Fiton Tirana, përmbys Besën për 8 minuta. “Shfryn” Magani: Kavajasit na dhanë leksion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2014 | 13:15

Fiton Tirana, përmbys Besën për 8 minuta. “Shfryn” Magani: Kavajasit na dhanë leksion

Tirana-Besa 2-1, Vrapi ne dyluftim ajrorTIRANA-BESA 2-1
GOLAT Gilberto 18′, Kërçiku 20’/ Çelhaka 12′
TIRANA: Lika, Kalari, Muça, Vrapi, Pashaj (Korreshi 57′), Taku, Karabeci, Kërçiku, Gilberto, Ndikumana (Kahata 46′), Morina (Deliç 81′); Trajner: G.Magani.
BESA: Bejte, Haliti, Fejzullahu, Perja, Muçaj, Ramadani, Deliallisi, Dita (Muriqi 46′), Çelhaka (Stafa 79′), Guri, Sefa (Mustafa 46′); Trajner: A.Mërgjyshi.
KARTONË TË VERDHË: Kërçiku 67’/ Sefa 46′
VËZHGUES: Besnik Kaimi (Tiranë)
DELEGAT: Denis Bastari (Tiranë)
GJYQTARET: L.Alla, D.Korreshi (Lushnjë), R.Çokaj, (Lezhë)

MINUTAT
7′ Goditje dënimi, Kalari ekzekuton, Morina tenton me kokë, nuk gjen portën.
12′ Çelhaka merr një top nga mesfusha, avancon dhe nga 35 metra gjuan fluturimthi, duke e dërguar topin drejt e në rrjetë dhe 0-1.
18′ Ndikumana ul topin me kokë, e kontrollon Gilberto, gjuan rrafshazi në cepin e portës, Bejte gjen krahun, por nuk e ndal dot dhe 1-1.
20′ Morina në kufi të zonës pason për Gilberton, i cili kombinohet sërish me sulmuesin, që gjuan, godet, por grushton portieri. Përfiton Kërçiku, i cili e ndjek aksionin, gjuan dhe nuk gabon, 2-1.
31′ Aksion perfekt i Tiranës, Morina, Karabeci dhe Gilberto kombinohen, braziliani pason te Taku, por mbrojtja mike neutralizon rrezikun.
50′ Karabeci pason te Morina, i cili i vetëm përballë portierit gjuan, por topi largohet në vijën fatale prej Fejzullait.
55′ Gilberto ul topin për Morinën, gjuan, Bejte largon me vështirësi.
63′ Kahata kroson për Morinën, por sulmuesi nuk arrin ta shtyjë topin në rrjetë.
87′ Kahata pason te Deliç, i cili avancon në zonë, gjuan me të majtën, pret Bejte.

Tirana nuk di të ndalet, teksa dje ka fituar 2-1 përballë një Bese, e cila kishte lënë pesë titullarë në stol. Një trepikësh, që i ka larguar bardheblutë nga fundi i tabelës dhe i renditur në vendin e 10-të. Ka qenë një ndeshje voluminoze, gjatë së cilës nuk munguan golat, kartonët e verdhë, kontestimet dhe nerva. Të parët që kaluan avantazh ishin miqtë, me një eurogol të Çelhakës, por festa e kavajasve zgjati vetëm 8 minuta, pasi bardheblutë përmbysën gjithçka. Gilberto dhe Kërçiku kthyen rezultatin në favor të kryeqytetasve, të cilët, edhe pse çaluan në lojë, morën tri pikë të arta dhe sigluan fitoren me dy gola.
Pjesa e parë Loja nis e shpejtë dhe rasti i parë vjen nga Tirana. Në të 7-ën minutë ka një goditje dënimi, Kalari ekzekuton, Morina tenton me kokë, nuk gjen portën. Me një aksion në dukje pa pretendime vjen edhe një supergol i Besës. Në të 12-ën minutë Çelhaka merr një top nga mesfusha, avancon dhe nga 35 metra gjuan fluturimthi dhe e dërgon topin drejt e në rrjetë, 0-1. Ky gol shoqërohet me festë te verdhezinjtë, por ajo nuk zgjat shumë. Kjo, pasi përpjekjet e Tiranës gjejnë rezultat në të 18-ën minutë. Ndikumana ul topin me kokë, e kontrollon Gilberto, gjuan rrafshazi në cepin e portës, Bejte gjen krahun, por nuk e ndal dot dhe 1-1. Mirëpo, nuk kalojnë as dy minuta, dhe kryeqytetasit kalojnë në avantazh. Morina në kufi të zonës pason për Gilberton, i cili kombinohet sërish me sulmuesin, që gjuan godet, por grushton portieri. Përfiton Kërçiku, i cili e ndjek aksionin, gjuan dhe nuk gabon, 2-1. Gjithçka përmbyset në vetëm tetë minuta dhe bardheblutë rimarrin kontrollin e lojës. Për minuta të tëra vazhdojnë të krijojnë raste pa fund, duke shpërdoruar. Në të 28-ën minutë Taku kombinohet me Gilberton, i cili pason te Ndikumana, sulmuesi gjuan me të majtën, por Bejte pret pa problem. Aksion perfekt i Tiranës në të 31-ën minutë, Morina, Karabeci dhe Gilberto kombinohen, braziliani pason te Taku, por mbrojtja mike neutralizon gjithçka. Fundi i lojës zgjon Besën, por pa sjellë rrezikshmëri. Sefa në të 34-ën dhe 38-ën minuta provon, por një here nuk gjen kuadratin dhe në të dytin rast Muça pastron zonën. Këtu mbyllet ky 45-minutësh.
Pjesa e dytë Fraksioni i dytë nis me ndryshime për të dyja ekipet. Magani nxjerr Ndikumanën dhe fut Kahatën. Ndërsa, nga ana tjetër, Mërgjyshi nxjerr Sefën e Ditën (u dëmtua) dhe aktivizon Mustafën me Muriqin. Loja vijon me të njëjtin ritëm, ka volum, raste të shumta, por jo gola. Megjithatë, bardheblutë shfaqen më të rrezikshëm në portën e Bejtes. Në minutën e 50-të Tirana ka mundësinë që të trefishojë shifrat, teksa Karabeci pason te Morina, i cili i vetëm përballë portierit gjuan, por topi largohet në vijën fatale prej Fejzullait. Vetëm 5 minuta më vonë ka një tjetër rast, Gilberto ul topin për Morinën, gjuan, Bejte largon me vështirësi. Morina është i pafat, pasi edhe në të 68-ën minutë kishte mundësi që të gjente rrjetën, pas një krosi perfekt të Kahatës, por sulmuesi nuk arrin ta shtyjë topin në rrjetë. Në minutën e 87-të është sërish keniani, që pason një top për Deliç, i cili avancon në zonë, gjuan me të majtën, por Bejte pret në kohë. Tri minutat shtesë nuk sjellin asnjë ndryshim dhe festa mbetet e gjitha për bardheblutë.

