“Falënderoj klubin, koha për të parë hapësira të reja”. Olivera ikën nga Vlora, Elbasani destinacioni i ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2024 | 11:48

“Falënderoj klubin, koha për të parë hapësira të reja”. Olivera ikën nga Vlora, Elbasani destinacioni i ri

Tri përforcime dhe katër rinovime është bilanci i momentit për Flamurtarin në merkaton e verës. Trimror Selimi, Alesandro Kacbufi dhe Aldrit Oshafi janë afrimet në merkato, ndërsa lojtarët e sezonit të shkuar që kanë rinovuar deri tani janë Fabio Hasa, Fabjan Beqja, Vasil Shkurtaj dhe Denis Pjeshka.

OLIVEIRA FLAMURTARI

Listës së rinovimeve te kuqezinjtë pritej që t’i shtohej edhe mesfushori Indio Oliveira, por mesa duket palët nuk e kanë gjetur akordin për vazhdimësinë. Kështu që  Indio Oliveira i jep fund aventurës me Flamurtarin. Braziliani, i cili është konvertuar në vlonjat pasi është martuar dhe ka krijuar familje në qytetin bregdetar, largohet pas një kontributi trevjeçar në Vlorë. Shkak me sa duket është mosplotësimi nga klubi i kërkesës për rritje page. Për herë të parë në Shqipëri, jashtë Brazilit, luajti me Flamurtarin në sezonin 2019-2020, për të shkuar në sezonin 2020-2021 tek Oriku, duke qëndruar gjithsesi brenda Vlorës. Nga viti 2021 dhe deri tani luajti me Flamurtarin.

Mesfushori 30-vjeçar do të kërkojë tashmë një aventurë të re. Gjasat janë që të mbetet në Shqipëri dhe të luajë në Kategorinë Superiore. “Panorama Sport” zbulon se janë të gjitha shanset për brazilianin të luajtur në Elbasan. Klubi verdheblu e kërkoi edhe gjatë sezonit të shkuar, por Indio Oliveira nuk u la i lirë nga administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi. Në këto kushte, drejtuesit e Flamurtarit duhet të gjejnë zëvendësuesin e Indio Oliverës në mesfushë. Për momentin më problematike në kampin vlonjat shikohet vonesa në emërimin e trajnerit të ri, duke ditur se klubi nuk e pret më Jeton Beqirin dhe emri i tij duket se është fshirë nga lista e kandidatëve për stolin.

KONFORMIMI- I kontaktuar nga “Panorama Sport”, braziliani Oliveira ka konfirmuar largimin nga kuqezinjtë duke bërë vetëm falënderime për Flamurtarin. “Nga sot (dje) nuk do të jem më futbollist i Flamurtarit. Falënderoj klubin për këto vite bashkëpunimi, ku kam dhënë maksimumin tim te skuadra vlonjate. Normalisht që tashmë ka ardhur koha për të parë hapësira të reja. Faleminderit Flamurtar!”, u shpreh për gaztën mesfushori brazilian, pas vendimit për t’u “divorcuar” me kuqezinjtë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"