Fierakët njohin vetëm barazime me Besën/ Apolonia, 8 ditë kohë për katërshen e “play off”-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 1, 2024 | 20:33

Fierakët njohin vetëm barazime me Besën/ Apolonia, 8 ditë kohë për katërshen e “play off”-it

Apolonia në ndeshjet e fundit ka humbur nga forca e saj dhe bashkë me të edhe mundësitë për të qenë pjesë e katërshes së parë në renditje. Duket një “mision i pamundur”, ky mes fierakëve dhe vendit të katërt që ka dy favore të rëndësishme në “play off”, faktorin “fushë” dhe pranimin e dy rezultateve, pasi disa herë kanë qenë shumë afër, por nuk ia kanë dalë.

apoloniaa

Apolonia vijon të qëndrojë në vendin e pestë edhe falë rezultateve të mira të marra në këtë fazë të tretë, ndërkohë që një “nder” e morën nga Elbasani që mundi Vorën. Por, fierakët kundër Luzit shpërdoruan një “bonus” të mirë për të arritur vendin e katërt. Nëse pretendon vërtetë të shkojë në katërshe, Apolonia duhet të reagojë menjëherë për ta tentuar deri në fund pozicionimin mes katër ekipeve më të mira të kampionatit.

Ekipi është futur zyrtarisht në 8-ditëshin ku do të diskutohet vendi i katërt në klasifikim dhe rrjedhimisht pa humbur kohë ka rifilluar përgatitjet për ndeshjen e radhës, në shtëpi kundër Besës. Ky takim konsiderohet si një “mace e zezë” për Apoloninë këtë kampionat dhe jo vetëm. Në dy ndeshjet e këtij sezoni, Apolonia dhe Besa kanë ndarë pikët mes tyre, një herë barazim me gola 1-1 dhe një herë barazim pa gola 0-0. Në stadiumin “Loni Papuçiu” është regjistruar një tjetër barazim pa gola më 19 shkurt 2023. Edhe kur ky kundërshtar nuk ka qenë në ditë të mirë, sërish ka marrë pikë dhe ka befasuar skuadrën fierake.

Thyerja e tabusë- Trajneri Mërgjyshi duhet të thyejë një “tabu” të shtunën. Situata tani është më e vështirë, pasi Apolonia synon vendin e katërt, ndërsa Besa mbijetesën. Fierakëve nuk i falet një hap i dytë radhazi i gabuar, pavarësisht vështirësive që paraqet sfida. Apolonia duhet të shmangë humbjen në “Loni Papuçiu”, ndërsa fitorja do të ishte reagimi i duhur. Kalendari i dy javëve të fundit është gati i njëjtë dhe për Apoloninë është momenti të tregojë se vërtetë meriton vendin e katërt. Ndaj Besës, Apolonia do të jetë pa pikën referuese në sulm, pasi Umejiego është i pezulluar nga kartoni i kuq që mori kundër Luzit.

Shpresohet të mos jetë një hall i madh për fierakët, pasi rrugën e kanë gjetur edhe lojtarë të tjerë. Stafetën e golave e kanë marrë sulmuesit Trifoni dhe Maksuti, por në pah kanë dalë edhe Bejzade, Omeri, Repaj dhe Hebeja. Fakti që ekipi nuk do të ketë një pikë referimi në sulm i ka dy anët e medaljes. Së pari, ekipi i Mërgjyshit nuk disponon lojtarin që i heq “lakun” nga fyti në momente të vështira, ama nga ana tjetër, Apolonia nuk është një ekip ku mund të bazohesh për ta ndalur vetëm te një lojtar, pasi janë disa të tillë që mund të zgjidhin ndeshjet. Shpesh herë Harizaj, Trifoni, Maksuti apo Repaj kanë rezultuar protagonistë.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"