Flamurtari akord me sulmuesin vlonjat, rinovon edhe Paulo Pjeshka

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2024 | 11:50

Flamurtari akord me sulmuesin vlonjat, rinovon edhe Paulo Pjeshka

Flamurtari, edhe pse nuk ka emëruar trajnerin e sezonit të ri, vazhdon me ritëm punën për përforcimin e skuadrës. Nuk kanë munguar edhe kritikat për këtë mënyrë të funksionari, ku ish-kryebashkiaku dhe njëkohësisht ish-presidenti i skuadrës, Shpëtim Gjika, deklaroi se po përsëriten gabimet e së shkuara, duke afruar lojtarë pa përcaktuar se kush do të jetë trajneri që do të drejtojë skuadrën.

paulo pjeshka

Gjithsesi, drejtuesit vijojnë punën në merkato dhe falë kësaj Flamurtari ka gjetur akordin  me Ardit Hoxhajn. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se sulmuesi vlonjat pritet që të zyrtarizohet këtë javë dhe të firmos menjëherë edhe kontratën. Sezoni i fundit që Hoxhaj luajti me Flamurtarin ishte 2019-2020, çka do të thotë se rikthimi i tij vjen pas 4 vitesh. Burime zyrtare pranë klubit vlonjat pohojnë për gazetën se ka qenë këmbëngulja e administratorit Sinan Idrizit për ta bindur 29-vjeçarin që të rikthehet në shtëpi.

Hoxhaj e ka nisur karrierën në akademinë vlonjate dhe në vijim ka luajtur me skuadra të rëndësishme dhe e njeh mjaft mirë kampionatin shqiptar. Ka pasur aventura të rëndësishme në skuadra si Bylis, Skënderbeu, Korabi, Luftëtari, Vllaznia dhe Elbasani. Një eksperiencë ka pasur edhe në Kosovë, ku ka luajtur për Ferizajn. Elbasanin ishte skuadra ku Hoxhaj mbylli sezonin e fundit ku dhe u shpall kampion i Kategorisë së Parë dhe siguroi ngjitjen në Superiore. Sulmuesi Ardit Hoxhaj u përfol në Vlorë edhe sezonin e shkuar, por nuk u arrit dot transferimi, pasi në momentet e fundit kur pritej te Flamurtari, zgjodhi Elbasanin.

RINOVIMET – Paulo Pjeshka do të qëndroj në Vlorë. Pas rinovimit të kontratës së vëllait të tij, kapitenit Denis Pjeshka, 21-vjeçari është në planet e klubit për të vijuar më tej, por edhe duke respektuar kontratën që është në vazhdimësi edhe për një vit. Mesfushori ka pasur hapësira të mjaftueshme si titullar gjatë sezonit të shkuar në Vlorë. “Pjeshka i vogël”, siç e thërrasin në Vlorë, sezonin e kaluar ka luajtur në 27 ndeshje, 12 prej të cilave si titullar. 21-vjeçari shkodran e nisi te akademia e Vllaznisë dhe në sezonin 2022-2023 luajti tek ekipi i parë në Shkodër. Që nga vera e 2023-shit luan në Vlorë. Më herët ka qenë pjesë e Kombëtares U-19.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"