Firmos Orjad Beqiri, klubi do edhe Haxhon
Drejtuesit e Luftëtarit nuk dinë të ndalen në këtë merkato. Pas tri blerjeve të bëra një ditë më parë, dje kanë bërë goditjen e radhës. Kështu, mbrojtësi vlonjat, Orjad Beqiri, një nga dëshirat e klubit, ka nënshkruar për Luftëtarin.
Ka qenë numri një i pankinës bluzi, Mustafa Hysi, i cili ka konfirmuar mbylljen e marrëveshjes me Beqirin. Ky i fundit është një njohje e vjetër e bluzinjve, pasi në sezonin 2012-2013 ka qenë pjesë e kësaj skuadre.
“Mbrojtësi Beqiri ka nënshkruar dje me Luftë- tarin për të qenë pjesë e kësaj skuadre për edicionin e ardhshëm. Beqiri është një mbrojtës me eksperiencë, tek i cili si staf drejtues shohim cilësitë e mjaftueshme për të qenë pjesë aktive e formacionit”, ka thënë Hysi. Mustafa Agastra, Donald Rapo, Ervis Caco si dhe Orjad Beqiri janë katër prurjet e reja në radhët e Luftëtarit në harkun kohor të dy ditëve të fundit.
Mbrojtësi
Mbrojtësi vlonjat, Orjad Beqiri, ka treguar arsyet se çfarë e bindi për të nënshkruar me bluzinjtë sezonin e ri. “Është më se e vërtetë që kam nënshkruar me Luftëtarin ditën e djeshme, pasi projektet e drejtuesve të rinj më kanë tunduar. Rikthehem te Luftëtari pas eksperiencës së sezonit 2012-2013, me synim të vetëm përfaqësimin me dinjitet të fanellës së ekipit të ri”, ka përfunduar 30-vjeçari Beqiri.
Porta
E ndërsa janë bërë katër afrime deri më tani, në synimet e drejtuesve të Luftëtarit është edhe përforcimi i portës. Kështu, në kampin gjirokastrit përflitet emri i Eglant Haxhos, si mbrojtësi ekstrem i gjirokastritëve. Ky i fundit ka qenë pjesë e Butrintit sezonin e fundit, një njohje e trajnerit Mustafa Hysi, i cili kërkon të ketë shërbimet e tij edhe te Luftëtari. Sakaq, burime të sigurta për gazetën kanë bërë me dije se dy futbollistë të tjerë priten t’i bashkohen Luftëtarit gjatë ditëve në vazhdim, një prej të cilëve do të jetë në rolin e sulmuesit. Kështu, Luftëtari po merr formë dalëngadalë, ndërsa kërkohet që të bëjnë një tjetër paraqitje sezonin e ri futbollistik.
Përgatiti: TOMOR SHEHU
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"