Flamurtari europian dhe Shqipëria 1987

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2017 | 22:11

Flamurtari europian dhe Shqipëria 1987

Nga BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

(vijon nga numri i djeshëm)

Revista e përmuajshme “Panenka” e Bar celonës është pa dyshim revista më origjinale që botohet sot për futbollin. Jo thjesht për emrin që, çuditërisht, e ka marrë në nderim të futbollistit të famshëm të Çekosllovakisë, Antonin Panenka, duke i bërë “përulje” 11-metërshit të tij vendimtar në stilin e “gjethit të thatë” të Didit, që i dha skuadrës së tij titullin e Kampiones së Europës më 1976 kundër Gjermanisë.

Por, mbi të gjitha, për tematikën e saj, që nuk është thjesht futboll, ndeshje apo rezultat. Ajo ka një përmbajtje të politikës së futbollit, të anës sociale të tij, të historisë së vetë futbollit po aq sa dhe histori për shtetet e popujt ku ai luhet. Për hir të këtij vështrimi apo kahu të përmbajtjes së saj, ajo dërgoi kohët e fundit në Vlorë gazetarin e saj Jordi de Miguel Capell, në kujtim të 30-vjetorit të sukseseve e fitores së Flamurtarit ndaj Barcelonës për Kupën UEFA.

***

Dizdari, ku keni punuar kur Barcelona erdhi në Vlorë në shtatorin e vitit 1986?

Më 1986 isha kryeredaktor (drejtor) i gazetës së vetme sportive që kishte Shqipëria: “Sporti Popullor”.

Sa vjeç ishit?

Isha 44 vjeç dhe kisha katër vjet që isha emëruar kryeredaktor i kësaj gazete.

Sa i rëndësishëm ishte Flamurtari për shoqërinë shqiptare të viteve ‘80?

Flamurtari i viteve ‘80 ishte një nga skuadrat më të rëndësishme të Shqipërisë, një nga klubet sportive më të vjetra dhe një nga 6 skuadrat, të cilat më 1930 kishin themeluar Kampionatin e Shqipërisë, vit kur ai zhvilloi edicionin e parë të tij. Ndërkaq, Vlora – një qytet i bukur bregdetar – ishte edhe një nga qendrat më sportive të Shqipërisë. Përveç futbollit, ajo kishte skuadrën disa herë kampione të basketbollit të femrave. Ishte qytet i basketbollistëve, notarëve, atletëve, peshëngritësve e volejbollistëve të shquar të Shqipërisë.

E vërteta është se Flamurtari i futbollit i viteve ’80, me trajner Leonidha Çurin, kishte njohur një rritje të dukshme. Një vit më parë, më 1985, ai kishte fituar Kupën e Shqipërisë, madje duke pasur përballë në finale një nga skuadrat më të forta, atë të Partizanit, e cila përfaqë- sonte Ushtrinë Popullore (kombëtare) dhe drejtohej nga Ministria e Mbrojtjes. Për vite të tëra, Partizani kishte bërë ligjin në futbollin shqiptar. Dhe, deri më 1985, ai kishte fituar 13 kampionate të Shqipërisë dhe 11 kupa.

flamurtari partizan beograd

Fuqizimi i Flamurtarit ishte një lloj revolte për kujdesin e njëanshëm të Regjimit për klubet sportive. Në tre vjet rresht, 1986, ‘87, ‘88 Flamurtari ishte nënkampion i vendit, duke kulmuar me titullin e parë të Kampionit të Shqipërisë më 1991. Plot 8 lojtarë të Flamurtarit të viteve 1986-‘88, Çipi, Zijaj, Taho, Ferko, Bubeqi, Iljadhi, Gjondeda, Kushta u bënë të Kombëtares së Shqipërisë.

E vërteta është se vitet ’80 qenë vite të një zhvillimi më të madh të sporteve edhe në qytetet tradicionale. Kjo kishte bërë të mundur që të fuqizohej edhe Flamurtari – përfaqësuese e një prej katër qyteteve kryesorë të Shqipërisë: Shkodër, Korçë, Durrës dhe Vlorë. Vlora kishte 65.000 banorë, afërsisht po aq sa dhe tre qytetet e tjerë. Natyrisht, larg nga kryeqyteti Tiranë që kishte rreth 200.000 banorë.

A kishte skuadra një lidhje kuptimplote me Partinë Komuniste dhe regjimin?

