Fler babai i Bakajt: Partizani u vonua, Elisi do të shkonte atje edhe për 2 mijë euro më pak
Rikthimi i Elis Bakajt në Shqipëri ka qenë tema më e diskutuar gjatë këtyre ditëve. Debate, revoltë dhe shumë diskutime në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, drejtuesit e Partizanit janë shprehur të indinjuar që mesfushori zgjodhi Kukësin për të firmosur. Një ditë më parë, në një intervistë për gazetën, drejtori teknik i klubit të kuq, Genc Tomorri u shpreh se Bakaj e preu në besë ekipin kryeqytetas. I menjëhershëm ka qenë dje reagimi i të atit të lojtarit dhe njëkohësisht këshilltar menaxherial i mesfushorit, Flamur Bakaj. Ky i fundit rrëfen gjithçka ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, duke zbuluar të gjithë tratativat që janë bërë për Elis Bakajn. “Nga Partizani vonoi oferta dhe nga klubi i kuq kam marrë vetëm dy telefonata. Elisi nuk mund të priste pa fund”, thotë ndër të tjera i ati i lojtarit.
Rrëfimi “Po ju tregoj me sinqeritetin më të madh gjithçka ka ndodhur gjatë këtyre ditëve, që nga fillimi. Menjëherë, sapo është publikuar në media se Bakaj do të rikthehej në Shqipëri për shkak të situatës që u krijua në Ukrainë dhe ndërprerjes së kampionatit, më ka kontaktuar në telefon drejtori teknik i Kukësit, Edmond Gëzdari, të cilin e kam edhe mik. Kemi folur bashkë dhe më ka shprehur dëshirën e klubit që përfaqëson që Elisi të firmoste për skuadrën kuksiane. I kam thënë që të vijë djali dhe të flasim sërish. Më pas më ka kontaktuar drejtori teknik i Partizanit, Genc Tomorri. Jam takuar me të dhe kemi folur edhe si miq. Edhe ai ka shprehur dëshirën që Elisi të bëhej pjesë e ekipit të kuq”, nis rrëfimin e tij i ati i mesfushorit.
Tratativat Flamur Bakaj tregon gjithçka me detaje çfarë ka ndodhur nga e enjtja deri të dielën e kaluar. “Kur Elisi ishte të mërkurën në Rumani, Gëzdari e ka kontaktuar me telefon dhe kanë folur në lidhje me dëshirën që kishte Kukësi për ta afruar. Kur lojtari mbërriti në Shqipëri të enjten, më ka marrë sërish në telefon Genc Tomorri dhe i kam thënë që Elisi pranonte të bëhej pjesë e Partizanit edhe me 2 mijë euro rrogë mujore më pak, në krahasim me atë që do t’i afronin skuadrat e tjera. Edhe vetë djali im ma kishte shprehur hapur që tek të kuqtë shkoj edhe me dy mijë euro më pak. Por, që pas këtij momenti, asnjë kontakt të premten dhe të shtunën nga klubi i Partizanit. Nga ana tjetër, të dielën më ka kontaktuar Gëzdari i Kukësit dhe më tha që presidenti Safet Gjici dëshironte të takonte Elisin dhe mua. Gjatë takimit, djalit i ka rënë në telefon Genc Tomorri, por ai foli me të vetëm pasi përfunduam takimin. Nuk mund të fliste në moment që ne diskutonim. Folëm me presidentin e Kukësit dhe ramë dakord. Më pas, Elisi ka kontaktuar me Tomorrin dhe ka takuar presidentin e të kuqve, Gaz Demi, në orën tetë të mbrëmjes. Nuk mund të prisnim pa fund, në një kohë që oferta nga të kuqtë vonoi”, shprehet Flamuri. I ati i fantazistit tregon se çfarë i ka thënë Tomorrit ato ditë. “I kam thënë drejtorit të Partizanit gjatë atyre ditëve që të bënin ofertën zyrtare pasi përveç Kukësit, edhe Tirana interesohej për lojtarin, prandaj duhej të nxitonin. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Ja sheshi, ja mejdani, vallen duhet ta hedhë kapedani”. Ditët kalonin dhe nuk mund të prisnim pa fund. Nga ana tjetër, këtë sqarim e bëj për të gjithë tifozët e kuq. Unë jam vetë tifoz i Partizanit dhe i jam borxhli të gjithë mbështetësve, por është mirë që të gjithë të sqarohen se çfarë ka ndodhur me Bakajn dhe vendimin e tij”, përfundon rrëfimin e tij për gazetën “Panorama Sport”, i ati i lojtarit Flamur Bakaj.
