Fiton një Vllazni cinike, tronditet Partizani. Skandal me ndriçimin e stadiumit kombëtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2013 | 9:53

Fiton një Vllazni cinike, tronditet Partizani. Skandal me ndriçimin e stadiumit kombëtar

Partizani-Vllaznia 0-1, BelishaPARTIZANI-VLLAZNIA 0-1
GOLI: Shtubina 49′
PARTIZANI: A.Hoxha, B.Krasniqi, Ibrahimi, G.Krasniqi, Udoh, Hyshmeri, Oladele, Demiri (Prençi 46′), Mazrekaj, Buac (Malo 70′), Dushku (Onome 63′). Trajner: Hasan Lika
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Gocaj, Kraja, Sykaj, Boci, Shtubina (Bardulla 81′), Tafili, Belisha, Kruja (Dibra 90′), Hajdari (Rexha 93′), Bushiç. Trajner: Agim Canaj
KARTONË TË VERDHË: Ibrahimi 73’/ Tafili 36′, Kraja 67′, Vujadinoviç 86′
DELEGAT: Millan Baçi (Tiranë)
VËZHGUES: Myrteza Allkja (Elbasan)
GJYQTARET: B.Pashaji, D.Rexha, G.Qirici (Tiranë)

MINUTAT
8′ Mazrekaj lëshon një top në zonë, por Buac nuk arrin të devijojë drejt portës së Vllaznisë.
13′ Kruja provon nga distanca me një gjuajtje të fortë, pret Hoxha.
20′ Kruja lëshon një top për Hajdarin, pas krahëve të mbrojtjes së Partizanit, por ky i fundit e dërgon topin jashtë.
31′ Mazrekaj lëshon një top në zonën shkodrane. Ka një dyluftim në ajër mes Buac dhe Vujadinoviç, topi i larguar nga portieri shkon tek Oladele që shënon. Por, gjyqtari e kishte ndalur më parë lojën për faull të Buac ndaj portierit.
44′ Gocaj nga këndi lëshon një top në zonë, gjuajtja e Tafilit me kokë përfundon jashtë.
49′ Baci nga mesfusha lëshon një top në zonën e Partizanit, ku ka një mosmarrëveshje mes portierit e mbrojtjes. Largimi i Hoxhës nuk ishte i duhur, pasi topi përfundon te Shtubina, që me qetësi e dërgon në rrjetë dhe 0-1.
54′ Mazrekaj nga e majta harkon një top te porta shkodrane, Vujadinoviç gabon në kontrollin e topit që i bie në tokë dhe Besnik Krasniqi me portën bosh nuk e gjen kuadratin.
61′ Hyshmeri nga këndi e dërgon topin në zonë, Gëzim Krasniqi e godet me kokë. Topi përfundon te Dushku, i cili ndodhej pranë shtyllës së dytë dhe shumë pranë portës me kokë e dërgon topin jashtë.
63′ Goditje dënimi për të kuqtë. Hyshmeri e lëshon topin në zonë, por ai largohet nga mbrojtja që përfundon te Mazrekaj, i cili nga jashtë zonës godet, por reagon në kohë Vujadinoviç.
64′ Vijon presioni i Partizanit dhe në zonën e Vllaznisë ka një rrëmujë, ndërsa disa futbollistë të kuq ngatërrohen me njëri-tjetrin dhe nuk arrijnë të dërgojnë topin në rrjetë.
68′ Goditje dënimi për kryeqytetasit. Mazrekaj ekzekuton bukur, por Vujadinoviç sërish në krye të detyrës.
93′ Hyshmeri në aksionin e fundit lëshon një top në zonën mike, gjuajtja e Gëzim Krasniqit me kokë devijohet nga portieri Vujadinoviç.