Ashtu siç ishte organizuar sporti në Shqipëri, duke qenë se Shqipëria ishte një diktaturë komuniste, edhe sportet i drejtonte Partia Komuniste që quhej Partia e Punës së Shqipërisë. Por, siç thashë, Partizani dhe Dinamo e Ministrisë së Punëve të Brendshme, skuadra të formuara më 1946 dhe 1950 simbas modelit sovjetik, ishin shumë më pranë Partisë Komuniste. Ndonëse edhe skuadrat e qyteteve ishin në vëmendje të Partisë, sidomos të Komiteteve të Partisë të qyteteve.

flamurtari vismut

Ajo çfarë kishte ndryshuar Partia në vitet ’80, ishte se ia kishte mpakur deri diku të drejtën Partizanit dhe Dinamos që t’ua merrnin lojtarët e talentuar klubeve të qyteteve, siç kishte ndodhur për gati 30 vjet me radhë. Pikërisht ky ndryshim bëri të mundur që edhe Flamurtari t’i mbante për vete talentet e tij, duke ia arritur të bënte një skuadër shumë të mirë dhe konkurruese, që do ta çonin deri te ndeshjet e rralla me Barcelonën e Partizanin e Beogradit. Madje, duke u përshkuar në tre ture të Kupës së UEFAs – gjë që nuk kishte ndodhur me asnjë klub shqiptar deri asokohe.

Politikisht, nuk duhet harruar se qyteti i Vlorës kishte qenë një nga bastionet e Partisë Komuniste gjatë Luftës dhe shumë liderë të kupolës së Partisë ishin nga zona e Vlorës. Por, duhet thënë se ata nuk tregonin një kujdes të veçantë për Flamurtarin. Skuadrat më të dashura të tyre ishin Partizani dhe Dinamo, të cilat ata vetë i kishin themeluar Pasluftës…

Si e kuptonte sportin regjimi i Enver Hoxhës?

Regjimi i Enver Hoxhës sportin e kuptonte si një fushë veprimtarie për ta mbajtur sa më të mbledhur rininë, si të thuash, për t’ia marrë kohën – gjë që i lejonte ta mbante gjithnjë e më afër atë. Partia Komuniste i jepte sportit një kuptim politik, madje deri aty saqë parulla kryesore ishte: “Ta bëjmë sportin të masave” – një thënie plot dinakëri e Enver Hoxhës, i cili kishte publikuar këtë thënie të tij që u bë emblemë: “Forca e gjallë e Atdheut qëndron te njerëzit, sa më të fortë të jenë ata fizikisht, aq më i fortë është Atdheu”.

flamurtari barcelona

Kështu që, më shumë se për sportin cilësor flitej për sportin që quhej “i masivitetit, i sportit në fabrika, shkolla e reparte ushtarake”. Ishte fjala për diçka krejt amatore që, ashtu siç organizohej, edhe pse teorikisht në thelb mund të kishte disa anë të mira, nuk jepte rezultate të larta për të mbërritur te sporti kompetitiv. Ishte një politikë e tërë. Por, nga ana tjetër, ajo e mirëfilltë sportive kishte uljengritjet e saj.

Duke qenë një vend i izoluar, prej të ashtuquajturit “rrezik imperialisto–revizionist”, për vite të tëra Shqipëria i shmangej deri dhe pjesëmarrjes në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare. Mjafton të kujtojmë se edhe sot mbetet në fuqi “rekordi” i Shqipërisë për bojkotimin për 20 vjet rresht të Lojërave Olimpike nga 1972 deri më 1992, kur mori pjesë në Lojërat Olimpike të Barcelonës suaj.

Ekipi kombëtar i futbollit të Shqipërisë nuk mori pjesë në aktivitete euro-botërore nga viti 1973 deri më 1980. Po kështu, Shqipëria nuk mori pjesë as në Kupat e Europës me klubet nga viti 1972 deri më 1978. Popullit nuk i jepej shpjegim. Ose jepej një shpjegim krejt naiv si ky: “Duhet të rrisim nivelin e sporteve për t’ua matur me të huajt”. Regjimi e konsideronte si të papranueshme që Shqipëria të mposhtej rregullisht prej ekipeve sportive të shteteve kapitaliste e revizioniste, siç i quante. Nga ana tjetër, ajo nuk donte që të shtonte daljet jashtë të qytetarëve të saj nga frika e një indokrinimi të tyre prej “ideologjisë borgjeze”, siç thuhej.

