Flamurtari “bingo” me Lorenc Trashin, ish-mbrojtësi i Kombëtares ndër më të paguarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 25, 2024 | 19:54

Flamurtari “bingo” me Lorenc Trashin, ish-mbrojtësi i Kombëtares ndër më të paguarit

Flamurtari bën goditjen e bujshme në merkato. Surpriza e radhës e ka emrin…Lorenc Trashi. Vlonjatët arrijnë akordin dhe firmosin me ish- futbollistin e Kombëtares, që ka dalë kampion me Partizanin dhe Ballkanin në Kosovë.

trashi flamurtari

Trashi është prezantuar mbrëmjen e djeshme nga klubi për tu vendosur nga sot nën urdhrat e trajnerit Agostineli. “Panorama Sport”, mëson se Trashi ka firmosur një kontratë dy vjeçare me klubin vlonjat dhe është ndër më të paguarit. Sinan Idrizi nuk po kursehet financiarisht as këtë sezon. Klubi i ka plotësuar çdo kërkesë futbollistëve që kanë firmosur, mes tyre edhe Trashit. Mësohet se mbrojtësi 32-vjeçar ka marrë një këst në dorë, si dhe pritet të përfitojë rreth 3 milion lekë në muaj. Me firmosjen e Trashit, duket se Flamurtarin po kthehet në një Partizan të vogël, pasi jo vetëm lojtarë, por edhe trajnerin Andrea Agostineli dhe drejtori Artim Pollozhani kanë të shkuar te “demat e kuq”.

Lorenc Trashi është një futbollist me eksperiencë të madhe dhe pritet që t’i bëjë shumë punë Flamurtarit për arritjen e objektivit madhor, rikthimin në Superiore. Mbrojtësi e mbylli sezonin e fundit me Ballkanin e Kosovës. Për disa javë ai shqyrtoi disa oferta të rëndësishme, por Flamurtari e ka bindur. Lorenc Trashi e ka nisur te Gramshi, për të vijuar te Lushnja. Në sezonin 2014-2015 iu bashku Partizanit, ku mbajti edhe shiritin e kapitenit. Një aventurë provoi edhe në Kuvajt. Trashi ka luajtur edhe 14 ndeshje me Kombëtaren ku ka shënuar 1 gol.

ËNDRRA E GJIKËS- Ish-presidenti Shpëtim Gjika zbulon se Lorenc Trashi ka qenë ëndrra e tij që kur luante te Gramshi. Ish presidenti e cilëson një super goditje. “Super goditje! Ky lojtar ka qenë ëndrra ime qysh kur e kam parë në Pogradec, kur luante me Gramshin. Më në fund te Flamurtari! Suksese Lorenc!”, shprehet Gjika.

marku flamurtari

PREZANTOHET MARKU- Gjatë mbrëmjes së djeshme Flamurtari ka prezantuar edhe mesfushorin Heraldo Marku. Edhe 28-vjeçari ka firmosur për dy vite ndërsa do mbaj veshur fanellën me numër 21. Marku vjen pas një eksperience në futbollin rumun, ku në sezonin e fundit ishte pjesë e UTA Arad. Në Shqipëri ka luajtur edhe për Vllazninë, Partizanin, Kastriotin dhe Tërbunin. Gjithashtu, ka luajtur edhe në Gjermani.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"