Firmos Muzaka, por largohet Kërçiku. Andi Ribaj zyrtarizon kontratën me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2013 | 10:31

Firmos Muzaka, por largohet Kërçiku. Andi Ribaj zyrtarizon kontratën me Skënderbeun

Muzaka, Morina etj te SkenderbeuPërfundon me sukses transferimi i Gjergji Muzakës te Skënderbeu. Pas “presionit” të ushtruar ditën e fundit nga drejtuesit e klubit, lidhur me firmosjen e kontratës së mesfushorit, Muzaka është bindur për të zyrtarizuar diçka të tillë ditën e djeshme. Pas arritjes së një akordi paraprak me drejtuesit korçar, lojtari kishte dalë në stërvitje prej ditësh, por pa firmosur zyrtarisht. Mirëpo, pak ditë më parë, për Muzakën u interesua klubi polak Slask Vroklav. Skuadra, e cila drejtohet nga ish-trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, ka kërkuar shërbimet e mesfushorit. Ky i fundit ka qenë një nga beniaminët e Levit në kohën kur drejtonte korçarët, ndaj erdhi edhe ky interesim. Për të shmangur një largim të mundshëm të Muzakës drejt Slaskut dhe për të mos u gjendur më pas në alarm për një futbollist cilësor në prag të Superkupës, si dhe të ndeshjeve të Ligës së Europës, drejtuesit e bardhekuqve i kanë vënë ultimatum dy ditë kohë Muzakës për të firmosur kontratën. Në këto kushte, pas shkrimit të botuar tri ditë më parë në “Panorama Sport”, dje më në fund palët kanë zyrtarizuar marrëveshjen, teksa mesfushori tiranas ka firmosur një kontratë që e mban lidhur për një vit në Korçë. Lajmin e ka konfirmuar për gazetën vetë drejtori i klubit bardhekuq, Ilirjan Përmeti, teksa tregon edhe disa nga detajet e marrëveshjes së zyrtarizuar. “Sot (dje) kemi firmosur kontratën edhe me Gjergji Muzakën. Mesfushori ka nënshkruar për një vit me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër. Jemi të kënaqur që kemi rikthyer në ekip një futbollist cilësor”, – deklaroi dje Përmeti. Divorci Dorian Kërçiku nuk është më lojtar i Skënderbeut. Mesfushori tiranas ka prishur dje kontratën me mirëkuptim, pas takimit me presidentin Ardian Takaj. “Kam kërkuar më shumë hapësira në ekip, por nuk ndodhi kështu. Falënderoj tifozët e Skënderbeut për mbështetjen që më kanë dhënë”, – u shpreh Kërçiku, i cili tashmë mund të rikthehet e klubi i Tiranës.

Andi Ribaj zyrtarizon kontratën me Skënderbeun
Andi Ribaj është zyrtarisht lojtar i Skënderbeut. Mësohet se, veç Muzakës, edhe sulmuesi fierak ka nënshkruar një ditë më parë marrëveshjen me drejtuesit e klubit korçar. Pasi kishte gjetur verbalisht akordin me krerët e klubit dhe kishte dalë në stërvitje, ai vetëm dje ka firmosur një kontratë 2-vjeçare. Lojtari i ardhur nga Apolonia pritet që të jetë i gatshëm për trajnerin Mirel Josa, si për finalen e Superkupës kundër Laçit, ashtu edhe për dy ndeshjet e “play-off”-it në Ligën e Europës ndaj Çernomorets Odesës. Ribaj është futbollisti i radhës, që u bashkohet bardhekuqve në këtë merkato vere, pas Abazit, Morinës dhe Muzakës. Filimisht ai nisi stërvitjen te Flamurtari, por pas shpërbërjes së vlonjatëve zgjodhi të luajë për Skënderbeun.

RINOVIMET PRITEN PAS SUPERKUPËS
Nëse për Muzakën gjithçka u zyrtarizua, për katërshen e lojtarëve që nuk kanë rinovuar situata mbetet ende e pandryshuar. Mendohet se Vrapi, Fagu dhe Dimo do të ulen në bisedime javën e ardhshme. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili ka theksuar se nga java e ardhshme do t’i mbyllë të gjitha kontratat. Sipas burimeve të fundit pranë klubit të Skënderbeut mësohet se me shumë mundësi kjo do të ndodhë menjëherë pas ndeshjes së Superkupës kundër Laçit, e cila do të luhet në “Qemal Stafa”. Fill pas këtij trofeu, ashtu siç e deklaroi edhe vetë Takaj, do të ulet në tavolinën e bisedimeve së bashku me katër futbollistët që kanë mbetur ende pa rinovuar kontratën.