Gjithashtu, ajo frikësohej fort edhe nga arratisjet që mund të bënin sportistët kur dilnin jashtë vendit. Pikërisht, më 1987, ndodhi që dy futbollistë të klubit Vllaznia e Shkodrës, Arvid Hoxha dhe Lulzim Bersheni u arratisën në Finlandë, ku skuadra kishte luajtur për Kupën e Kupave me atë finlandeze RoPS Rovaniemi. Për dënim, familjet e tyre Regjimi i internoi. Po ashtu, nuk duhet harruar se Partia nuk pëlqente kurrsesi që sportistët të sillnin nga jashtë mallra apo pajisje të ndryshme që mungonin në Shqipëri.

gazeta flamurtari

Po në vitin 1987, kur futbollistët e Flamurtarit u kthyen nga Beogradi mbasi kishin eliminuar Partizanin (2-0, 1-2), ata sollën mallra vetjakë, si dhe aparate televizive e transistor. Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Manush Myftiu, një partizan i vjetër nga qyteti i Vlorës, zhvilloi një mbledhje me kuadro të sportit duke i dënuar rëndë këto raste. Si kryeredaktor i gazetës kam qenë i pranishëm në atë mbledhje të rreptë. Sigurisht, nëse Flamurtari nuk do të ishte kualifikuar, e gjithë skuadra do të dënohej ashpërsisht. Por nuk duhet harruar ndërkaq se në këto vite ’80 u arrit që Shqipërinë ta vizitojnë edhe presidenti i FIFA-s Joao Havelange dhe presidenti i CIO-s, Juan Antonio Samaranch. Kjo ishte një befasi e madhe, ndonëse vizitës së tyre nuk iu bë asnjë publicitet. U duk se këto vizita do të kishin edhe një shtytje për hapje të Shqipërisë, qoftë edhe përmes sporteve. Ishte një shpresë e vaktë…

Gazetari katalonas Antoni Bassa ka treguar se atë natë të parë në Tiranë ka pas një takim me gazetarët shqiptarë dhe shkrimtarë. Ishit ju aty? Ju kujtohet ndonjë diçka e veçantë?

Kam qenë shumë pranë gazetarëve spanjollë. Në njëfarë mënyre, për gazetarët e huaj caktohej një apo dy gazetarë të Shqipërisë që t’i shoqëronte ata. Dhe qëllimi ishte jo vetëm për t’i ndihmuar ata për të kryer sa më lehtë punën e tyre, por mbi të gjitha për t’i furnizuar me informacione sa më shumë pozitive për jetën e Shqipërisë. Shteti komunist ishte shumë i interesuar që kur ata të shkonin në vendet e tyre, të shkruanin sa më mirë për Shqipërinë Socialiste. Kanë kaluar kaq vite, por ajo që mund të kujtoj, ishin kushtet shumë të vështira për të transmetuar ndeshjen në radio.

Ndonëse me shumë mundim u arrit që radiokronistët spanjollë, të transmetonin ndeshjen për katër kanale radiofonike të Spanjës. Në Shqipërinë e asaj kohe me gjithë përparimet që ishin bërë, rrjeti telefonik ende nuk ishte diçka masive. Nuk mund ta harroj një rast. Kur kemi mbërritur në Vlorë dhe u pa se si ishin kushtet për punën e tyre, gazetarët spanjollë u shqetësuan së tepërmi. Stadiumi i Vlorës, krejt modest dhe me një infrastrukturë të nivelit të ulët, nuk kishte një tribunë shtypi.

flamurtari barcelona

Gazetarëve spanjollë u është bërë vend në tribunën qendrore doemos, por po në ato kushte siç ndodheshin edhe spektatorët. Nuk mund ta harroj ndërkaq kërkesën e një gazetari spanjoll, emri i të cilit nuk më kujtohet. Ai më tha që të ndërhyja për t’i gjetur një veturë që, mbas mbarimit të pjesës së parë, ai të nisej për t’u kthyer në Tiranë. Unë mbeta krejt i çuditur dhe i thashë: “Si mund ta lini pa e parë pjesën e dytë?”.