MË I MIRI
Gilberto Fortunato ka qenë lojtari më aktiv në fushë dje. Jo vetëm prej golit, por edhe për atë çka dha në fushë, teksa doli i fituar në çdo dyluftim dhe ishte e pamundur që të humbte top. Pas nuk mbeten as Kërçiku e Karabeci, të cilët vazhdojnë të jenë lojtarët që i japin lëvizshmëri skuadrës bardheblu. Një notë të lartë meriton edhe Çelhaka, pasi realizoi një eurogol dje.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Besës ka çaluar ndjeshëm dje, përfshi këtu edhe portierin Bejte. Në të dyja rastet e golave po të tregoheshin më të kujdesshëm, edhe mund t’i shmangnin. Madje në krejt takimin Tirana e kishte shumë të lehtë që të shkonte në zonën e miqve, pasi nuk gjente rezistencë të madhe. Sakaq, edhe sulmi nuk bëri asgjë, madje në ato pak raste që krijoi nuk u tregua efikas.

magani“Shfryn” Magani: Fituam, por Besa na dha leksion
Gugash Magani u shfaq tepër kritik ndaj të tijve. Madje, sipas trajnerit, Besa i dha leksion Tiranës me atë gol të shpejtë. Në një intervistë të dhënë në fund të këtij takimi, ai analizon fitoren e tretë radhazi dhe shpjegon edhe nervat e Morinës.
Tjetër fitore që ju largon sërish nga fundi…
Kjo ishte ndeshja më e dobët krahasuar me dy fitoret e kaluara. Besa na dha leksion, duke na shënuar një gol të shpejtë.
Çfarë nuk shkoi në lojë?
Kam shumë rezerva për të paktën tre apo katër lojtarë. Në pjesën e parë s’patëm ekuilibra, ndaj edhe bëra zëvendësimet, por as ato nuk kënaqën.
Goli i Çelhakës ju tronditi, por gjithsesi rikuperuat shpejt…?
Mund t’ju them që terreni i stadiumit ishte i amortizuar dhe ndikoi në lojën tonë, duke qenë se ne jemi skuadër që ndërtojmë lojë. Unë mendoj që ishte një ndeshje e bukur, megjithatë unë kam rezervat e mia për skuadrën time.
Nervat e Morinës…?
Ka qenë një nga lojtarët më të mirë në fushë, por nervat nuk ia toleroj, duhet t’i zbatojë detyrat që i jap.
Ka shënuar sërish Gilberto. I kënaqur për këtë?
Është i vetmi lojtar që sot ka bërë diferencën në lojën e skuadrës sonë. Ai është duke shënuar rregullisht dhe, nëse vazhdon me këto ritme, është blerja më e goditur për ne.
Skuadra vazhdon të shpërdorojë, por është ndeshja e parë që shënohen dy gola. Ju kënaq kjo gjë?
Është vetëm fillimi, në vazhdim do të shënojmë më shumë.