Shembull bardheblu, Demi i jep leksione Bakajt
Të dielën në mbrëmje, presidenti i Partizanit, Gaz Demi dhe mesfushori Elis Bakaj zhvilluan një takim “kokë më kokë”. Por, më parë lojtari kishte rënë dakord që të firmoste me Kukësin. Nga burime të sigurta pranë takimit, mësohet se Demi ndër të tjera i ka dhënë leksione mesfushorit, duke marrë si shembull ish-lojtarët e Tiranës. “Ti nuk ke nevojë që të presësh ofertë nga Partizani. Ti e ke të hapur derën tek klubi ynë ku ke lindur dhe je rritur. Ti mund të vish të bësh stërvitje me skuadrën pa asnjë lloj problemi, ashtu siç ndodh edhe me lojtarët që kanë qenë më parë me Tiranën dhe gjatë kohës së pushimeve nga kampionatet e huaja, vijnë dhe stërviten me ekipin bardheblu. Këtë mund të bëje edhe ti dhe më pas flisnim e diskutonim në lidhje me kontratën. Është tjetër çështje nëse firmosnim ose jo. Por, ti e kishe derën e hapur tek ne”, i ka thënë ndër të tjera Demi mesfushorit shqiptar. Kur është zhvilluar ai takim, Bakaj kishte arritur akordin me Kukësin.
BESAR BOZGO
Shfryn Partizani: Bakaj na preu në besë…
Drejtori teknik i Partizanit, Genc Tomori, ka qenë personi që është marrë me bisedimet për afrimin e Elis Bkajt tek të kuqtë. Duke qenë se Tomori e njeh mirë lojtarin, që nga fëmijëria kur ishte pjesë e akademisë, për “Panorama Sport” tregon kontaktet që ka pasur me lojtarin dhe prindërit e tij. Sipas Tomorit, Elisi kishte thënë se nëse kthehej në Shqipëri, Partizani ishte zgjedhja e parë, por realisht lojtari veproi ndryshe. Drejtori tregon prapaskenat e çështjes “Bakaj”, pasi lojtari u afrua te Partizani, kur kishte mbaruar punë me Kukësin. Ja sqarimi i Genc Tomorit për bisedimet e kryera me Elis Bakajn: “Që kur u mësua lajmi se Elis Bakaj mund të dilte lojtar i lirë, kam kontaktuar me prindërit e lojtarit. Më pas e lamë që të bisedonim edhe me Elisin kur të vinte në Shqipëri. Ne i nisëm bisedimet që Bakaj të vinte te Partizani, pasi edhe ai vetë ishte shprehur se nëse kthehej në Shqipëri, klubi nga doli do të ishte zgjedhje e parë. Kur Elisi u kthye në Shqipëri e kam takuar disa herë, madje para ndeshjes me Teutën e ftova të shkonim së bashku në Durrës dhe të shikonim Partizanin. Lojtari më tha se nuk kishte mundësi, pasi kishte disa punë personale. Sipas fjalëve të tij dhe familjes, prisnim që Partizani të ishte zgjedhja e parë dhe për këtë ne ishim vazhdimisht në kontakt duke pritur që ai të ulej në bisedime me presidentin. Pas ndeshjes me Teutën, të dielën, kam komunikuar sërish me Elisin, por më tha se ka hyrë në bisedime me Kukësin dhe ishte pranë akordit. Me të mësuar këtë lajm i kërkova që të bisedonim sërish dhe së bashku shkuam e takuam presidentin. Ai e priti miqësisht djaloshin në takim. Por kur mori vesh nga lojtari ishte pranë firmës me Kukësin, Demi i dha dorën dhe i uroi fat në zgjedhjen që kishte