“Gjatë rrugës për në Tiranë, – u përgjigj ai, – unë do ta dëgjoj ndeshjen të transmetuar përmes një stacioni spanjoll në tranzistorin tim dhe. kur të mbërrij në Tiranë. e transmetoj menjëherë reportazhin e ndeshjes përmes telefonit të hotelit. Këtu në Vlorë, me kaq gazetarë sa jemi, vonesa do të jetë edhe më e madhe për gazetën time…”. Kjo Shqipëri ishte.

Si e gjykoni situatën e vendit në shtatorin 1986? A kishte shpresa për ndryshime apo ende kjo as mund të mendohej?

Nuk duhet harruar se asokohe të vitit 1986 ishim vetëm 18 muaj mbas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Populli priste të ndryshonte diç- ka, por nuk ndodhi asgjë e veçantë dhe Shqipëria mbeti po ajo: diktaturë e proletariatit, izolim, varfëri dhe një zhvillim krejt i ngadalshëm në të gjitha fushat e jetës.

Tetë vjet më parë Shqipëria ishte prishur edhe me Kinën e Mao Ce Dunit dhe tani asaj i kishin mbetur vetëm parulla të tilla si ajo që thoshte: “Të mendojmë e të punojmë si revolucionarë”. Ose ajo tjetra që thoshte: “Të ndërtojmë socializmin me forcat tona”. Nuk duhet harruar se mbas vetëvrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu, në fillim të viteve ’80, gjithçka u ngushtua edhe më fort nën kthetrat e diktaturës, që ishte më e egra në botën moderne. Mjafton të kujtojmë se gati gjysma e qeveritarëve të vendit, komunistë e partizanë të vjetër, pa asnjë faj, u dënuan me pushkatim, ndërsa vargu i të burgosurve të këtij rangu ishte i pafund, deri edhe për familjarët e tyre. Nuk kishte asnjë shpresë për ndryshime.

flamurtari el mundo deportivo

Nga shtatori 1986 te dhjetori 1987 (udhëtimi i dytë i Barcelonës) e kishte një lloj lëvizje të situatës politike ose sociale në Shqipëri? Vështirësitë ekonomike sa vinin e ngushtoheshin, duke arritur kulmin më 1989 dhe 1990, vit ky kur do të mbërrinim te ditët e fundit të sistemit komunist edhe në Shqipëri. E vetmja gjë interesante, për çudi, ishte vetëm sporti. Pikërisht në këto vitet ’80, papritmas Partia kërkon një politikë deri diku tjetër sportive, paksa më liberale. I izoluar siç ishte vendi, me sa duket ajo kërkonte që, nëpërmjet sportit, t’i dëgjohej paksa zëri në Europë.

Ndonëse vazhdon të bojkotojë Lojërat Olimpike, Regjimi vendos të japë pak liri, si të thuash, sportive. Shumë nga ne këtë ndryshim e kuptonim jo vetëm për faktin se Enver Hoxha i sëmurë dhe i lodhur tashmë, por sikur po ia delegonte disa punë e veprimtari pasardhësit të tij Ramiz Alia, i cili kishte edhe njohuri sportive dhe njihej deri diku si një simpatizues i sporteve. Sidoqoftë, unë them se më e rëndësishmja kishte të bënte me synimin për t’i dhënë diçka rinisë, e cila e donte së tepërmi sportin. Dhe në këtë kontekst, mendoj se hyn edhe emërimi im si kreu i gazetës “Sporti Popullor”.

Unë nuk isha anëtar i Partisë Komuniste. Madje, ishte rasti i parë dhe i vetëm në Shqipërinë Komuniste që drejtuesi i njërës prej 8 gazetave kombëtare që kishte vendi, të mos ishte anëtar i Partisë! Punoja në përditshmen e dytë më të rëndësishme të vendit, atë “Bashkimi”, ku përveç të tjerave, kisha drejtuar një rubrikë sportive, e cila do merrte shumë popullaritet. Dhe krejt papritmas, më 1982, mbasi kisha punuar 14 vjet në “Bashkimi”, Partia më cakton drejtues të gazetës së vetme sportive “Sporti Popullor”, thjesht për t’ia rritur asaj nivelin. Dhe kështu ndodhi.

flamurtar

Nga një herë në javë, propozova që ta bëja gazetën dy herë në javë. Tirazhi nga 25.000 kopje arriti në 150.000, prej të cilëve plot 142.000 kopje ishin abonime të lexuesve qysh në fillim të vitit. Në raport me popullsinë 3.5 milionë të Shqipërisë, ky tirazh duhet të ketë qenë një lloj “rekordi” në Europë. Në thelb, mund të them se gjatë vitit 1985 dhe 1986, nuk ka ndodhur asnjë ndryshim politik me kuptim të veçantë në Shqipëri. E veçanta që ka ndodhur ka qenë vetëm në futboll me Flamurtarin: katër ndeshje legjendare për ne me Barcelonën, dy barazime dhe 1 fitore.

