Fillon eksodi i titullarëve tek Elbasani, Kotorri dhe Peqini largohen të parët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2017 | 20:51

Fillon eksodi i titullarëve tek Elbasani, Kotorri dhe Peqini largohen të parët

Bojkoti në ndeshjen miqësore me Shkumbinin nga ana e titullarëve të Elbasanit, ka treguar gjendjen reale në të cilën ndodhen verdheblutë këtë fund merkatoje. Kështu, vijnë edhe largimet e para nga skuadra, pas vonesës së likuidimit të pagave të prapambetura. I pari që ka kërkuar letrat në klub dhe nuk mund të quhet më një lojtar i Elbasanit, është mbrojtësi Roland Peqini.

Elbasani

Është ky i fundit që e konfirmon shkurtimisht për “Panorama Sport” vendimin që ka marrë. “Sot (dje) kam kërkuar të marr letrat nga klubi dhe të vazhdoj karrierën diku tjetër”, konfirmoi Peqini për gazetën. Ndërkohë, edhe një tjetër lojtar është në prag të largimit dhe bëhet fjalë për kapitenin Elvis Kotorri. Burime të gazetës konfirmojnë se me shumë gjasa gardiani elbasanas nuk do të vijojë më karrierën me verdheblutë, edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare.

Duke qenë se këto ditë mbyllet merkatoja, lojtarët duan t’i paraprijnë situatës dhe të mos mbesin pa skuadër në rast largimi nga verdheblutë. Rreziku për ndonjë largim tjetër është ende evident, ndonëse lojtarët pranuan që të vijojnë stërvitjen dhe të shpresojnë ende për zgjidhjen e situatës.

Mbledhja

Ditën e djeshme, para nisjes së seancës stërvitore, në ambientet e kompleksit sportiv “Shefqet Lamçja” është mbajtur një mbledhje me drejtuesit aktualë dhe disa lojtarëve. Prezent ka qenë presidenti Arben Laze dhe administratori Florenc Kushi, ku kanë sqaruar futbollistët për çështjen e pagave. Si gjithnjë, kanë premtuar se paratë do t’i marrin, por thjesht duhet të tregojnë pak durim, sepse po shohin edhe mundësinë për të afruar futbollistë të tjerë në merkato.

Pas kësaj mbledhjeje, lojtarët janë zhveshur dhe kanë startuar përgatitjet, edhe pse me një ekip të përgjysmuar. Një pjesë e mirë e futbollistëve kanë edhe probleme dëmtimi, ndaj edhe skuadra ka qenë e përgjysmuar. Megjithatë, sërish futbollistët duhet të presin për ditën e hënë dhe të shohin nëse këtë herë do të marrin fund problemet e tyre.

Tranzicioni

E gjithë kjo situatë e krijuar me klubin e futbollit të Elbasanit mund të thuhet se ka ardhur për shkak të tranzicionit të kalimit të aksioneve te kompania “Level Up Sa”. “De facto” është kjo kompani që ka marrë përsipër të përgjigjet për pagesat në klub, edhe pse “de jure” aksionet nuk kanë kaluar ende te kjo kompani, për shkak se nuk kanë bërë likuidimin e aksionerëve.

Në total anglezët duhet të derdhin 1 miliard lekë të vjetër për aksionet, por duke përllogaritur edhe borxhet e klubit, shifra shkon në total rreth 1 milion euro. Pritet që këto ditë të ketë zhvillime në klubin verdheblu.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"