Farruku: Burreli meritonte më shumë, veçoj golin që shënova në transfertën e Vlorës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2024 | 17:13

Farruku: Burreli meritonte më shumë, veçoj golin që shënova në transfertën e Vlorës

Florenc Farruku mbylli një sezon pozitiv me Burrelin, ku gjeti rrugën e rrjetës në tetë raste duke u bërë golashënuesi më i mirë i skuadrës. Paraqitja e sulmuesit në edicionin që lamë pas, ka qenë mjaft e mirë.

farrukuu

Me golat e shënuar ai ka qenë përcaktues në disa nga fitoret e matjanëve. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Farruku bën analizën e skuadrës dhe shpreson që në edicionin e ri të hedhë hapa të rëndësishëm në karrierë.

Pas përfundimit të kampionatit bëhet analiza e ecurisë së skuadrës. Sipas jush, a e meritoi Burreli vendin e tetë në renditje?
Duhet pranuar se kemi bërë një kampionat me luhatje. Në pamje të parë mund të themi se pozicionimi është i pranueshëm, pasi fituam me ekipe të mëdha e me traditë në futbollin shqiptar, që u renditën më lart. Pozicionimi më gjashtëshen e parë do të ishte më i pranueshëm. Nuk na falen hapat fals të bëra në fushën tonë, sidomos me skuadrat rivale.

Cili gol ka qenë më i bukuri për ju këtë edicion?

Çdo gol ka bukurinë e vet, por ata në transfertë kanë një peshë të veçantë, aq më shumë kur i shënon një skuadre që pretendon për më lart. I tillë ishe goli i shënuar në fazën e dytë ndaj Flamurtarit në Vlorë. Kishim vite që skuadra jonë nuk njihte fitore ndaj vlonjatëve. Ndeshja e Vlorës na shërbeu pozitivisht për pjesën në vazhdim.

Ka dhe gola të rëndësishëm që përcaktojnë fatet e skuadrës, sipas jush cili ka qenë ai më i rëndësishmi?

Golat gjithnjë kanë rëndësinë dhe peshën e tyre, por mund të veçoj golat e shënuar ndaj Apolonisë në javën e fundit të kampionatit. Skuadra vinte në ndeshjen e fundit pas disa rezultateve negative. Ishte krijuar një ngërç psikologjik në skuadër dhe vetëm një fitore na rikthente qetësinë e duhur. Falë lojës dhe karakterit të skuadrës, fituam dhe i dhamë fund stresit që na mundonte prej javësh, duke i shpëtuar jo vetëm rënies direkt, por edhe “play out”-it.

Me këtë ekip, a mundet Burreli të jetë konkurrues në sezonin e ri?                  Në fakt, një pyetje e tillë mund t’u bëhet drejtuesve. Fakti që ne luajmë kaq vite së bashku, e bën skuadrën shumë kompakte. Mendoj se boshti i ekipit duhet ruajtur dhe si çdo skuadër, dhe Burreli e ka të nevojshme ndërhyrjen në merkato.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Dëshira është të hedh një hap përpara në karrierën time. Ofertat nuk më kanë munguar. Burreli mbetet skuadra ime e zemrës, që më rriti dhe më formoi si futbollist.

NDERIM GOCI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"