Brenda të cilave, më 1987 vjen edhe eliminimi i bujshëm i Partizanit të Beogradit. Por brenda këtij harku kohor 1- vjeçar, përveç futbollit, ka dhe diçka tjetër. Shqipëria organizon një veprimtari sportive jo futbollistike: Kampionatin Ballkanik të Peshëngritjes ku arrin madje të fitojë edhe 7 medalje ari, 6 argjendi dhe 6 bronzi. Por, përtej Ballkanit, do të kishte një tjetër sukses edhe më të madh: Shqipëria merr pjesë për herë të parë në Lojërat e Mesdheut (Latakia 1987) dhe fiton 4 medalje ari në qitje, peshëngritje dhe volejboll e basketboll për femra. Për Shqipërinë, ky ishte një sensacion i vërtetë, që përforcohej kur shton edhe 2 medalje argjendi e 6 bronzi.

Kjo ishte një ngjarje e madhe krejt e jashtëzakonshme, që sa tregonte mundësitë e talenteve sportive shqiptare, nga ana tjetër tregonte edhe për një dëshirë, natyrisht të matur të Regjimit, për një afirmim sado të vogël sportivogjeopolitik.

Trajneri i Barcelonës 1986, Terry Venables, ka thënë para ndeshjes se simbas të dhënave, futbolli shqiptar është rritur së tepërmi vitet e fundit. Ishte kështu? Cilat janë arsyet?

Është e vërtetë. Edhe pse Regjimi, të cilit nuk mund t’i shkonte ndër mend për të përfshirë futbollin e sportin në organizimin profesionist perëndimor, ai vendosi që të përmirësonte deri diku disa kushte. Ndoshta ishte një lloj kalimi nga një amatorizëm i pastër në një lloj profesionizmi “sui generis” të llojit shqiptar. Sportistët, pra dhe futbollistët, nuk do të dilnin në punë gjatë gjithë kohës në profesionet e tyre, por do të paguheshin me rrogat e profesioneve që kishin, duke u marrë vetëm me futbollin.

flamurtarivismut

Ndërkohë, trajtimi ushqimor i tyre do të ishte falas. Sigurisht, nuk kishte asnjë shpërblim për rezultatet e arritura, në një kohë që nuk lejohej shitblerja e futbollistëve prej një klubi në tjetrin. Pra, nuk ekzistonte tregu i futbollit si për brenda ashtu dhe jashtë vendit. Kjo konsiderohej një mënyrë borgjeze e organizimit sportiv. Kjo e drejtë, natyrisht pa pagesë, u ishte lejuar deri atëherë vetëm dy klubeve dikasteriale ushtarake Partizani e Dinamo. Kështu sporti, pra dhe futbolli, pësuan një rritje.

Madje, për kushtet e Shqipërisë, u arrit edhe ndonjë sensacion europian, siç qe kualifikimi i Shqipërisë së 21- vjeçarëve në 8 më të mirat e Europës (1983), duke eliminuar tre shtete futbollistike: RF Gjermane, Austri dhe Turqi. Sensacioni mbërriti deri aty saqë “World Soccer” e Anglisë e përfshiu skuadrën e 21-vjeçarëve të Shqipërisë në 10 ekipet më të mira të botës. Ndërkaq, më 1986 skuadra 17 Nëntori (sot SK Tirana) kishte eliminuar skuadrën e fortë Dinamo Bukuresht 1-0, 2-1 në Kupën e Kupave të Europës. Prej këtu u shkua mandej te ndeshjet e mëdha me Barcelonën.

Trajneri Venables ka të drejtë. Rritja e futbollit shqiptar dukej qartë, ndonëse për çudi me ekipin kombëtar jo. Pikërisht më 1987 ndodhin dy humbje katastrofale të Kombëtares së Shqipërisë: 5-1 me Rumaninë dhe 5-0 me Spanjën tuaj! Këto janë çuditë e futbollit.

