“Festa mbaroi, duhet me u zgjue!”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2017 | 19:19

“Festa mbaroi, duhet me u zgjue!”

Besnik-DizdariBESNIK DIZDARI

Këtë titull disi në gegnisht e mora si një lloj antiteze prej një lirike të pashlyeshme të Ernest Koliqit që shkruante: “Ândrra âsht e bukur e s’dishiroj me u zgjue”.

Kështu pra, “festa mbaroi, duhet me u zgjue!”.

Dhe jo thjesht sepse Italia “e madhe” fitoi 2-0 me Shqipërinë “e vogël”. Dihet, simbas disnivelit të futbollit të këtyre dy vendeve, kjo mund të ndodhë kurdoherë. Por ngaqë për kushedi se për sa e sa arsye, që vijnë prej fakteve kokë- fortë, duket qartë se festa mbaroi. E pra na duhet të zgjohemi.

Nuk janë shumë, megjithatë: janë tri humbje rresht, dy prej të cilave me dy skuadra ndër më të famshmet e botës, që janë Spanja e Italia, midis të cilave hyn një katastrofale, ajo 0-3 me Izraelin në Shkodër, që në futboll është më i vogël se Shqipëria. Dhe as thjesht sepse Shqipëria ka humbur tri herë rresht. Tri herë Shqipëria ka humbur kushedi sa herë. Madje për herë të fundit jo shumë larg, por edhe këtu afër, më 2016 (Ukraina – Shqipëria 3-1, Zvicra – Shqipëria 1-0, Franca – Shqipëria 2-0).

Interesantja e statistikës ndërkaq është kjo tjetra: që në 13 ndeshjet e fundit, miqësore e kualifikuese, që i përkasin gjithë vitit 2016 dhe këtij 2017, Shqipëria ka fituar vetëm 4 ndeshje, ka barazuar 1 dhe ka humbur bukur 8 herë! Një bilanc i keq, natyrisht. Interesantja tjetër është se brenda këtij bilanci, i bujshëm madje, hyn edhe vetë viti 2016, edhe pse Shqipëria ishte midis 24 finalistëve të Kupës së Europës!

Kjo është gjuha shpesh e pamëshirshme e bilanceve që pak hyn në gazetarinë e sotme komentuese në Shqipëri, gjuhë që për fat të keq përdoret shumë rrallë. Them se arsyeja është ajo që po e përsërisim vazhdimisht: propagandën edhe të Kombëtares në Shqipëri kryesisht e bëjnë ish-trajnerë, të cilët ia kanë arritur të mposhtin gazetarët.

Dhe është vërtet fantastike që sidomos në TV janë ata që sundojnë, teksa na mbytën me taktikë e teknikë, me “filozofi” mesfushe e mbrojtjeje, me lojtarë krahu e të qendrës, me djathtas e me majtas, sikur të kenë stërvitë skuadrat e botës! (Po a nuk e shihni se mbërrijnë deri në mësimet taktike për një Juventus e Barcelonë?) Në të vërtetë, shumë pak prej tyre ia arrijnë të bëjnë gazetari, që është profesion po aq sa ç’është profesion edhe profesioni i tyre i trajnerit.

Është vërtet e rrallë që në ndeshje të Kombëtares shpesh sheh, bie fjala, më shumë trajnerë me stampën e akreditimit në gjoks sesa gazetarë! Nuk besoj se sot në ekonominë e tregut i merr me vete FSHF-ja në avionin e saj. Nëse kjo ndodh, atëherë assesi nuk ke “guxim” të kritikosh ashpër FSHF-në.

Historia është përmbysur kësisoj, mû në profesionin tonë…

Po ndërkaq, “festa mbaroi, duhet me u zgjue!”.

Mirëpo, o burra të flasim për taktikën e gabuar të trajnerit, për vendosjen e dyshimtë të skuadrës në fushë, për mbrojtjen vetjake apo zonale, për mesfushorin sulmues apo atë mbrojtës. Duke harruar që në 13 ndeshjet e fundit Shqipëria ka 8 humbje dhe 4 fitore krejt modeste. Duke harruar pra se 4 fitoret janë me Katarin, Lietenstejnin, Maqedoninë dhe Rumaninë. Çka do të thotë se vetëm kjo me Rumaninë ka vlera të vërteta të futbollit modern. Kësisoj, statistikisht, në 15 muaj rresht, Shqipëria është një humbëse “e përsosur”.