KercikuKërçiku: Goli për tifozët, kjo fitore na jep zemër
Goli i dytë për të në këtë sezon, por duket se atë ndaj Besës e ka shijuar më shumë. Dorian Kërçiku i dha trepikëshin Tiranës, fakt për të cilin është shumë i lumtur. “Është shumë e rëndësishme që skuadra të fitojë dhe të marrë maksimumin. Personalisht jam shumë i kënaqur që shënova këtë gol. Ai shkon vetëm për tifozërinë e Tiranës, e cila ka qenë edhe sot si gjithmonë e shumtë në numër dhe një mbështetje e madhe për ne. Kjo është fitorja e tretë radhazi dhe mendoj se skuadra është tashmë e plotë në të gjitha repartet, ndërsa besoj se në vazhdim do të risim cilësinë e lojës, për të vijuar me fitoret dhe me rezultatet pozitive”, – tha fillimisht mesfushori, i cili ka qenë një ndër më të mirët dje në fushë. Fakti që trajneri Magani ka mbetur i pakënaqur dhe ka shfaqur rezerva për lojën, Kërçiku i përgjigjet në këtë mënyrë: “Trajneri e shikon nga jashtë dhe nuk mund t’ju them asgjë për këtë. E rëndësishme është që arritëm të fitonim dhe shpresoj që të korrigjojmë gjithçka që thotë trajneri për të ardhmen”. Në fund ai bën një parashikim edhe për dy ndeshjet e fundit të kësaj faze të dytë, duke e thënë hapur që bardheblutë do të ishin të kënaqur me katër pikë. “Janë dy ndeshje të rëndësishme dhe aspak të lehta, pasi shkojmë në Vlorë dhe presim Kukësin. Ne do të tentojmë të marrim maksimumin në çdo ndeshje, por gjithsesi katër pikë mund të jetë të mjaftueshme për dy ndeshjet që kanë mbetur”, – përfundoi autori i golit të dytë për Tiranën.

Debati, Morina del me nerva
Mario Morina shkëlqeu në fushë, por goli vazhdon t’i mungojë. Megjithatë, sulmuesi u bë protagonist në të 81-ën minutë, kur doli nga fusha. Një dyluftim mes tij dhe Ramadanit bën që lojtari të pësojë një dëmtim dhe kërkon llogari prej mbrojtësit të Besës. Këtu ndërhyn jo vetëm gjyqtari, por edhe trajneri Magani. Ky i fundit për të qetësuar gjakrat, i bërtet lojtari dhe i kërkon që të vijë në vete. Megjithatë, pa kaluar as 40, 30 sekonda, lojtari zëvendësohet me Deliç. Teksa i afrohet pankinës, Magani i jep dorën, por sulmuesi e shfaq hapur mërzitjen e tij për këtë ndërrim. Megjithatë, trajneri e kaloi këtë gjest të lojtarit, duke i dhënë një përqafim.

MergjyshiMërgjyshi: Ja pse nuk i lashë në stol futbollistët
Artan Mërgjyshi argumenton zgjedhjet e tij dhe i bën një analizë humbjes së pësuar. “Kjo javë nuk foli shumë për ne. Megjithatë jam i kënaqur për mënyrën se si e interpretoi ndeshjen skuadra ime. Tirana e meritoi fitoren, por kam dyshime se goli i parë i tyre nisi nga një faull. Kemi pasur probleme gjatë gjithë javës me mungesat dhe u detyrova të arnoja formacionin, pasi mungonin Jashanica dhe Hoxha. Duke shtuar edhe dëmtimin e Ditës, apo edhe ndërrimin e detyruar të Sefës, që isha i bindur se mund të ndëshkohej pas debatit me gjyqtarin. Sa i përket lënies në stol të Mancakut, është ndeshja e katërt që e nis nga stoli dhe gjithashtu edhe Muriqi. Berisha ka pasur një kontraktim muskulor, ndaj nuk e rrezikova”, – tha trajneri. Kur u pyet për konstatimet e tifozëve, tekniku u shpreh: “Tifozët kanë të drejtën e tyre, por kjo është një vazhdë pasi e njëjta gjë ndodhi edhe në Vlorë, edhe në ndeshjen me Kukësin. Mund të jetë diçka personale e disa tifozëve, por unë vijoj punën i qetë. Skuadra është në rrugën e duhur dhe po luan mirë”.

CelhakaÇelhaka: Mposhta Likën, golin do e mbaj mend gjatë
Alked Çelhaka do ta mbajë mend gjatë këtë ndeshje edhe për një arsye të thjeshtë, pasi realizoi një eurogol dhe pikërisht përballë Tiranës dhe portierit Ilion Lika. Mesfushori në fund të takimit për mediat ta: “Shënova një gol të bukur përballë një portieri si Lika dhe ia dedikoj presidentit, ekipit dhe të gjithë stafit. Do e mbaj mend gjatë këtë gol. Ishte një ndeshje e fortë dhe mendoj se e barabartë. Në fund sporti ka tri rezultate, dhe jo gjithmonë mbetesh i kënaqur nga ajo që merr në fund. Me sa duket, kjo ndeshje tregoi se Tirana mbetet një skuadër e madhe. Tashmë është një situatë e vështirë për sa i përket ekipeve dhe qëndrimit. Objektivi për momentin mbetet mbijetesa, megjithatë tashmë duhet të mendojmë për Lushnjën”.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"