Vllaznia merr tri pikë të arta në kryeqytet dhe trondit Partizanin. Një gol i mesfushorit Ndriçim Shtubina në pjesën e dytë ka vendosur ndeshjen e djeshme në “Qemal Stafa”. Miqtë nga Shkodra janë treguar racionalë në lojën e tyre, ndërsa të kuqtë kanë vuajtur në finalizimin e aksioneve. Rastet ishin të shumta, veçanërisht në pjesën e dytë, por sulmuesit e Partizanit bënë më të vështirën përballë portierit Mirosllav Vujadinoviç. Megjithatë, ky i fundit në jo pak raste i ka shpëtuar shkodranët, duke pasur një meritë të madhe në ruajtjen e paprekur të portës. Me një mesfushë të ngjeshur dhe me kroatin Bushiç në majën e sulmit, kuqeblutë e Canajt ditën të administronin rezultatin. Partizanit nuk i mjaftuan as disa veprime të shkëlqyera individuale të Mazrekajt, i cili në fakt ishte në hije në 45 minutat e para, por në pjesën e dytë u bë iniciator i të gjitha sulmeve të skuadrës së tij. Trajneri Lika aktivizoi edhe dy sulmuesit e stolit, Onome e Malo, por asgjë nuk ndryshoi në forcën goditëse të të kuqve. Reparti ofensiv nuk po gjen ende stabilitet te Partizani, ndërkohë që dje për herë të parë luajti si titullar Rigers Dushku, i cili kishte shënuar në ndeshjen e kupës ndaj Adës. Nga ana tjetër, Vllaznia u tregua e saktë në veprimet mbrojtëse, madje nëpërmjet kundërsulmeve i kishte të gjitha mundësitë për të fituar më thellë ndaj të kuqve.
Pjesa e parë Partizani e nis takimin me dy risi në formacion. Për herë të parë si titullarë gjatë këtij sezoni aktivizohen Oshobe Oladede dhe Rigers Dushku. Te Vllaznia ra në sy qendërmbrojtësi Ervis Kraja, i cili luajti nga minuta e parë dhe arriti të zëvendësonte më së miri mungesat “big” të kuqebluve në repartin defensiv: Beqiri e Rajoviç. Loja për shumë minuta është e zbehtë, teksa të dyja skuadrat tregohen mjaft të kujdesshme. Mazrekaj për të kuqtë dhe Kruja për shkodranët japin shkëndijat e para. Megjithatë, për të parë një rast të pastër, duheshin pritur 20 minuta. Hajdari nuk përfiton, teksa i vetëm përballë portierit Hoxha gjuan ngjitur me shtyllën. Ritmi i pjesës së parë nuk është ai që pritet, pasi të dyja skuadrat shfaqen të mefshta në veprimet sulmuese. Rastet në portat respektive gjatë këtij fraksioni janë krejtësisht të parrezikshme dhe kësisoj gjithçka mbyllet pa gola.
Pjesa e dytë Loja rinis me një zëvendësim surprizë tek të kuqtë. Vendin e Demirit në rolin e mesfushorit shkatërrues e merr Prençi, i cili më së shumti njihet për aktivizimin në qendër të mbrojtjes. Nuk kalojnë katër minuta dhe Vllaznia godet, teksa Shtubina e dërgon topin në rrjetë me një kthesë brenda zone. Dalja e pastudiuar e portierit Hoxha dhe mungesa e përqendrimit në mbrojtje ndëshkon Partizanin. Megjithatë, duhet të vinte ky gol që të kuqtë të zgjoheshin. Për rreth 30 minuta rastet në portën shkodrane janë të panumërta. Fillimisht është Besnik Krasniqi, i cili ka një shans të artë për të shënuar pas daljes së gabuar të Vujadinoviç, por mbrojtësi shpërdoron. Më pas është Dushku dhe Mazrekaj, që bëhen protagonistë të rasteve të humbura. Edhe në një moment, kur të gjithë në stadium menduan se topi shkoi në rrjetë, malazezi Vujadinoviç grushtoi mrekullisht goditjen e Mazrekajt. Të kuqtë kaluan në aventurë, por asgjë nuk ndryshoi për sa i përket rezultatit edhe pas shtesës katërminutëshe. Gjyqtari Pashaji sinjalizoi përfundimin e takimit, nga ku Vllaznia doli me tri pikë nga “Qemal Stafa”, duke e merituar plotësisht fitoren.

