Fejzo Shenaj: Nuk kam firmosur për Luftëtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2012 | 11:33

Fejzo Shenaj: Nuk kam firmosur për Luftëtarin

Një prej futbollistëve kryesorë të Shkumbinit gjatë sezoneve të fundit është pa dyshim edhe mesfushori Fejzo Shenaj. Gjirokastriti është kthyer në një prej lojtarëve më të dëshiruar në Peqin, pasi që prej pesë sezonesh ka dhënë kontributin e tij te kjo skuadër. Tashmë që kontrata e tij me bardhekaltrit ka përfunduar, ai shprehet se ende nuk e ka vendosur se në cilën skuadër do ta vazhdojë karrierën, pavarësisht se ka disa oferta nga klube të Superiores. “Është e vërtetë që unë kam biseduar me drejtuesit e Luftëtarit, por nuk kemi mbyllur asnjë marrëveshje financiare. Së pari unë duhet të respektoj drejtuesit e Shkumbinit, ndaj të cilëve gjykoj se kam detyrim moral. Krerët peqinas kanë qenë mjaft seriozë me çdo lojtar të sezonit të kaluar, e kësisoj edhe mua më duhet të besoj seriozisht në projektet e tyre edhe për sezonin e ri. Gjithsesi, në ditët e ardhshme më duhet të shqyrtoj seriozisht çdo ofertë që ka ardhur në adresën time në këtë periudhë, të cilët i falënderoj. Për Luftëtarin do të gjykoja me gjakftohtësi ofertën e drejtuesve, por së pari më duhet të respektoj edhe krerët e Shkumbinit”, – ka përfunduar Shenaj.
Fatmir Ahmeti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"