Firmos Rezi, Dinamo pret Ferrajn dhe Udoh
Kontratat po shkojnë drejt mbylljes te Dinamo, teksa ka firmosur 85% e kontingjentit aktual. Megjithatë, blutë janë në pritje të një tjetër “bomberi”, i cili shihet si “shpëtimtari” për kampionatin, pasi në të gjitha repartet e tjera Dinamo pothuajse është “blinduar”. Nuk mungojnë kontaktet me klubin e Tiranës, ku mësohet se në momentet e fundit të merkatos mund të afrohet në formë huazimi ndonjë prej lojtarëve që ata kanë menduar të largojnë.
Ermir Rezi Durrsaku, i cili ka luajtur për Elbasanin sezonin e shkuar, Ermir Rezi, ka qenë firma e radhës për blutë e kryeqytetit. Sulmuesi 20-vjeçar ka firmosur dje në prani të administratorit të klubit, Ismet Saliaj, ndërsa ka disa ditë që është vënë nën urdhrat e trajnerit Dritan Mehmeti. Pas Erald Turdiut dhe Erion Xhafës, lojtari në fjalë shihet me perspektivë për të ardhmen e Dinamos. Lojtari ka luajtur edhe për Teutën në Superiore, ndërsa në formacionin blu atij i duhet të luftojë për të marrë vendin që i takon në sulm.
Ferraj dhe Udoh Përveç Rezit, pritet të firmosin dhe dy lojtarë të linjës së majtë. Nigeriani Feliks Udoh (i ardhur nga Partizani) dhe tiranasi Nertil Ferraj (i afruar nga radhët e Kastriotit) pritet që të mbyllin sot kontratën me drejtuesit dhe të konsiderohen 100% pjesë e Dinamos për këtë sezon. Çështja financiare mbetet ajo që shqetëson dy lojtarët, por klubi ka pohuar se do të gjejë zgjidhje për emrat premtues. Në rast se të dy lojtarët do të firmosin, krahu i majtë i formacionit dinamovit do të ketë disa alternativa ndryshe nga një sezon më parë. Ndërkaq, skuadra vazhdon normalisht përgatitjet, në një kohë që ekipi këtë fazë është duke e alternuar edhe me miqësore. Drejtuesit blu synojnë që të krijojnë një ekip cilësor dhe të luftojnë për t’u rikthyer në Superiore pas tri sezonesh mungesë. Dinamo ka qenë në vështirësi gjatë tre sezoneve të fundit duke mos arritur asnjëherë që të rivalizojë me ekipet e tjera për të synuar Superioren. Përveç vështirësisë në stërvitje përsa i përket terreneve, klubi ka pasur jo pak probleme financiare, të cilat e kanë penalizuar.
ERJON HAMITAJ