MË I MIRI
Mirosllav Vujadinoviç ishte heroi i ndeshjes së djeshme. Portieri malazez priti pa fund në pjesën e dytë, duke konfirmuar edhe një herë se është ndër pikat më të forta të kësaj Vllaznie. Një formë të shkëlqyer paraqitën edhe katër mbrojtësit shkodranë, të cilët lanë pak hapësira. Veçanërisht Gocaj në krahun e djathtë ishte i pakalueshëm, por në paraqitjen ndaj Partizanit nuk duhet lënë pas edhe mesfushori Shtubina, që u dha fitoren kuqebluve.

MË PAK AKTIVI
Dy mesfushorët shkatërrues të Partizanit, Oshobe Oladele dhe Ertan Demiri, ishin krejtësisht jashtë forme. I pari luajti si titullar pas shumë ndeshjesh në stol, teksa u la në fushë për 90 minuta. Nga ana tjetër, Demiri nuk ishte ai i ndeshjeve të kaluara, kësisoj trajneri Lika e zëvendësoi që në fillim të pjesës së dytë. Një paraqitje larg pritshmërisë bëri edhe portieri Hoxha, i cili ka një pjesë të përgjegjësisë në golin e pësuar të të kuqve.

Hasan Lika“Partizani ka forca që ta kalojë këtë moment”
Pas humbjes shikohej zhgënjimi te trajneri i Partizanit, Hasan Lika, i cili për mediat u shpreh: “Një humbje që në harkun e 90 minutave nuk duhet të ishte e tillë, për atë që skuadra dha në fushë, sidomos në pjesën e dytë, pasi në të parën nuk ishim mirë. Në 45 minutat e dyta gjatë gjithë kohës ishim në kërkim të barazimit të lojës, por edhe të fitores. Krijuam një volum të madh loje në drejtim të sulmit, ndërsa e goditëm shumë herë portën. Patëm raste të pastra, por për meritë të kundërshtarit dhe të portierit mik nuk kemi arritëm të barazonim. Pjesa e dytë ishte e mirë, pasi në të parën bëmë disa gabime. Në momentin tonë më të mirë u ndëshkuam nga disa gabime, të cilat i shfrytëzoi kundërshtari”.
2 humbjet – “Mendoj se të gjithë e pamë se çfarë nuk shkoi edhe në ndeshjen me Vllazninë. Kemi mangësi pikërisht në finalizimin e aksioneve, pasi lojtarët dhanë maksimumin e tyre, duke treguar karakter sportiv për të barazuar. Nuk arritëm t’i finalizonim aksionet, çka është një problem. Ndonëse kemi rregulluar lojën sulmuese dhe përdorur mënyra të ndryshme për të shkuar te goli, gabuam”.
Rreziku i Partizanit – “Nuk është moment i mirë, pasi jo vetëm në këtë ndeshje, por edhe në të kaluarën kemi pasur pretendimet tona, siç kemi edhe për ndeshjet e ardhshme. Kampionati është i gjatë dhe ky është vetëm një moment jo i mirë. Deri më tani Partizani ishte mirë dhe në dy ndeshjet e fundit nuk ishin në rrugën tonë. Duhet ta kalojmë këtë situatë, pasi përpara kemi dy përballje të forta, siç është ajo ndaj Skënderbeut në Korçë dhe Teutës në Tiranë. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që t’i kalojmë këto takime”.

