Firmos Fejzo Shenaj, Luftëtari mbyll merkaton
Fejzo Shenaj nga dita e djeshme është zyrtarisht një lojtar i Luftëtarit, teksa ka hedhur firmën mbi kontratë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për “Panorama Sport” sekretari i klubit bluzi, Arlind Nora. Në këtë mënyrë, për numrin një të pankinës gjirokastrite, Bledar Devolli, reparti i mesfushës mund të konsiderohet si një ndër më cilësorët, falë emrave të tillë si Shenaj, Lluka, Çaço, Duka, Çunaj (edhe pse ky është përdorur si qendërmbrojtës), Shehaj dhe më të rinjtë Biraçi, Batha e të tjerë. Falë eksperiencës së tij disavjeçare, Shenaj pritet të jetë një forcë aktive për mesfushën e Luftëtarit, gjë të cilën ai e ka përligjur më së miri si në sezonet e shkuara me ekipe të ndryshme ku ai është aktivizuar, veçanërisht te Shkumbini, ashtu dhe gjatë ditëve të fundit në përballjet miqësore. Me nënshkrimin e kontratës nga ana e Shenajt, mund të thuhet se merkato e Luftëtarit është mbyllur.
Birja – Portieri i Luftëtarit, Kadri Birja, në një bisedë për “Panorama Sport”, sa i përket objektivave sezonin e ri u shpreh: “Tashmë që ekipi është kompletuar përfundimisht, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të përmirësohemi gjithnjë e më shumë. Të gjithë si futbollistë jemi munduar të japim më të mirën, si në stërvitje, ashtu edhe në përballjet miqësore. Megjithatë, nuk do të mjaftonte asgjë nëse nuk do të arrinim objektivin që kemi sezonin e ri: rikthimin e Luftëtarit në Superiore”. Ndërkaq, bluzinjtë, pas dy ditëve pushim, do t’u rikthehen të hënën përgatitjeve, ku do të nisin javën anti-Dinamo.
T.Shehu