bërë. Madje, presidenti i tha se atë e prisnin që të niste stërvitjen me Partizanin sapo të vinte në Shqipëri dhe më pas të uleshim e të bisedonim. Në fakt Elisi u paraqit tek ne, pasi kishte mbaruar punë me Kukësin. Personalisht e vlerësoj Bakajn si lojtar se ka dalë nga akademia jonë, por Elisi nuk na respektoi ne si zgjedhje të parë. Nuk na shkonte mendja se lojtari do të bisedonte me ekip tjetër para Partizanit dhe u paraqit te ne pasi kishte folur me Kukësin. Presidenti vendosi që të mos vazhdonte më tej kjo tentativë. Ai e ka si parim të mos ndërhyjë në punët e klubeve të tjera. Gjersa Elisi kishte folur dhe rënë dakord me Kukësin, ne nuk mund të bëheshim pjesë e pazareve, pasi nuk është në politikën e klubit për të ndërhyrë në punët e të tjerëve. Këtu ka një kontradiktë të hapur. Në fillim u tha se për lojtarin Partizani ishte zgjedhja e parë, prandaj pritej që palët të uleshin në bisedime. Kjo është gjithë situata që ka të bëjë me tratativat për afrimin e Elis Bakajt te Partizani”.
Faza e tretë- Përveç çështjes “Bakaj” drejtori Tomori ka folur edhe për pjesën e mbetur të kampionatit. “Partizani i ka mbyllur dy fazat e para brenda parametrave të kërkuar, por duhet të jemi më të vëmendshëm në 11 javët në vazhdim. Dihet që kjo është pjesa më e vështirë e kampionatit, sepse nuk e din nga të vjen e keqja. Prandaj duhet të jemi të mobilizuar dhe të shikojmë që të ngjitemi lart në renditje. Partizani duhet të grumbullojë sa më shumë pikë që ta realizojmë objektivin primar. Duhet ta nisim me rezultate pozitive fazën e tretë”, – u shpreh Genc Tomori.
Njoftimi zyrtar i Partizanit për çështjen Bakaj
Elis Bakaj ka pohuar se nuk ka marrë asnjë ofertë nga Partizani, kështu që ai zgjodhi Kukësin. Drejtuesit e kuq, me anë të një deklarate të bërë dje nga zyra për shtyp e klubit, zyrtarisht sqarojnë çështjen “Elis Bakaj” dhe veprimet që ata kanë kryer. Ja deklarata e plotë e klubit: “Klubi kërkon të sqarojë mbarë opinionin publik për çështjen Elis Bakaj: Nuk është aspak e vërtetë që drejtuesit e klubit kanë qëndruar indiferentë ndaj lojtarit, i cili konsiderohet si një prej talenteve më të mirë që ka prodhuar Akademia “Partizani”. Pas kontakteve të shpeshta të drejtorit teknik, Genc Tomori, përgjatë gjithë këtyre ditëve, mbrëmjen e së dielës Bakaj ka zhvilluar një takim nën shoqërinë e Tomorit dhe presidentit Demi. Vetë lojtari pranoi se kishte arritur një paramarrëveshje me drejtuesit e Kukësit, lëvizje e cila binte në kundërshtim me deklaratat e fundit, ku ai ishte prononcuar se klubi i parë që do të niste bisedimet në Shqipëri do të ishte Partizani. Klubi vendosi të respektoje zgjedhjen e Bakajt drejt Kukësit, çka ishte dëshira e vetë lojtarit. Presidenti Demi ka si parim të mos ndërhyjë në negociatat që kolegët e tjerë, presidentë klubesh, zhvillojnë me lojtarë që synojnë t’i kenë pjesë të ekipeve të tyre”.Çfarë tha lojtari për Partizanin