Agim Canaj ne Vllaznia-Laci 3-0“Bravo ekipi, më mirë një fitore se dy barazime”
Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, ndihet i lumtur që të besuarit e tij morën një rezultat plot vlerë në kryeqytet. “E pata thënë edhe para ndeshjes se ajo do të ishte e vështirë, për vetë pozicionin që kishim. Ne në çdo përballje hyjmë për të fituar dhe sot (dje) në pjesën e parë kishim tri raste të pastra për të kaluar në avantazh. Megjithatë mund t’ju them se e menaxhuam mjaft mirë pjesën e parë, duke mos u lënë asnjë hapësirë kundërshtarëve që të na ndëshkonin. 45 minutat e dyta ishin njësoj si të parat dhe mbas shënimit të golit u tërhoqëm për të mbrojtur rezultatin me çdo formë. Nuk e di pse ekipi u përfshi nga një presion i panevojshëm, megjithatë për t’u përgëzuar është fakti që çunat luftuan deri në fund dhe arritën të marrin një fitore të merituar dhe me shumë vlerë. Vujadinoviç është pjesë e ekipit dhe ishte një nga pikat më të forta të Vllaznisë, por përveç tij dua të lavdëroj të gjithë skuadrën, që tregoi karakter si rrallëherë në këto ndeshje. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se luajtëm përballë një ekipi që ishte me pikë më mirë se ne dhe që në pjesën e dytë na vuri në vështirësi, porse arritëm ta menaxhonim fitoren deri në fund. Jemi të kënaqur për fitoren, kampionati është i gjatë dhe këto që morëm ndaj Partizanit janë tri pikë shprese, pasi më tej ndeshjet vështirësohen. Dihet që skuadrat janë të ngjeshura dhe ka ndeshje plot, por ne duhet të bëjmë pjesë tonën, faktin se më mirë është një fitore se dy barazime”, – u shpreh trajneri Agim Canaj pas ndeshjes me Partizanin.

ShtubinaShtubina ua dedikon golin pesë viktimave të tragjedisë
Ndriçim Shtubina duket se ia ka marrë dorën Partizanit, pasi atë që bëri dje e ka bërë edhe në dy përballjet e fundit që kanë pasur në Superiore. “Jam i gëzuar që shënova, gol i cili i dha fitoren ekipit. Në pjesën e dytë shënuam shpejt dhe u munduam më pas të ruajmë rezultatin. Kjo tërheqje nuk ishte gjë e mirë për ne, sepse Partizani shtyu shumë përpara duka na vënë në rrezik. Fitorja është e merituar, shpresoj të vazhdojmë kështu. Goli i shënuar shkon për djemtë shkodranë që humbën jetën në aksident. Njëri prej tyre, Ledio Pirani, ishte ultras i ekipit. Shkodra ka ditë që e përjeton këtë dhimbje, ndaj me këtë gjest ne duam t’i qetësojmë sadopak, ndonëse për familjarët është e pashërueshme. Edhe ne si ekip e kemi përjetuar këtë dhimbje, aq më shumë unë e di se çfarë ndiejnë ata, pasi më ka vdekur babai. E megjithatë, kam gjetur forca që të vazhdoj punën dhe të jap më të mirën për ekipin. Vllaznia nuk synon titullin kampion, por prapë nuk kemi frikë të përballemi me asnjë skuadër të futbollit shqiptar. Këtë e treguam edhe ndaj Partizanit, se mund të përballojmë çdo kundërshtar”, – u shpreh Shtubina pas ndeshjes.

Homazh
Ishte deklaruar se tifozët e Partizanit nuk do të festonin në shenjë respekti të pesë djemve shkodranë, të cilët në mesjavë humbën jetën në një aksident. Në shenjë respekti ata shpalosën një banderolë “Ledio, njëri prej nesh”, shkrim i cili kishte të bënte me njërin nga të ndjerët, Ledio Piranin, që ishte pjesë e tifo-grupit shkodran. “Guerrilsat” e kanë thirrur disa herë në kor emrin e tij, gjest që është duartrokitur edhe nga tifozët miq.

Lika ik!
Fundi i ndeshjes i ka lënë të pakënaqur tifozët e Partizanit, që mendonin se ndaj Vllaznisë do të bënin autokritikën e humbjes në Lushnjë. Por të kuqtë kanë zhgënjyer sërish. Në fund të takimit tifozët e “demave” kanë shpërthyer në thirrje ndaj trajnerit, duke bërë pikërisht atë përgjegjës për humbjen e mbrëmshme. Për disa momente ata kanë thirrur në kor: “Lika ik! Lika ik!”. Pakënaqësitë kanë qenë të mëdha, ku pa dyshim edhe lojtarët kanë peshën e tyre, pasi gabuan shumë.