Josa projekton Ribajn e Morinën për sulmin
Skënderbeu vijon përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër laçit, e vlefshme për finalen e Superkupës së Shqipërisë, e cila do të luhet në fund të javës. Trajneri Mirel Josa ka vendosur të gjithë ekipin në punë, duke u dhënë ngarkesat maksimale për këtë takim të rëndësishëm. Stërvitja është e përqendruar kryesisht te ushtrimet e shumta me ose pa top dhe te loja me qarkullim topi. Dhe, ndonëse ende nuk ka ardhur vendimi i UEFA-s për Pero Pejiç, i cili në takimin kundër Shakhterit u ndëshkua me karton të kuq, Josa ka filluar t’i bëjë llogaritë edhe pa të. Ai po përgatit dyshen Ribaj-Morina në vijën e parë të sulmit për Europa Ligë.

Pejiç, takim me drejtuesit për kontratën
Pero Pejiç kërkon rinovim dhe rritje page. Pritet që sulmuesi të takohet me drejtuesit korçarë së shpejti për të kërkuar një gjë të tillë. Edhe pse ka arritur një akord verbalisht me drejtuesit, ende nuk është bërë zyrtar rinovimi. Paga totale e tij për sezonin që lamë pas ka qenë 75 mijë euro, por tashmë ai do tentojë rinovimin, por me parametra të tjerë. Pejiç do i kërkojë klubit 80 mijë euro në sezon, pra 5 mijë euro më shumë. Kjo ndoshta mund të krijojë prishje të pazarit mes palëve dhe lojtari mund të largohet. Gjasat janë që klubi të mos e pranojë një rritje të tillë, nisur edhe nga çështja e “Kinës”.

Ndeshja e kthimit do luhet në orën 20:00
Është caktuar përfundimisht edhe ora e ndeshjes së kthimit mes Skënderbeut dhe Çernomorets. Pavarësisht dëshirës së trajnerit Josa që ky takim të luhej në Korçë, zyrtarët e UEFA-s nuk e kanë miratuar një gjë të tillë. Ndeshja është caktuar të luhet më datë 29 gusht në “Qemal Stafa”, ora 20:00. Pritet që klubi të vërë sërish në dispozicion autobusë falas për tifozët që do të nisen drejt kryeqytetit për të mbështetur skuadrën e tyre. Stadiumi kombëtar do të presë edhe dy takime të tjera, veç asaj me Çernomorets, atë të Superkupës kundër Laçit, dhe përballjen mes Kukësit dhe Trabzonsporit

Dy ditë para në Ukrainë, synohet të shmanget lodhja
Edhe pse në prag është finalja e Superkupës kundër Laçit, në Korçë e gjithë vëmendja është e përqendruar te dy takimet e “play-off”-it në Europa Ligës. Drejtuesit, edhe pse duan që të fitojnë trofeun e parë për këtë sezon, prioritet kanë performancat dinjitoze në Ligën e Europës. Klubi ka nisur që tani punimet për të përgatitur më së miri udhëtimin drejt Ukrainës, për të mos vuajtur lodhjen aq shumë sa në ndeshjet me kazakët e Shakhterit. Gjithnjë sipas drejtorit të klubit të Skënderbeut, Ilirjan Përmeti, axhenda e udhëtimit për në Ukrainë është e plotësuar praktikisht në pjesën më të madhe të saj. Deri më datë 20 gusht, dy ditë pas ndeshjes së Superkupës kundër Laçit, ekipi do të jetë i grumbulluar në Durrës, ku do të përgatitet për ndeshjen e parë në ambientet e “Tropikal Resort”. Më pas, skuadra do të niset fillimisht nga aeroporti kombëtar “Nënë Tereza” në drejtim të Shkupit, ku do të marrë një tjetër udhëtim. Sipas të gjitha të dhënave, me një çarter, për të mbërritur vetëm në orët e darkës në Ukrainë. Stërvitjen e parë ekipi do e zhvillojë më datë 21 gusht, në të njëjtën orë kur do të luhet takimi i parë kundër Çernomorets Odesa. Kjo është e gjithë axhenda e Skënderbeut drejt Ukrainës, ndërsa disa detaje të fundit mbeten ende për t’u saktësuar. Një gjë të tillë e pranon edhe vetë Ilirjan Përmeti. “Kemi përcaktuar në pjesën më të madhe axhendën e udhëtimit drejt Ukrainës. Mungojnë vetëm disa detaje të vogla, që çdo gjë të jetë gati. Do të nisemi fillimisht drejt Shkupit më datë 20, praktikisht dy ditë para ndeshjes dhe pas disa orësh tranzit do të marrim një tjetër udhëtim drejt Ukrainës. Në Shkup ekipi do pajiset edhe me vizat e posaçme për të kaluar në shtetin tjetër”, – përfundoi drejtori i klubit.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"