Fierakët të kënaqur nga boshti i skuadrës, priten përforcime. Apolonia nis kërkimet për 4 afrime “big”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2024 | 13:56

Fierakët të kënaqur nga boshti i skuadrës, priten përforcime. Apolonia nis kërkimet për 4 afrime “big”

Apolonia pritet që ta nisë sezonin 2024-2025 me synime të qarta për të qenë pjesë e ekipeve më të mira në futbollin shqiptar. Rrjedhimisht ka nisur puna për të ndërtuar skuadrën e re që do t’u përgjigjet ambicieve të mëdha për të siguruar një biletë direkte për ngjitjen në Superiore.

Apolonia grumbull 9

Këtë objektiv klubi e pati edhe në sezonin e fundit, por nuk ia doli. Stafi teknik po vazhdon stërvitjen, në mënyrë që në ekip të mos krijohet një kohë e gjatë pushimesh. Drejtuesit e klubit në po planifikojnë lëvizjet që do të “blindojnë” Apoloninë dhe të formohet një skuadër që do të bëjnë diferencën në sezonin 2024-2025.

BOSHTI I EKIPITFierakët kanë një bazë shumë të mirë lojtarësh nga sezoni i fundit, edhe pse mund të ketë ndonjë largim pasi interesi është i lartë dhe priten vetëm ofertat konkrete. Apolonia ka një bosht cilësor lojtarësh, ku mund të mbështeten për të bërë më pas lëvizjet që nevojiten në merkato. Boshti i Apolonisë aktuale nis me portierin Harizaj, për të vazhduar me mbrojtësit Ndubuisi, Repaj, Asllanaj, Hebeja, apo edhe Topi. Në mesfushë, fierakët kanë elemente interesante si Shanaj dhe Bejzade, ndërsa në sulm mund të mbështeten te Umejiego, Maksuti dhe Trifoni, të cilët janë në kontratë. Pa harruar që në javët e fundit, në zezonin që sapo lamë pas në Kategorinë e Parë, Apolonia u dha minuta të konsiderueshme të rinjve, duke ndërtuar një skuadër që i mëshon më shumë perspektivës. Kjo, duke ditur edhe pamundësinë e Apolonisë, që nuk mund të shkonte më shumë se një vend në “play off”. Për më tepër, klubi e ka prioritet aktivizimin dhe promovimin e lojtarëve të rinj, të cilët në një të ardhme  mund të mbushin arkat e klubit. Disa prej të rinjve që u afirmuan janë: Bega, Xhemali, Odongo, Kofi, Musa, Hoxhaj dhe Injehu, si dhe sulmuesi Culli.

AFRIMET – Burimeve të “Panorama Sport” pranë klubit kanë bërë me dije se gjatë merkatos së verës priten 4 afrime “big”, që do të rrisin ndjeshëm kualitetin e skuadrës. Kontaktet e para për këta lojtarë kanë nisur dhe koha në dispozicion i ndihmon drejtuesit e Apolonisë për të bërë zgjedhjet e duhura. Sipas planeve, afrimet priten dy në mbrojtje, saktësisht për krahun e djathtë dhe qendrën e saj, si dhe një mesfushor dhe një sulmues. Janë disa profile në fakt që po shihen me mjaft kujdes nga klubi fierak, nga kampionati ynë dhe nga jashtë vendit. Në sezonin e fundit, fierakët kanë pasur në skuadër shtatë të huaj, katër kenianë (Odongo, Jasin, Injehu dhe Shivaçi), një nigerian (Musa), një nga Togo (Kofi), si dhe një nga Kameruni (Kalice).

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"