Stadiumi Qemal StafaSkandal me ndriçimin e stadiumit
Partizani-Vllaznia u zhvillua në kushte jo të përshtatshme, pasi organizatorët duhej t’i kishin bërë më mirë llogaritë. Gjithçka që ka ndodhur dje ka qenë në disfavor të kryeqytetasve. Orari i përzgjedhur ishte i papërshtatshëm, pasi dihej që një orë më pas, më 18:00, luhej Barcelona- Real, sfidë me interes global. Pa dyshim që “El Clasico” ka ndikuar ndjeshëm në shikueshmërinë e ndeshjes, sepse në stadium nuk ishim më shumë se 1000 tifozë, shifër e cila ka qenë më e lartë edhe në përballjen me Bylisin apo me Flamurtarin që u luajt në çerek-stadiumin “Selman Stërmasi”. Por, ajo që ia prishi akoma më shumë shijen sfidës së djeshme ishte ndriçimi i stadiumit, pasi në sektorë të ndryshëm të fushës vihej re mungesa e dritës. Takimi nisi me ndriçim natyral, por në 15 minutat e fundit shikueshmëria në fushë ishte e ulët. 10 minuta nga fundi u ndezën disa prozhektorë, por cilësia e ndriçimit mbetej e dobët. Pjesa e dytë kërkonte ndezjen e të gjithë prozhektorëve, por dukej qartë që jo të gjithë funksiononin. Ndriçimi i mbrëmshëm në stadiumin “Qemal Stafa” ishte i dobët dhe nuk i shkonte për shtat as një seance stërvitore, jo më një ndeshje kampionati. Në disa sektorë të fushës dukej qartë mungesa e dritës. Probleme të mëdha kanë pasur edhe shikuesit që e kanë ndjekur sfidën nga TV, sepse dukej sikur po e shikonin në formatin bardhezi e jo me ngjyra. Nëse me Tiranën organizimi i të kuqve ishte perfekt, ndeshja me Vllazninë ishte një skandal i vërtetë, prandaj është më mirë që ndeshjet të luhen qoftë edhe në temperatura të larta sesa në mes të errësirës. Orari i përzgjedhur dhe cilësia e ndriçimit ia zbehën shumë vlerat ndeshjes Partizani-Vllaznia. Prandaj le të shërbejë ky takim i mbrëmshëm si mësim, që në vazhdim, në këto kushte që ofron “Qemal Stafa”, nuk ia vlen të luhet nën dritat e prozhektorëve.

Problemi i dritave pranohet nga punonjësit e “Qemal Stafës”
Punonjësit e stadiumit e kanë pranuar që cilësia e ndriçimit e ofruar mbrëmë në ndeshjen Partizani-Vllaznia nuk ka qenë e mirë. Nga burime pranë organikës që punon për mirëmbajtjen e stadiumit “Qemal Stafa” pohohet se disa llamba nuk funksionojnë. Ndonëse është bërë kërkesa prej kohësh që ato të zëvendësohen, kjo gjë nuk është bërë e munduar, pasi ai tip llambash nuk prodhohet më. Sistemi aktual i ndriçimit ka mbërritur në vitin 1996 dhe që në momentin kur është instaluar, mësohet se rreth 60 llamba kanë qenë të përdorura. Ky sistem ndriçimi është aq i vjetër, sa nuk prodhohen më llamba të tilla. Pra, sistemi i ndriçimit ka nevoja urgjente për riparim, por odiseja e prishjes apo jo të “Qemal Stafa”-s po mban peng çdo lloj ndërhyrje riparuese në këtë impiant. Sipas specialistëve, që nga incidenti që ndodhi në ndeshjen Gramozi-Real Madrid, ishte i nevojshëm riparimi i sistemit të ndriçimit, por gjendja në “Qemal Stafa” po shkon drejt degradimit të plotë.
ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"