Fazliu: Bëra mirë që lashë Partizanin për Flamurtarin
Astrit Fazliu premton maksimumin me fanellën e Flamurtarit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori i krahut me tipare sulmuese shprehet i kujdesshëm kur bëhet fjalë për objektivat, por thotë se ekipi duhet që të bëjë më të mirën e tij gjatë gjithë sezonit. Fazliu deklaroi se pas fitores me Luftëtarin, Flamurtari nuk duhet që të jetë euforik, ndërsa thekson se penalltitë në Korçë ishin të paqena. Duke u ndalur te Partizani, Fazliu tha se ka bërë mirë që është larguar, nisur nga situata e krijuar aty.
Astrit, si e shikoni startin që Flamurtari i ka bërë sezonit të ri?
Mendoj se e kemi nisur në mënyrën më të mirë kampionatin dhe them se do të kemi rezultate pozitive. Jemi të kënaqur pas fitores me Luftëtarin, por nuk duhet të jemi euforikë. Në fakt, meritonim të dilnim me pikë edhe nga transferta e Korçës.
Mendoni se në Korçë ndikoi gjykimi?
Nuk e kam zakon që të merrem me gjykimin, por mendimin tim mund ta jap. Janë disa sekuenca që nuk kanë qenë për penallti. Megjithatë, janë të tjerë njerëzit që e gjykojnë këtë.
Sipas mendimit tuaj, ky ekip është për titull ose për Kupat e Europës?
Për objektivat ndoshta mund të flasim më vonë. Mund të them se me seriozitet nga ndeshja në ndeshje mund të rritemi, të bëjmë më të mirën. Duhet që t’i marrim gjërat me radhë.
Si u ndiet në debutimin tuaj me fanellën e Flamurtarit?
Realisht u ndjeva shumë mirë. Isha i bindur se do ta fitonim atë ndeshje dhe, në fund, e mbyllëm me sukses. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu, me rezultate pozitive dhe lojë të mirë.
Në ndeshjen me Skënderbeun munguat. Për çfarë arsye?
Kam pasur një lëndim të vogël dhe së bashku me trajnerin menduam që të mos rrezikonim për atë ndeshje, me qëllim që të isha gati për takimin e radhës.
Çfarë premton Astrit Fazliu me fanellën e Flamurtarit?
Nuk e kam zakon të premtoj, por çka mund të them, është angazhim maksimal dhe seriozitet në lojë.
Si e vlerësoni ndeshjen e radhës me Vllazninë?
Ndeshje e vështirë, por e radhës për ne. Duhet që të japim maksimumin tonë.
Çfarë rezultati mund të arrini në Shkodër?
Na duhet fitorja. Si në çdo ndeshje, edhe në këtë takim duhet që të futemi në fushën e lojës për tri pikë.
Nga ju personalisht kërkohen gola. Jeni në presion?
E shikojmë që në futbollin e sotëm sulmuesit apo mesfushorët e krahut kanë shumë punë, kështu që duhet të bëjmë gjithmonë maksimumin. Nuk duhet thënë se nga ne kërkohen shumë gola. Të shënosh është shumë mirë, por e rëndësishme është që ekipi të ecë përpara.
Si e shikoni ish-ekipin tuaj, Partizani, këtë sezon?
Sa kam qenë unë, starti tek ai ekip ka qenë më i mirë. Megjithatë, nuk e ka nisur keq. Është fillimi dhe gjërat do të shikohen gjatë kampionatit. Nga çdo ekip i madh kërkohet një start më i mirë.
Mendoni se bëtë mirë që u larguat nga Partizani?
Si u krijua situata në 6 muajt e fundit, them se kam bërë mirë që jam larguar. Aty kishte shumë mosmarrëveshje dhe shumë lojtarë u larguan.
Si mendoni, pse u krijua ajo situatë?
Nuk e di, por ndoshta ngaqë erdhën shumë futbollistë dhe u bë një lëmsh i vërtetë, nuk dihej kush duhet të luante dhe kush jo. Edhe trajneri bënte shumë ndryshime. Ndaj, si erdhën gjërat, kam bërë shumë mirë që u largova.
ERMAL SIKA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"