Këtu festa merr fund. Dhe duhet me u zgjue. Ose duhet të fillojë revolucioni i ri i Kombëtares. Tri ndeshjet e fundit për Kupën e Botës tregojnë se Kombëtarja ka humbur duke luajtur keq. Ka humbur duke luajtur pa një bosht loje. Ka humbur pa pasur pra një organizim mirëfilli, qoftë dhe të frymëzuar prej një regjisori të vetëm. Ka humbur duke mos qenë e zonja assesi t’i japë sadopak kthesë një loje.

Duke përjashtuar tri ndeshjet dinjitoze të FRANCA 2016 – edhe pse dy ishin humbje – në të tjerat ajo ka humbur pa treguar diçka të veçantë. Dhe e keqja më e madhe është se mbas Francës, ajo është përkeqësuar tejet. Ndodhin edhe këto, natyrisht, madje edhe me më të mëdhenj se Shqipëria. Por kjo nuk do të thotë që justifikimi të mbërrijë deri në servilizëm publik…

Ndaluni tash paksa te ndeshja me Italinë, e cila në fushën e lojës paraqiti jo diçka të ndritshme, por një nga formacionet më të zakonshme të saj. Dhe?…

Një fillim shpresëdhënës, një rast i humbur e mandej një futboll i vaktë, i ngadalshëm, pa ide, madje edhe pa vrullin karakteristik shqiptar, siç na e kanë përcaktuar për shumë kohë. Madje edhe pa harmoni taktike, meqë ka plasur dëshira për të folur për taktikë. E për më tej, një qëndrim aspak “estetik” që prodhojnë fort kartonë të verdhë. Kësaj here pesë a gjashtë të tillë. Madje me jomirësjelljen krejt të panevojshme duke iu sulur gjyqtarit për një 11-metërsh të pastër.

Pavarësisht se telekomentatorë shërbestarë e quajtën disi të nxituar, të evitueshëm, madje deri që edhe mund të mos të jepej, ngaqë arbitri ishte pa shumë nivel e ndoshta “na kishte paksa edhe inat”?! Naivitete! Dhe ishte fjala për një rrëzim të pamëshirshëm të kundërshtarit mbas një kapjeje po të pamëshirshme supit të sulmuesit italian. Siç e kemi thënë me kohë, me në krye moviolistët federalistë, mendimi i sotëm futbollistik shqiptar po tregon ose që nuk e njeh rregulloren e 11-metërshit, ose kur flet për të luan vetëm rolin e shërbestarit!

Dhe papritmas vërejmë se Shqipëria e Palermos ishte pothuajse edhe “e vjetër”. Guxim i madh, vërtet! 5 lojtarë mbi 30-vjeçarë, madje nga 31 deri 35 vjeç! Merret me mend që në Federatën Shqiptare të Futbollit nuk do të ketë ndonjë studim gjenetik për mirërritjen e të rinjve shqiptarë, qoftë edhe atyre të Kosovës, të cilët janë gati krejt Kombëtarja e Shqipërisë. Prej këtu mbërrijmë mandej te ritmika e lojës, për çka merret me mend se çfarë “antropologjie” do ta sendërtojë, nëse mund të shprehmi kështu.

Është tejet e vështirë që në këto tri humbje radhazi, apo dhe me fitoret me Maqedoninë e Lietenstejnin, të gjesh një lojtar shqiptar që, si të thuash, të “merr gjak në vetull”, siç poetizon sentenca e vjetër shqiptare. Pavarësisht se midis tyre ka edhe lojtarë të talentuar për ta merituar këtë përcaktim.