Një ditë më parë në një intervistë për “Panorama Sport” Elis Bakaj pohoi se ka zgjedhur Kukësin sepse, sipas tij, askush tjetër nuk i bëri një ofertë konkrete, këtu përfshihet edhe Partizani. “Zgjodha Kukësin se më bëri ofertën më të mirë dhe më serioze. Unë kam nevojë të luaj dhe nuk kisha shumë kohë për të qëndruar në negociata. I mirëkuptoj tifozët e Partizanit dhe ata e dinë sa shumë e kam në zemër këtë skuadër, por ama nuk mund të shkoja në një ekip ku nuk mora asnjë ofertë konkrete. Prita dy ditë dhe asgjë. Askush s’erdhi të më thoshte: “Eja, të ofrojmë kaq, sepse kaq mundësi kemi”, – dhe unë t’u thosha “po” ose “jo!”. Asnjë ofertë konkrete, asnjë shifër e asnjë detaj! Ndoshta duket sikur jam unë i keqi në këtë rast, por nuk është aspak kështu. Jua them me ndershmëri. Nuk kisha luksin të prisja më tepër, sepse kam nevojë të luaj. Ata që më njohin e dinë mirë sa e vlerësoj atë klub”- u shpreh Elis Bakaj.
Fantazisti bëhet çështje, pritet vendimi i FIFA-s
Elis Bakaj është “de fakto” (jo “de jure”) një lojtar i Kukësit, por ai nuk mund të luajë ende me këtë skuadër në kampionatin shqiptar. Lajmi konfirmohet edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. Sipas shefit të sektorit të garave në këtë institucion, fillimisht do të duhet të vijë një përgjigje pozitive nga FIFA para se Bakaj të mund të federohet rregullisht dhe më pas të zbresë në fushë me fanellën e Kukësit në një ndeshje zyrtare të kampionatit shqiptar. Sipas mediave ukrainase, fantazisti u largua nga Çernomorets Odesa para pak ditësh, për shkak të situatës kaotike në të cilën ndodhet ky vend. Kështu, drejtuesit e klubit të Odesës u konfirmuan 6 lojtarëve të huaj që kishin në organikë se ishin të lirë të largoheshin dhe të luanin me cilëndo skuadër tjetër jashtë Ukrainës. Në pamje të parë, duket se vendimi i drejtuesve të Çernomorets Odesa është i drejtë dhe njerëzor, por fakt është se jo në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe të gjitha klubet e tjera. Në këtë këndvështrim, para se Bakaj të federohet me një klub tjetër, do duhet që të shprehet edhe FIFA. “Klubi i Kukësit ka bërë një kërkesë në federatë, ku kërkon federimin e lojtarit, bazuar në kushtet e krijuara tek ish-skuadra e tij. Ne si federatë kemi për detyrë që t’ia dërgojmë këtë informacion FIFA-s, pasi vetëm ajo mund të shprehet mbi aktivizimin ose jo të tij me Kukësin. Kështu që, derisa të vijë përgjigja nga FIFA, Bakaj nuk mund të luajë për Kukësin. Sakaq, unë nuk mund t’ju them sesa do të vonojë kjo gjë, pasi e dini fort mirë se nuk varet nga federata”, – ka sqaruar Besnik Çela. Vetëm një ditë më parë, Bakaj gjeti akordin me presidentin e Kukësit për deri në fund të këtij sezoni, por me gjasa do të duhet ende kohë për ta parë futbollistin në fushë me fanellën e këtij ekipi.