Cilat mund të ishin disa të dhëna të rritjes futbollistike të Flamurtarit në atë periudhë? Çfarë meritash kishte trajneri Leonidha Çuri?

Flamurtari 1986–1987 ishte një skuadër e përbërë e gjitha nga lojtarë të qytetit të Vlorës. Të lindur, të rritur e të formuar në Vlorë. Futbolli i Flamurtarit ishte një lloj universalizmi shqiptar, nëse mund ta quaja kështu që, deri atëherë, nuk ishte parë në Shqipëri. Skuadra e kishte lënë mënjanë statizmin e futbollit modest shqiptar. Loja e saj ishte një futboll deri diku dhe atletik, i një teknike të mirë, i një lloj vokacioni sportiv që vinte edhe prej klimës bregdetare.

flamurtarivismut1

Lojtarët kishin disa vite që luanin së bashku dhe e pakta, për rreth 4- 5 vjet, formacioni ishte po ai. Për ta vlerësuar disi më qartë futbollin e Flamurtarit 1986- 1987, unë po bashkëngjis këtu, sot mbas 30 vjetëve, përcaktimet përfshirë në editorialin tim të 19 shtatorit 1986, që unë i kam marrë prej tre gazetarëve spanjollë të akredituar në Vlorë për ndeshjen Flamurtari–Barcelona 1- 1 më 1986, kolegët Pedro Garcia, Jose Luiz Fernandez dhe të mirënjohurit Miguel Vidal:

PEDRO GARCIA: “Flamurtari ishte një kolektiv me nivel të lartë e me lojtarë të aftë si Ziu, Ferko, Zijai që mund t’i dëshironte çdo ekip. Morëm me vete një mësim të shkëlqyer dhe pamë një publik që dinte të ruante karakterin e vërtetë sportiv”.

JOSE LUIS FERNANDES: “Kam transmetuar për 4 milionë dëgjuesit e mi plot 90 minuta krejt pastër. Unë u fola atyre për këtë vend që fillova ta dua, të këtij populli të mirë të Shqipërisë, të sjelljes aq sportive të publikut. Flamurtari demostroi se me frymën e tij luftarake, mund të kalojë edhe ekipe pretendente, teorikisht shumë të mirë”.

MIGUEL VIDAL: “Flamurtari ka zhvilluar një ndeshje të madhe me lojtarë të tillë si Taho, Ferko, Zijaj, V.Ruci apo Gjondeda. Unë i dërgova gazetës sime ‘AS’ këto tituj: ‘Barcelona shpë- toi nga humbja e rëndë në minutat e fundit’. Dhe tjetri: ‘Flamurtari luajti më mirë dhe meritonte fitoren’” .

Dhe kur mendon se në këtë ndeshje të vitit 1986, në fushë kishte qenë një Barcelonë me Zubizarreta, Viktor, Lineker e Hjuxh, mendimet e kolegëve spanjollë përligjen edhe më fort. Pa asnjë dyshim mund të themi se trajneri Leonidha Çuri ka një meritë të veçantë. Duke pas qenë më parë lojtar i Flamurtarit – një mbrojtës mjaft teknik, madje edhe një lloj mbrojtësi – mesfushor, ai njihte jo vetëm psikologjinë e lojtarëve të qytetit të tij, por disa prej tyre ishin rritur para syve të tij.

Partizani Beograd Flamurtari

Duhet thënë ndërkaq se Leonidha Çuri kishte studiuar qysh nga mosha 14 deri në 22 vjeç në shkollën e futbollit të Tiranës, por dhe në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike në Tiranë, duke u specializuar jo vetëm si profesor i edukimit fizik, por dhe si trajner i futbollit. Çuri, i cili më 1987 ishte vetëm 35 vjeç, ishte një trajner shumë i qetë, i zgjuar, intuitiv, i cili dinte të merrte vendimet e duhura edhe në situatat më të vështira. Natyrisht, të gjitha këto në kontekstin e kërkesave të futbollit modest shqiptar.

Cilët lojtarë të Flamurtarit kanë qenë të impenjuar në jetën e tyre të përditshme? A kanë marrë përfitime apo fitime si lojtarë?

