën më të shpejtë 3h01:34, i ndjekur nga Nikolo Sila me kohën 3h02:03 dhe Endri Milo me kohën 3h02:04. Po aq çiklistë sa mbërritën në finish, pesë, po aq edhe nuk arritën ta përfundonin garën deri në fund: Klajd Boga, Eni Kuçi, Klaudio Keçi, Luiz Janko dhe Oldi Hysenllari. Ndërkohë kampion i të rinjve u kurorëzua çiklisti Iltian Nika i skuadrës italiane Botegone, i cili në fund regjistroi kohën 3h00:42. Në konkurrimin e fundit, atë elitë/ U-23 vetëm katër e përfunduan garën, Eugert Zhupa i shpallur kampion, Ylber Sefa, Besmir Banushi (fituesi i Turit të 69-të çiklistik) dhe Erikson Picaku, ndërkohë 11 të tjerë të nisur nga starti u tërhoqën. Risi e kampionatit kombëtar individual të 2012-ës ishte rikthimi pas plot 62 viteve në pedalim edhe i një emri që ka bërë jo pak jehonë në arenën kombëtare, por jo vetëm, si skuadra e Pogradecit. Me iniciativën dashamirëse të drejtorit teknik të ekipeve kombëtare, Genc Angjeli, dhe bashkëpunimin e kryebashkiakut të Pogradecit, Artan Shkëmbi, njëherësh klubit shumësportësh u bë e mundur konkurrimi i liqenorëve. Përgjatë dy ditëve të kampionatit bënë një prezantim dinjitoz Panajot Capollari, Marileljan Velillari e Oldi Hysenllari çka dëshmuan se janë duke ecur në mënyrën më të mirë të mundshme në gjurmët e ikonës së pedalimit pogradecar, por edhe atij kombëtar të viteve 1946-1949, Pirro Angjeli.

Pjesëmarrësit
Në kampionatin kombëtar individual të zhvilluar në datat 2-3 korrik morën pjesë 47 çiklistë, si ata vendës, por edhe disa legjionarë të Italisë. Garat u zhvilluan në kronometër dhe rezistencë/linjë (rrugë) të ndara në tri kategori: kadetë, të rinj dhe elitë.
OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"