Bakaj nis stërvitjen
Elis Bakaj dje ka nënshkruar zyrtarisht me Kukësin dhe kontrata e tij ndodhet në FSHF. Pas nënshkrimit të kontratës, Bakaj ka zhvilluar dje një seancë stërvitore me verilindorët, por nuk ka udhëtuar pasdite me ekipin drejt Kukësit, pasi po merret me procedurat e dokumentacionit. Gjithsesi, sot pritet që Elis Bakaj të jetë në Kukës, ku do të zhvillojë stërvitjen e fundit së bashku me ekipin për ndeshjen me Vllazninë.
Udoh, i pakënaqur që nuk përfshihet për Bylisin
Përgatitjet e të kuqve dje janë zhvendosur në Yrshek. Trajneri Sampaio u kushtoi një vëmendje të veçantë stërvitjeve tekniko-taktike, duke qenë se ndaj Bylisit kërkohet një Partizan i qartë në veprime. Për këtë ndeshje nuk ka të pezulluar, por dëmtimet janë prezent. Emiljano Musta është përgatitur i diferencuar dhe është i pamundur për nesër. Mbrojtësi Ahmeti ka kohë që mbetet jashtë grupit, pasi po ndjek fazën riaftësuese. Dje Hyshmeri u përgatit me ekipin, ndërsa pjesën e fundit e mbylli i diferencuar. Mbrojtësi Feliks Udoh është kthyer nga pezullimi, por mësohet se nuk do të jetë ndaj Bylisit, fakt që nuk i ka pëlqyer nigerianit. Arsyetimi ka të bëjë me problemin se në ekip ka shumë të huaj. Udoh është ndierë i anashkaluar nga ky vendim i stafit, ndonëse trajneri u mundua t’ia sqaronte përzgjedhjen.
Nëntë pikë në 3 ndeshjet e para
Paraqitja e fundit në Durrës ka lënë shije të keqe te drejtuesit e Partizanit, por ka shtuar edhe pasigurinë e brendshme, pasi nëse vijohet me këtë ecuri, situata mund të marrë për keq. Për të evituar shkërmoqjen e objektivave, por edhe mbajtjen nën ritëm të ekipit, prej dy ditësh bordi drejtues i Partizanit me në krye presidentin Demi janë marrë shtruar me problematikën e klubit, si dhe për të ngritur strategjitë për fazën e tretë. Për të qenë të sigurt në realizimin e objektivave kërkohet që Partizani të marrë maksimumin në ndeshjet e para të kësaj faze, që konsiderohen më të lehta, për faktin se përballen me skuadrat e fundit të tabelës. Më e pakta që duhet të bëjë ekipi është që të marrë nëntë pikë në tri ndeshjet e para të fazës së tretë. Të mërkurën Partizani pret Bylisin dhe vetëm fitorja është rezultat i pranueshëm për të kuqtë. Në fundjavë shkojnë në Shkodër dhe kërkohet të thyhet “tersi”, sepse të kuqtë nuk fitojnë që nga 4 prilli i 1993-shit. Pastaj vjen derbi me Tiranën, një sfidë ku duhet fituar për klubin, por më shumë për tifozët. Një disfatë e radhës me bardheblutë do t’i kushtonte shumë Partizanit, pasi mund të humbiste mbështetjen e tifozëve për pjesën e mbetur të kampionatit. Përpos zërave që kanë të bëjnë me vazhdimësinë e trajnerit Sampaio, nga klubi deklarohet se portugezi gëzon besimin e plotë të presidentit Gaz Demi, i cili ka dhënë fuqi të plotë vepruese në ekip. Në katër ndeshje që Partizani është drejtuar nga Marcio Sampaio, të kuqtë kanë marrë një fitore ndaj Lushnjës dhe tre barazime, 1-1 në Shkodër, 0-0 me Skënderbeun dhe 1-1 në Durrës.
ILIR CARA / LEONARD KARAJ