Mirëpo, ja që festa mbaroi. Për Kombëtaren duhet të fillojë zgjimi i menjëhershëm, qysh në këtë freski pranverore plot diell. Aq më tepër që mbas humbjes me Italinë, çdo mëtim i saj për kualifikimin ëndërrues për te RUSSIA 2018, mori fund. Dhe mû prej këtu mund të mbërrijë edhe vetë revolucioni.

Ai do të ishte një revolucion me shumë pikëpyetje, çka nuk do t’i ngjajë assesi revolucionit të Leninit që kishte vetëm një variant: “I gjithë pushteti sovjetëve!”.

Mos kujtoni se harrojmë. Kombëtarja modeste e Shqipërisë vitet e fundit, në 50 ndeshjet e drejtimit të trajnerit Gianni De Biasi, ka mbërritur vërtet disa rezultate fort të bukura madje. Ku hyjnë sidomos 10 fitoret në 26 ndeshjet kualifikuese euro-botërore, duke mbërritur edhe 24-shen e Europës – qoftë dhe falë 3-0 që na “e dhuroi” Serbia në tabaka.

Vështroni mirë: në 26 ndeshje euro-botërore, Giani De Biasi ka mbërritur pra 10 fitore, çka do të thotë gati 50 për qind sukses (janë 12 humbje). Asnjë trajner shqiptar as që e ka ëndërruar këtë bilanc. Meritë e madhe, historike e një Gianni De Biasi, doemos edhe e vetë drejtimit të FSHF-së. E megjithatë, kjo nuk do të thotë se Zoti na i merr mendtë deri aty saqë të harrojmë këto 13 ndeshje të fundit me 8 humbje tejet të rënda!

Kaq mjafton për të thënë se “festa mbaroi dhe duhet me u zgjue”. Edhe pse vazhdojnë justifikimet prej gazetarisë shërbestare të FSHFsë, apo analistëve trajnerë që nuk guxojnë ta pezmatojnë sadopak FSHF-në e tyre që në të vërtetë është edhe e jona.

Revolucioni i Kombëtares shqiptare, të cilit nuk i hyn në punë leninizmi i parullës “i gjithë pushteti sovjetëve”, papritmas ka shumë probleme për të zgjidhur:

Problemin e nivelit të ulët të Kampionatit Kombëtar që kërkon një riorganizim të plotë; problemin e përjashtimit të lojtarëve të Republikës së Shqipërisë prej Kombëtares (në ndeshjen e së premtes, ndër 14 lojtarë vetëm 5 ishin të “Shqipërisë”); problemin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të futbollit kombëtaras të Kosovës, bijtë e së cilës gjithnjë e më fort po shkojnë te Kosova e tyre; problemin e rindërtimit me një koncept krejt të ri të përfaqësueseve NEN21, NEN19 e NEN 17 kryesisht me lojtarë të Republikës së Shqipërisë.

(E, në këtë vështrim, përbërja e këtyre përfaqësueseve që prej vitesh nuk arrijnë asnjë rezultat bindës është tronditëse); problemin urgjent të themelimit të Ligës Kombëtare të Futbollit; problemin e trajnerëve të të gjitha këtyre skuadrave përfaqësuese, që është një dilemë meritash, aftësish e sidomos përzgjedhjeje; problemin e pavarësisë së plotë të shtypit e sidomos të televizioneve prej çdo diktati.

Përjashto “Panorama Sport”, asnjëherë gazetaria shqiptare nuk ka qenë më pak kritike ndaj punëve të FSHF-së sesa sot. Pa shkuar tek ajo tjetra që ndoshta është punë ligji: moslejimi i monopolit të të gjitha transmetimeve futbollistike televizive. Përsëri edhe të premten ndeshja u transmetua në dy televizione, njëri me pagesë e tjetri pa pagesë! Është rast botëror!

Të gjitha këto probleme apo dilema përbëjnë trajtime të veçanta, tejet të rëndësishme që kanë të bëjnë jo thjesht me ekipet Kombëtare, por me vetë zhvillimin aktual të futbollit kombëtar.

Hap mbas hapi do të mundohemi t’i trajtojmë. Emblema e këtij trajtimi, të paktën për ne, mbetet diviza: “Festa mbaroi, duhet me u zgjue!”

* Artikull i shkruar për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"