Ata ishin dhe janë njerëz të thjeshtë, shumë të respektuar, qytetarë fort të mirë të Vlorës së tyre. Sigurisht pa asnjë përfitim të veçantë personal. Kjo sepse ata nuk fituan asgjë prej jetës sportive, përveç nderimit të madh popullor, përveç simpatisë prej publikut të tyre. Disa u bënë trajnerë futbolli në ekipe të ndryshme, zyrtarë të futbollit në klub apo dhe në kryesinë e Federatës Shqiptare të Futbollit si Alfred Zijaj.

Ndërsa njeri prej tyre, kapiteni emblematik i Flamurtarit, Kreshnik Çipi, arriti të zgjidhej deputet i Parlamentit të Republikës së Shqipërisë (2009-2013). E dhimbshme ka qenë ndarja nga jeta kohëve të fundit e dy lojtarëve të shquar Petro Ruci dhe Alfred Zijaj. Sidoqoftë, sot e kësaj dite. të gjithë lojtarët e Flamurtarit kujtohen si heronj të futbollit shqiptar 1986-87 që i dhanë një gëzim të pamatë popullit të tyre, duke u treguar thuajse të barabartë me një nga skuadrat më të mëdha të historisë së futbollit në Europë e botë, siç është Barcelona. Dhe e gjitha kjo merr një rëndësi më tepër kur kujton se Shqipëria ishte e izoluar më fort se kurrë. Kjo është dhe vepra e tyre e paharrueshme.

A të kujtohet ku e ke parë ndeshjen e parë Flamurtari–Barcelona në Vlorë (shtator 1986)?

E kam parë në tribunë, së bashku me gazetarët spanjollë, ashtu të shtrënguar njëri pranë tjetrit.

Të kujtohet diçka e veçantë nga këto ndeshje me FC Barcelona?

Ajo që nuk mund të harrohet sigurisht është përjetimi inkandeshent më shumë se asnjëherë tjetër i qytetit të Vlorës, brenda e jashtë stadiumit me emrin “Flamurtari”. Mund të të kujtohet goli spektakolar i Vasil Rucit në barazimin 1-1 të ndeshjes së 17 shtatorit 1986 – sot e kësaj dite idhull i sportit të qytetit të tij. Apo dhe goli fitimtar i Sokol Kushtës në fitoren 1-0 të 9 dhjetorit 1987-tës – rezultate të bujshme që ne kurrë nuk mund t’i paramendonim.

flamurtari-barcelona

Madje, edhe pse pak më parë, Flamurtari do të eliminonte edhe Partizanin e Beogradit dhe Vismut Aue të RD Gjermane. Ndeshjet me Barcelonën krijuan një situatë lirie shpirtërore të publikut sportiv jo vetëm të Vlorës, por të të gjithë rinisë sportdashëse shqiptare. Sot mbas 30 vjetëve kjo mund të kuptohet vetëm duke iu kthyer kohës paradoksale të Shqipërisë Komuniste 1986-‘87. Pa hyrë në hollësi, mund të them se këto ndeshje u bënë një impuls për vetë sportin shqiptar. E natyrisht Regjimi dhe Partia nuk i ndante meritat me të tjerë…

Çfarë bën më 2017 Besnik Dizdari?

Pasi kam drejtuar për 17 vjet gazetën “Sporti Popullor”, të cilin mbas vitit 1990 i ndërrova emrin në “Sporti Shqiptar” që ishte gazeta sportive ndër të parat në Ballkan qysh në vitet e Mbretërisë Shqiptare themeluar më 1935, prej vitit 1999 botoj revistën e përkohshme “Futbolli Shqiptar Mg.”, natyrisht modeste. Një revistë ku vendin kryesor e zë vështrimi historik i futbollit shqiptar, por dhe i sporteve të tjera.

Ndërkohë, jam editorialist i gazetës sportive më të madhe në vend “Panorama Sport” dhe u jam kushtuar librave për futbollin dhe sportin kombëtar e ndërkombëtar. Kam botuar 22 libra, të fundit më 2015, me titullin “Kupa e Botës dhe Shqipëria”. Prej tyre ndër më të rëndësishmit mbeten pesë vëllime të historisë së Kampionateve të Shqipërisë (1930- 1959), si dhe ai për historinë e Kombëtares së Shqipërisë. Ndërkohë, merrem edhe me shkrime studimore për dukuritë e gazetarisë. Po e mbyll duke u thënë se nuk mund ta harroj kurrë Kongresin e AIPS zhvilluar më 1997 në Oviedo të Spanjës së suaj të mrekullueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"