Falimenti po bëhet modë/ 5 vite gjyqe, si u “zhduk” KF Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2021 | 0:21

Falimenti po bëhet modë/ 5 vite gjyqe, si u “zhduk” KF Elbasani

Elbasani ndjek shembullin e Luftëtarit. Vërtet nuk mund të flasim për shkrirje e faliment, por për krijimin e një shoqërie të re dhe me një tjetër sigël. Verdheblutë mund të funksionojnë edhe me dy ekipe, e megjithatë duket e vështirë kur dihet odiseja e gjyqit me anglezët dhe borxhet e shumta.

egnatia elbasani

Frika në këtë mesele është se kjo praktikë po kthehet në modë. Mund të ndodhë që të njëjtën rrugë të ndjekë edhe Flamurtari i saporënë në Kategorinë e Dytë dhe me një listë të stërgjatë detyrimesh financiare. Deri këtu nuk ka asnjë të keqe, pasi e njëjta gjë ka ndodhur edhe me klube të mëdha europiane, por rrjedhimisht lind pyetja: A po bëhen mirë llogaritë me historinë? Në këtë formë rrezikohet e shkuara dhe në një lloj forme identiteti.

Futboll klub Elbasani vazhdon të jetë në pronësi të plotë të kompanisë angleze “Manchester Group”. Në gushtin e 2016-ës, shitja e tij u bë një prej lajmeve më të bujshme të asaj vere. Operacioni shkonte në 1 milion euro dhe në dukje ishte një projekt serioz. Pati premtime të mëdha dhe deklarata për rikthimin e skuadrës në nivelet më të larta. Por, me kalimin e muajve, gjithçka u zbeh dhe nisën të shfaqeshin problemet.

eLBASANIIII

Jemi 5 vite më vonë dhe klubi me letra vazhdon të jetë në pronësi të “Manchester Group” dhe me një mal me halle. Anglezët kurrë nuk e morën në dorëzim ekipin dhe sot e kësaj dite vazhdon saga e gjyqeve dhe misterit, pasi kurrë nuk u mor vesh se çfarë ndodhi realisht me këtë histori. Skuadra është financuar prej Arben Lazes në sezonet e fundit dhe vuajtjet e kanë shoqëruar. Jo vetëm militim në inferiore dhe krizë financiare e borxhe, por edhe degdisje…

Ndonëse qyteti i Elbasani ka një ndër stadiumet më të mira në Shqipërisë, dyert i ka pasur gjithnjë të mbyllura. Ekipi prej gati dy sezonesh është detyruar që të luajë ku të mundet, sa në Cërrik, Peqin e madje ka shkuar deri në Berat. Një ndër klubet më të vjetra në vendin tonë dhe me 2 tituj kampion prej një dekade është tulatur në një krizë pa krye.

FUTBOLL KLUB ELBASANI

Krijimi: 1923

Stadiumi: “Elbasan Arena”

Kapaciteti: 12.500

Presidenti: Arben Laze

Trajner: Anxhelo Suta

Liga: Kategoria e Dytë

TITUJ

Kategoria Superiore 2 (1983-1984 dhe 2005-2006)

Kupë Shqipërie 2 (1975 dhe 1992)

Superkupë 1 (1992)

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"